Problemi "Ilir Meta"

Postuar në 21 Prill, 2021 18:20

Sot presidenti i Republikës ka deklaruar përmes një konference të jashtëzakonshme se do të udhëheqë mbrojtjen e votave më 25 prill.

Burrat e gratë e Mallakastrës t’i mprehin sfurqet e sëpatat se po u prek një votë e vetme kështu do bëjë gjithë Fieri dhe Shqipëria me në krye Presidentin. Ata duan të krijojnë idenë, siç bënë në Elbasan dhe të krijohet ideja se LSI me porosi të Presidentit të krijojë probleme. Ne e dimë shumë mirë se nga vijnë këto probleme

tha Ilir Meta.

Konkretisht, kreu i shtetit po premton një kryengritje të armatosur - të paktën me armë të ftohta - për mbrojtjen e zgjedhjeve nga Rilindja. Presidenti nuk po ruhet më as në aspektin formal, por po deklaron se subjekt potencialisht autor të krimit zgjedhor, PS-në e Edi Ramës dhe qeverinë e saj.

Është një situatë e paprecedentë kur një hallkë e shtetit i shpall luftë tjetrës ndërkohë që të dyja premtojnë se janë garante të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Cili konsensus është prishur? Cila bashkëjetesë është cenuar që mbërrijmë në këto thirrje dhe në ngjarje si ajo e Elbasanit që po instrumentalizohet politikisht?

Asgjë që ka të bëjë me shqiptarët. Është prishur perspektiva e një stabiliteti të rremë politiko-institucional në dritën e një procesi zgjedhor që është vetë ky parablerja e stabilitetit politik të bashkëqeverisjes. Një bashkëqeverisje që nuk e lexon votën, por e shndërron atë në element të matematikës politike që nxjerr jashtë loje Ilir Metën.

Me bllokimin e rrugëkalimeve për të rihyrë në Pazar, kemi manifestime të tilla të një dhune që po kurdiset përtë shpërthyer ditën e zgjedhjeve e cila ka patjetër nga pas edhe vullnetin e aktorëve të huaj. E vërtetë është kjo, sikundër është e vërtetë edhe se stabilokracia e blerë në kurriz të demokracisë shqiptare prej kaq e kaq kohësh do të shkërmoqte pandalshëm edhe atë pak besim te të drejtat dhe e ardhmja jonë.

Kjo që po ndodh është një krizë e rëndë, sepse ajo po synohet të detonohet në emër të një interpretimi militarizues që nuk është kura, por simptomë e një krize nervore imediate të një fraksioni të politikës. E kemi parë këtë sjellje më 1998, 2011 dhe mund të kuptojmë se ajo dhunë që shërbehet si instrument riparimi është në fakt manovër riciklimi. Atëherë kur protestat duhet të mësynin institucionet të certifikuara se përfaqësoheshin me njerëz me probleme penale, pra kur dhuna ishte deri diku legjitime, kjo nuk ndodhi.

Sot dhunën po e promovon kreu i shtetit që e di shumë mirë se ka në dorë vetëm gjenerim incidentesh dhe asgjë më shumë, por jo një proces politik të vërtetë ndryshues. Me të cilin mund të jesh dakord për ato që thotë, por jo për atë që premton të bëjë, e që është maksimumi një aventurë. Në këtë kuadër na duhet të pranojmë se vendi është praktikisht pa drejtim në Presidencë dhe se Parlamenti i ardhshëm duhet të sqarojë domosdoshmërisht raportin e vet me Ilir Metën. Me çdo mjet dhe rrethanë juridiko-kushtetuese. Ndonëse e dimë që jemi një shtet fundërrinë, zullumi ka një kufi dhe shtyrja në kohë e trajtimit të situatave të tilla nuk mund të vazhdojë pafundësisht sepse ky vend, mirë apo keq, nuk ka sesi të jetë domen i 3-4 njerëzve dhe sojit të tyre. Edhe pse këta kanë akaparuar thuajse çdo gjë. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Bert (not verified) on

Shtet funërrinë na bënë ambasadorët Pasi gjetën premisa të forta të trashëguara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.