Lista e zezë e Pekinit, 28 zyrtarëve të administratës Trump u ndalohet hyrja në Kinë

Postuar në 20 Janar, 2021 21:34

Një listë e re sanksionesh që përfshin shumë anëtarë të administratës së Trump u bë publike nga Ministria e Jashtme kineze, ndërkohë që Joe Biden betohej si president i ri i SHBA-ve. Në listë janë emrat e 28 politikanëve amerikanë që Kina i quan “anti-kinezë" dhe që Pekini i akuzon për kryerjen e një "serie lëvizjesh të çmendura" që minuan rëndë interesat e Kinës dhe marrëdhëniet kino-amerikane, ofenduan popullin kinez dhe ndërhynë në punët e brendshme të vendit.

Në listë ka emra që nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, dhe pasardhësi i tij, Robert O'Brien, ish-Shefi i Strategjisë së Shtëpisë së Bardhë, Stephen Bannon dhe drejtori i Zyrës së Tregtisë dhe Politikave të Prodhimit, Peter Navarro.

Në listën e sanksioneve janë edhe zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Matthew Pottinger, nënsekretari për Azinë Lindore dhe Paqësorin, David Stilwell, sekretarit i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Alex Azar, dhe të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Kelly Craft.

Ministria e Jashtme kineze shprehet se të gjithë politikanët amerikanë morën pjesë në zbatimin e politikave që Trump ka vendosur ndaj Kinës dhe kanë vepruar pa marrë parasysh interesat e popullit kinez dhe amerikan, ndërsa ndoqën "interesat e tyre egoiste politike dhe paragjykimet dhe urrejtjen" kundër Pekinit.

Autoritetet kineze i kanë ndaluar kështu hyrjen në Kinë 28 shtetasve amerikanë dhe familjarëve të të tyre, duke përfshirë Hong Kongun dhe Rajonin Administrativ Special të Makaos.

Kabineti i ish-presidentit republikan nisi një luftë të kushtueshme tregtare me Pekinin në 2018, pasi nuk u arrit marrëveshja e synuar tregtare, e cila mbeti në fazën 1.

Uashingtoni gjithashtu goditi gjigantët e teknologjisë kineze, veçanërisht Huawei, gjatë pjesës më të madhe të mandatit të Trump, duke u hequr atyre aksesin në tregun amerikan dhe disa teknologji amerikane.

Megjithatë, disa nga zyrtarët e nominuar nga presidenti Joe Biden kanë treguar se nuk po planifikojnë të lehtësojnë presionin mbi disa nga çështjet e ngritura nga administrata Trump.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.