SHBA, BE dhe AstraZeneca në mes

Postuar në 13 Mars, 2021 12:42

Uashingtoni ka refuzuar një kërkesë të kompanisë farmaceutike AstraZeneca për t’i dhënë BE-së një pjesë të rezervave të vaksinës në SHBA - që nuk mund të përdoren ende atje. Kërkesa vjen në një kohë kur në Bashkimin Europian, AstraZeneca nuk po arrin të përmbushë objektivat e furnizimit me vaksinë.

Ky refuzim, sipas “New York Times”, e cila u referohet burimeve anonime në administratën e Biden, tregon se si rivaliteti mbi furnizimet mjekësore mund të dalë përkundër aleancave jetëgjata - madje edhe ato si partneriteti trans-Atlantik.

BE po përballet me mungesë të vaksinave kundër Covid-19 dhe ka kërcënuar se do të vendosë kontrolle eksporti në përgjigje të kësaj. Një dërgesë prej 250 000 dozash nga Italia në Australi u ndalua në Romë pak ditë më parë.

Ndërkohë, ka dhjetëra miliona doza të vaksinës AstraZeneca në gjendje, por ato nuk do të shpërndahen për javë të tëra. Administrata Federale e Barnave (FDA) ende nuk ka marrë një kërkesë për miratim për përdorim urgjent të produktit, në pritje të rezultateve të një prove klinike që po kryhet aktualisht nga kompania britanike-suedeze. Rregullatorët në rreth 70 vende e kanë miratuar vaksinën AstraZeneca, megjithatë, dhe mund të përdorin furnizime shtesë, nëse SHBA-ja i bën të disponueshme rezervat e saj.

Sipas NYT, janë rreth 30 milionë doza të vaksinës të ruajtura në strukturën e AstraZeneca në West Chester, Ohio. Dhjetëra miliona të tjera do të jenë në dispozicion sapo një kompani në Maryland, e quajtur Emergent BioSolutions, të mbushë shishet me ilaçin e prodhuar dhe t'i paketojë ato. Në total, SHBA ka porositur 300 milionë doza të vaksinës AstraZeneca.

Nevoja që SHBA ka për produktin mbetet në pikëpyetje, megjithëse miratimi i FDA nuk pritet për javë të tëra - dhe alternativa nga Moderna, Pfizer dhe Johnson & Johnson po prodhohen gjithnjë e më shumë në vend.

Udhërrëfyesi i prodhimit të SHBA kërkon një objektiv prej më shumë se një miliard doza deri në fund të vitit, shumica e tyre deri në verë. Ky numër është më se i mjaftueshëm për të vaksinuar tërë popullatën.

"Uashingtoni mund të ketë nevojë vetëm për pak kohë, ose kurrë, për doza AstraZeneca nëse ato përdoren për përdorim urgjent", shkruan “Times”. Rezervat kanë edhe një datë skadimi - vaksina mund të ruhet deri në gjashtë muaj, sipas rekomandimeve të prodhuesit.

Biden u zotua këtë javë t’ua ofrojë çdo tepricë vaksinash kundër Covid-19 vendeve të tjera, por vetëm pasi të plotësohen nevojat e amerikanëve. SHBA financoi pjesërisht zhvillimin e vaksinës AstraZeneca dhe e prodhoi atë në zbatim të Aktit të Prodhimit të Mbrojtjes, që do të thotë se presidenti do të duhet të miratojë dërgesat në kombet e tjera. Një veprim i tillë do të vinte me një kosto politike për Biden, nëse ai do ta bënte këtë në një kohë kur popullsia amerikane ende nuk është imunizuar plotësisht.

Lajmi vjen ndërsa AstraZeneca dhe zyrtarët e BE përpiqen të bindin njerëzit se vaksina është e sigurt, pavarësisht raportimeve të fundit për mpiksje potencialisht fatale të gjakut. Disa shtete anëtare kanë pezulluar shpërndarjen e vaksinës, në pritje të një informacioni më të plotë mbi efektet e mundshme anësore, që po hetohen nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), rregullatori i barnave të BE-së.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.