Nuk ka marrëveshje, Zvicra refuzon propozimet e BE-së

Postuar në 23 Prill, 2021 16:39

Bisedimet mes Zvicrës dhe BE-së janë sërish në ngërç. Presidenti zviceran, Gay Parmelin, dhe presidentja e Komisionit Europian, Evropian Ursula von der Leyen, u ulën sot në tryezën e diskutimeve me shpresën e arritjes së një marrëveshjeje kornizë gjithëpërfshirëse midis Zvicrës dhe BE. Por takimi ka përfunduar pa rezultat.

Zvicra pretendon se ndihma shtetërore, rregullat e punës dhe të drejtat e qytetarëve cenohen nga një projekt-marrëveshje e hartuar në 2018. Por BE ngul këmbë për të kundërtën.

Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, Parmelin tha se Zvicra nuk mund të nënshkruajë marrëveshjen siç është, por shtoi se të dy palët do të qëndrojnë në kontakt.

Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por ka një sërë marrëveshjesh bilaterale me të. Aktualisht të dy palët po përpiqen të finalizojnë një "marrëveshje kornizë" institucionale që synon thjeshtimin e lidhjeve të ardhshme midis dy palëve.

Qëndrimin e palëkundur të Komisionit e konfirmoi një zëdhënës, i cituar nga Swissinfo.ch. "Ne i dëgjuam rezervat që ka Zvicra për tre temat e njohura", u tha zëdhënësi gazetarëve në një konferencë të veçantë për shtyp.

Zviceranët nuk bien dakord me rregullat e ndihmës shtetërore, punëtorët e huaj që mund të ulin pagën zvicerane dhe aksesin e qytetarëve të BE në benefitet sociale zvicerane. Berna ka sugjeruar që këto duhet të rregullohen nga marrëveshja e re, por BE e konsideron këtë kërkesë të papranueshme, megjithatë duke shtuar se mbetet e hapur për negociata të tjera.

Mosarritja e një marrëveshjeje do t’i bllokonte Zvicrës çdo qasje e re në tregun e përbashkët, si p.sh. unioni i energjisë elektrike. Marrëveshjet ekzistuese gjithashtu do të dëmtoheshin me kalimin e kohës, p.sh tregtia ndërkufitare e produkteve mjekësore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.