Rrëzohet në parim projektligji për ish-funksionarët e para viteve ’90

Postuar në 27 Maj, 2020 17:04

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të komisionit, Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi projektligjin “Për përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe të punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve, nëpunësve që kanë ushtruar detyra drejtuese në periudhën 28.11.1944 – 08.12.1990”.

Projektligji nismë e 21 deputetëve të opozitës parlamentare, u prezantua nga Myslym Murrizi, i cili u bëri të ditur deputetëve të komisionit arsyet e sjelljes së kësaj nisme ligjore në Kuvend. Sipas tij, ka ardhur koha që pas 30 vitesh postkomunizëm, nisur edhe nga dy kërkesa të njëpasnjëshme të Këshillit të Europës për dënimet ndërkombëtare të krimeve të regjimeve totalitare  komuniste, në Shqipëri të ketë një ligj që e ndan përfundimisht nga e kaluara komuniste. Më tej, Murrizi nënvizoi se shqiptarët meritojnë që në organet e reja të drejtësisë, të ngritura në zbatim të Reformës në Drejtësi, të mos ketë ish-hetues, ish-prokurorë apo ish-gjykatës të kohës së komunizmit.

Deputeti Alket Hyseni gjatë relatimit të tij argumentoi se nismëtarët nuk kanë përcaktuar në relacion nevojën dhe shkaqet e shtuara nga ato të paraqitura në vitin 2008, (ligj që është shfuqizuar); ndërkohë që projektligji nuk parashikon një mekanizëm të përshtatshëm që përcakton fajin individual; përjashton nga zgjedhja në kundërshtim të hapur me standardet ndërkombëtare sipas të cilave lustracioni nuk duhet zbatuar në funksionet e zgjedhshme, përveçse kur kërkohet nga kandidatët; nuk përcaktohet një afat kohor lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit dhe së fundi, kufizon të drejtën e punës dhe të drejtën e aksesit në shërbime publike.

Për të gjitha argumentet e mësipërme, Hyseni kërkoi mosmiratimin në parim të projektligjit dhe ftoi deputetët e komisionit të votojnë kundër tij në parim.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni rrëzoi në parim projektligjin në fjalë dhe vendimi do t’i përcillet seancës plenare.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Si kofini pas te vjelit, thote fjala e urte. Kot me kot.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Fjala tjetet e urte thote " me mire vone se kurre". Megjithate edhe kjo perpjekje deshmoi se ujku qimen e nderron por zakonin nuk e harron. Si mund te pranonin ish nomenklaturat e PPSH-se te hiqnin dore nga qypi me mjalte i i politikes

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.