Pazari i madh për të Majtën

Postuar në 19 Mars, 2021 23:58
Shaptilografisti

 

Populli i majtë është njohur sot me një lajm shumë të hidhur që zbardh një nga skemat më diabolike të politikës së këtyre viteve. Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një mesazh të brendshëm nga kompania mediatike Top-Channel, sipas të cilit aktualisht kjo media është dhënë me qira vjetore 2 milionë dollarë ndaj drejtorit të Përgjithshëm të saj, Ben Blushi. Ky lajm i shtohet shqetësimit të të majtëve të vërtetë për situatën e krijuar, shqetësim i shprehur me qindra letra për redaksinë e “Të Kripura”, por të cilat nuk i kemi publikuar për të mos destabilizuar klimën politike. Por tani e vërteta doli cullak.

Lajmi në vetvete është tronditës sepse konfirmon dyshimin e madh që u krijua sapo z. Blushi deklaroi tërheqjen nga politika dhe rikthimin në media. Rruga për të u hap me largimin e Sokol Ballës nga drejtimi i TCH, një peshë e vogël ky për llojin e pazarit që duket se është bërë.

Zoti Blushi ishte një nga zërat kundërshtarë të Edi Ramës në PS. Ai deri diku rezononte me një ndjenjë të tillë dhe kërkesë për alternativë në atë parti, aq sa e shqetësoi realisht Ramën që shmangu madje kërkesën për fraksione dhe zgjedhje në parti. Blushi zgjodhi largimin dhe krijimin e një partie të re, Libra e cila u prezantua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 duke bërë një paraqitje të mirë. Ishte e qartë se imitimi i modelit Tsipras, karakteri elitar dhe intelektual i Libra-s përmes Blushit bashkuar me retorikën hipersociale, ishin një mishelë e rrezikshme për PS-në. Por jo vetëm, për mbarë sistemin politik shqiptar që e ka mbyllur derën për këtë lloj ligjërimi.

Në këtë kuadër spostimi i Blushit nga politika ishte kërkesë gati ultimative e të gjithë spektrit tradicional politik, për shkak të karakterit transgresiv të ligjërimit të Blushit që kishte shkelur në një rrugë që lihet qëllimisht në periferi të diskutimit politik.

E vetmja dalje pa siklet dhe neutralizuese për këtë situatë ishte deheroizimi i personit që po shfaqej si tribun. Një dalje me dorëheqje, me largim pa burrëri, një ikje pa kthim, një tradhëti në mes të rrugës. Në këmbim një nga mediat kryesore në dorë për të luajtur ndikimin që nuk po e arrinte dot në politikë.

Blushi kërcënonte ndër të tjera edhe diçka tjetër: skemën e trashëgimisë politike që e shohim të materializohet para syve tanë. Me Lulzim Bashën së pari dhe tani me Erion Veliajn që po paguan ta përflasin si trashëgimtar të Ramës. Sido që të shkonte situata, Blushi dhe brezi i tij nuk mund të jenë trashëgimtarë të z. Rama, çka vë në krizë një ndër mekanizmat më malinj të sistemit politik shqiptar.

Ndaj lajmi i sotshëm na konfirmon se pazari i shitjes së Libra-s për blerjen e një medieje është Top-Pazari i këtyre viteve. Duke riskematizuar një politikë që e ka të pamundur të pranojë edhe reformën më bazike: zgjedhjet e lira brenda vetes. Të cilat i shpall si parim, i mbron me forcë, por i lë në sirtar.
A eci Beni vetë? Mund të pyesë dikush? Patjetër që po. Këtu problemi është te rruga që mori dhe si e shpërdoroi fatin e vet të pamerituar, një herë të vetme kur iu shfaq në derë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.