Gjen të korruptuarin, por jo oligarkun

Postuar në 09 Maj, 2020 16:14

Lulzim Basha është pyetur sot gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët për situatën e krijuar në Lungomaren e Vlorës, ku po protestohet për një karburant. Zoti Basha teksa ka deklaruar se në protestë kanë qenë përfaqësues të PD-së, diçka që nuk provohet dot, shtoi se:

Është rast tipik i Edi Ramës që tjetër thotë dhe tjetër gjë bën. Aty ku interesat e tij…përdor standard të reja.

Qëndrimi im personal dhe i PD-së është qartazi kundër këtij akti korruptiv

Zotëria që dikur, në antikitetin e karrierës së tij opozitare propozoi edhe një paketë kundër oligarkëve, sot ka zgjedhur të mos e përmendë emrin e oligarkut që ndërton karburantin në Vlorë dhe të cilin e mbron me polici. Zoti Basha ka gjetur emrin e të korruptuarit, kryeministrit Edi Rama, që për shkak të pozitës publike, është i akuzuari perfekt, por shmang emrin e Shefqet Kastratit.

Nuk dihet për cilat arsye ndodh kjo, ndoshta kemi të bëjmë me një kalim gjuhësor të shkujdesur, por duhet të kujtojmë se p.sh Vilma Nushi është një oligarke të cilës nuk i harrohet asnjëherë emri në konferencat e PD-së. Ndërkohë që Samir Mane është i paprekshëm, në kuptimin që emri i tij nuk lakohet asjëherë. Kundër projekteve të Kastratit PD-ja organizoi edhe një protestë, por ajo u tret si kripa në ujë. Ndaj pyetja është se përse z. Basha nuk e përmend oligarkun Kastrati, por u bën thirrje vlonjatëve të hapin sytë?

Ku i dihet, por të na lejohet të spekullojmë,  pafajësisht kuptohet.

Skema mund të jetë e tillë: kryeministri e bën qokën nga ana e tij, e jep projektin, e firmos për arsye të progresit kuptohet. Plas debati, apo skandali. Kryeministri i kërkon përfituesit ta zgjidhë këtë punë. Sesi e qysh, nuk i intereson, mjafton që të mos ketë ai kosto në imazh. Mënyrat, ligjore apo jo, as i interesojnë fare. Oligarku vihet në veprim dhe lobon te zhurmuesit. Që siç ndodh shpesh nisin dhe qepin gojën.

Tani si shpjegohet ky proces gati magjik? Ndoshta z. Basha me të vetët duhet të kenë ndonjë përgjigje dhe nëse jo, duhet ta zbulojnë, sepse teorikisht kanë interes të mobilizojnë popullin kundër padrejtësive, jo ta ftohin atë. Nëse nuk kuptojnë, ky është mëkat i madh, sepse naiviteti dhe budallallëku në politikë janë gabime që nuk falin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.