Në gjurmët e skithëve përmes historisë së gjeneve

Postuar në 28 Mars, 2021 14:24

Skithët kanë qenë një përzierje kulturash që sunduan stepën euroaziatike, duke luajtur një rol të madh në historinë e kësaj pjese të kontinentit. Një studim i ri i botuar në “Science Advances” analizon të dhëna mbi të gjithë gjenomin për 111 individë të tillë, çka hedh më shumë dritë mbi origjinën, zhvillimin dhe rënien e skithëve të stepës.

Ata gëzojnë një status legjendar në historiografinë dhe kulturën popullore për shkak të ndërveprimit dhe konflikteve me bashkëkohës në Euroazi. Ata kanë influencuar shumë kulturën e fqinjëve, sidomos sa përket kalërimit. Grekët e lashtë, romakët, persët dhe perandorët kinezë huazuan zakonet dhe praktikat e kalorësve skithë.

Megjithatë, në mungesë të dëshmive nga burime të jashtme, pak dihet për historinë skithe.

Studimi në fjalë, i kryer nga gjenetistë, atropologë dhe arkeologë të Institutit Max Planck në Gjermani, nxjerr në dritë pjesë të historisë së tyre.

Rezultatet e këtij studimi zbulojnë se ndryshime të konsiderueshme gjenetike u shoqëruan me rënien e grupeve sedentare të epokës së bronzit për një kohë të gjatë dhe rritjen e kulturave nomade të skithëve në epokën e hekurit. Përfundimet e tyre tregojnë se, duke ndjekur prejardhjen relativisht homogjene të barinjve të epokës së bronzit, në kapërcyell të mijëvjeçarit të parë p.e.s., dyndjet nga lindja, perëndimi dhe jugu në stepë formuan grupe të reja gjenesh të përziera.

Studimi identifikon dy burime për origjinën e grupeve nomade të epokës së hekurit. Njëra e ka origjinën nga popullatat e maleve Altai, që më pas u shpërndanë në perëndim dhe jug. Këto rezultate gjenetike përputhen me kohën dhe vendin që tregojnë regjistrimet arkeologjike dhe sugjerojnë shpërndarjen e populltës nga zona Altai duke e lidhur me kultura si Saka, Tasmola dhe Pazyryk, që gjenden respektivisht në jug, qendër dhe lindje të Kazakistanit. Ndërsa grupet e Uraleve në zonën perëndimore vijnë nga një tjetër origjinë. Përkundër rastit lindor, ky “rezervuar” gjenesh perëndimore, karakteristikë e kulturave të hershme sauromatiane-sarmatiane, mbeti kryesisht e qëndrueshme përmes përhapjes në perëndim të kulturave sarmatiane nga Uralet në stepën Ponto-Kaspike.

Studimi gjithashtu mbulon periudhën e tranzicionit pas epokës së hekurit, duke përzierje të tjera gjenetike. Këto intensifikohen në fillim të mijëvjeçarit të parë të erës sonë, njëkohësisht me rënien dhe më pas zhdukjen e kulturave skithe në stepënn qendrore. Në këtë rast, fluksi i ri euro-aziatik lindor është i lidhur në mënyrë të besueshme me përhapjen e perandorive nomade të stepës lindore në shekujt e parë të erës sonë, të tilla si konfederata Xiongnu dhe Xianbei, si dhe flukse të vogla nga burimet iraniane që mund të lidhen me zgjerimin e qytetërimit që lidhet me Persinë, nga pjesa jugore.

Megjithatë, shumë prej pyetjeve që lidhen me skithët nuk mund t’u jepet përgjigje vetëm me ADN-në antike. Por ky studim demonstron se sa kanë ndryshuar dhe si janë përzier popullatat e Euroazisë me kalimin e kohës. Studime të tjera në të ardhmen duhet të vazhdojnë të eksplorojnë dinamikën e këtyre lidhjeve trans-euroaziatike duke mbuluar periudha të ndryshme dhe rajone gjeografike, që zbulojnë historinë e lidhjeve midis Euroazisë perëndimore, qendrore dhe lindore në të kaluarën e largët dhe trashëgiminë e tyre gjenetike në popullatat e sotme euroaziatike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.