Teatri Kombëtar/Show apo lapsus i Presidentit me ankesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese?

Postuar në 17 Maj, 2020 20:32

 

Në një tentativë për të “mbrojtur” Teatrin Kombëtar nga prishja, Presidenti i Republikës në një dalje për mediat ka komunikuar se ka kundërshuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën (nr.1565 prot., datë 14.5.2020) nëpërmjet së cilës kërkon shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.377, datë 8.5.2020 “Për kalimin në pronësi të të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/124, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale nr.8150, Tiranë”.

 

Këtë veprim Presidenti i Republikës e ka paraqitur si përpjekjen e tij për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe kombëtare që përfaqëson godina e Teatrit Kombëtar. Madje edhe vetë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kërkoi që të pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese para se të procedohej me fatin e kësaj godine.  Por një analizë e kësaj kërkese, të bën të mendosh nëse ky veprim ka pasur si qëllim mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, apo është thjesht një show për të thënë që: unë u përpoqa, por fajin e ka reforma në drejtësi.

Fillimisht, Presidenti i Republikës ka cuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila funksionon vetëm në mënyrë të pjesshme. Ajo mund të shprehet për seleksionimin e kerkesave, por mungesa e numrit të nevojshëm të gjyqtarëve tregon që kjo Gjykatë nuk mund t’i shqyrtojë çështjet në përmbajtjen e tyre, pra në themel.

 

Por edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte plotësisht funksionale, përsëri kjo cështje nuk mund të shqyrtohej prej saj. Sipas neniet 131, pika 1, gërma “c” e Kushtetutës parashikon që ky institucion gjykon vetëm aktet normative nënligjore (ato më natyrë të përgjithshme). Nga përmbajtja e VKM nr.377/2020, rezulton se ajo rregullon një çështje konkrete (kalimi i pronësisë mbi Teatrin Kombëtar), i drejtohet subjekteve të caktuara (Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës), si edhe vlen vetëm për këtë rast (me këtë VKM nuk rregullohet pronësia mbi prona të tjera shtetërore).

 

Përpjekja e Presidentit që nisur nga rendësia e objektit, VKM nr.377/2020 duhet të konsiderohet një akt nënligjor normativ është në rastin më të mirë, një përpjekje e dëshpëruar. Natyra e një akti nuk varet nga rëndësia e objektit por nga marrëdhënia juridike që krijon.

 

Por pavarësiht këtij arsyetimi, nëse Presidenti beson realisht se ndodhej përpara një akti nënligjor normativ dhe donte realisht të mbronte Teatrin Kombëtar, atëherë kishte mundësi që të ankohej në Gjykatën Administrative të Apelit. Ky institucion në bazë të nenit 10, pika 2, gërma “b”, të ligjit nr.49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, shqyrton dhe ka të drejtë të shfuqizojë aktet normative nënligjore. Madje në këtë rast, për shpejtësi mund të kërkohej edhe pezullimi i zbatimit të kësaj VKM-je (nenet 28 dhe 29 të ligjit nr.49/2012). Te dyja këto kërkesa, mundeshin që të shqyrtoheshin nga Gjykata Administrative e Apeli, e cila ndryshe nga Gjykata Kushtetuese është plotësisht funksionale. Madje kjo gjykatë, pavarësisht procesit të vetting-ut, ka treguar se është plotësisht e pavarur nga qeveria. Kështu mund të përmendimin shfuqizimin e dy akteve normative nënligjore të qeverisë, në vitin 2019 (Vendimi nr.111, datë 6.5.2019, botuar në Fletoren Zyrtare nr.103 të vitit 2019 dhe Vendimi nr.191, datë 15.7.2019, botuar në Fletoren Zyrtare nr.117, të vitit 2019).

 

Por arsyeja se përse Presidenti nuk u ankua në këtë gjykatë, është se ky “gabim” i tij në vlerësimin e VKM-së nr.377/2020, do të vihej menjëherë në dukje. Kështu, në një rast të ngjashëm Gjykata Administrative e Apelit, vendosi që nuk ka kompetencën për të vlerësuar Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.510, datë 17.7.2019 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3292 (Kopshti Botanik)”, pasi ndodheshim përballë një akti administrativ individual dhe kompetente ishte Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, (vendimi i datës 14.11.2019)

 

Të dyja raste kanë ngjashmëri të dukshme, pasi jemi përpara vendimeve të qeverisë që kalojnë pronësinë apo administrimin e pasurive shtetërore (publike), akte këto të cilat për shkak të marrëdheniës juridike që krijojnë (pronësinë mbi një send të caktuar), janë akte administrative individuale.

 

Ndoshta kjo situatë ka bërë që Presidentit t’i drejtohej vetëm Gjykatës Kushtetuese, e cila duke mos pasur mundësi të shprehet (për shkak të situatës ku ndodhet), mbulon “gabimin” e Presidentit, në lidhje me natyrën e aktit.

 

Në fakt nëse do të kishte pasur ndonje qëllim real për të kundërshtuar kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar, padia duhej të ishte paraqitur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, dhe si hap i parë të kërkohej pezullimi i zbatimit të këtij akti administrativ. Të paktën kështu do ishte përfshirë edhe gjykata në mbrojtjen e një objekti kulture, pavarësisht ca do kishte vendosur në fund. Të paktën aktorët e ndryshëm mund të justifikoheshin që përdorën të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.

 

Nga sa më sipër, mbetet për t’u sqaruar nëse ankesa e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga Presidenti (dhe stafi i tij që pretendon njohuri të thella në këtë fushë), ishte një “gabim” apo një “qëllim”…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.