Zëdhënësi i Beti Njumës dhe Ylli Ndroqit

Postuar në 18 Gusht, 2020 13:13

Personi që zyrtarisht kryen detyrën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka dalë sot me një propozim: të krijohet një media e re, e pavarur. Shkas për këtë është bërë situata e fundit që sipas Metës është shqetësuese.

Dua sot të shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik.

Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.

Asgjë nuk e ndal Ndryshimin!

Madje koha e Ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh.

Tani ka ardhur Kohë tjetër!

Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti.

Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve!

Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e Tij.

Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment.

Çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner!

Dhe Bordi Drejtues do jetë i përbërë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi

shkruan Presidenti në Facebook në një status që e shoqëron me një shkrim të gazetës “Koha Jonë”. 

Duket se z. Meta nuk është mirë. Ka një problem serioz i cili duhet zgjidhur. Ai do të thotë diçka me vlerë, por nuk qullos gjë dhe shkruan keq. Shumë keq. Kjo ka të bëjë me Presidentin e Republikës, jo personin privat.

Pasi siç mund të shohim qartë zotëria po mbështet pronarin e një medieje gjoja duke u solidarizuar me një gazetare që quhet Beti Njuma. Për ata që e njohin median është e kuptueshme se mesazhet e përcjella në media nga pronari i medias në fjalë, janë asgjë më shumë kuota të rritura të saj ndaj pushtetarit Erion Veliaj që qurravitet për tituj dhe biseda në studio. Sepse thuajse të gjithë e dinë se çfarë është presioni i pushtetit dhe çfarë shantazhi medatik.

Ne nuk po lexojmë gjëkundi qëndrimin e zonjës Njuma, që në statusin e Presidentit, apo sms-të e shitura lart e poshtë nga Ylli Ndroqi, figuron si gazetarja që gozhdoi dhe bëri me dhimbje koke karagjozin e Bashkisë së Tiranës. Ndoshta Presidenti i Republikës ka zgjedhur të bëjë zëdhënësin e zonjës Njuma, mirëpo kjo kompromenton figurën e shquar të kryetarit të shtetit që reduktohet këtu në përmasat mëse ordinere të njeriut Ilir Meta. Shqipëria, edhe kështu rreckë siç është, nuk e meriton këtë. Ndaj më mirë të themi se jemi Republikë pa President. Është më e ndershme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.