Nëse edhe kësaj radhe nuk bien çmimet e ndërtimit, kjo provon se nuk jemi ekonomi e tregut të Iirë

Postuar në 03 Maj, 2020 17:18

Revista “Monitor” publikon sot një vëzhgim mbi situatën e sektorit të ndërtimit në Shqipëri dhe pasojat e mundshme të pandemisë mbi të. Sipas këtij vëzhgimi goditja është e pashmangshme dhe do të reflektohet në kërkesë, të patën 4-8 muaj pas pandemisë. 

Efektet e krizës duan edhe pak kohë që të ndihen dhe publiku i gjerë kërkon më shumë kohë për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe të përditësojë qëndrimin. Efektet e karantinës nuk do të ndihen menjëherë pas saj, por do të ndihen pas 4,6 apo 8 muajsh kur shtrëngohet nevoja e pronarit për të shitur. Nuk mendoj se çmimet do të rriten në këtë psikologji të përgjithshme krize dhe frike. Këtë vit, çmimet do të korrektohen, pra do të ulen. Ekonomia u godit nga tërmeti, por nga ana tjetër edhe pandemia e koronavirusit po shkakton shumë pasiguri për të ardhmen dhe sipas logjikës ekonomike, kjo do të sjellë rënie të çmimeve.

Në rast se pas kësaj situate, çmimet nuk do të bien, atëherë kjo tregon qartazi që ekonomia jonë nuk është një ekonomi e tregut të lirë. Për shkak të pandemisë mund të ndodhë edhe fenomeni tjetër që transaksionet të bien më shumë nga sa kanë rënë aktualisht apo do të ketë një stanjacion, ku as nuk do të shitet, as nuk do të blihet. Nëse këto nuk ndodhin, do të kemi të bëjmë me shtim të parasë informale

citon revista Juliana Nela, një person i angazhuar me transakaionet e pronës në treg. 

Një tjetër arsye që e bën logjike rënien e çmimeve është ajo që cilësohet mbingipje e tregut me ndërtime, të cilat edhe sot që flasim nuk po ndalin, sidomos në zonat më të kërkuara të Tiranës ku çmimet shkojnë deri në 2500 euro/m2. 

Prej kohësh tregu është i mbingopur apo në mbiprodhim, por kësaj situate i është përgjigjur një kërkesë. Mendoj se janë elementet ekstra të tregut, si ata që kishin likuiditete që donin t’i ngurtësonin, jo tregu normal i konsumatorëve që e mbulon këtë kërkesë

deklaron një tjetër aktor në treg, Ylli Sula. 

Është e qartë se tregu i ndërtimit nuk po i bindet prej kohësh logjikës normale kërkesë/ofertë, por po ilustron investimin e parave informale. Ajo që të vjen ndërmend natyrshëm në këtë lloj sjelljeje atipike është ndikimi që mund të ketë në këtë sektor amnistia e re fiskale. 

Pra nëse legalizohen paratë e padeklaruara të shumëkujt, është e qartë se një pjesë e tyre do të kalonin drejt blerjeve në ndërtim, duke mbajtur në këmbë një ofertë që nuk ka lidhje me ekonominë reale, por me pastrimin ligjor të parave të pista dhe legalizmin kriminal të evazionit të kryer në gjithë këto vite. 

Ky do të jetë fundi i logjikës së shtetit pasi falja e këtyre krimeve penale po bëhet në funksion të një sektori ku ka investim të qartë politik dhe interesa që nuk janë zbuluar ende. 

Këtu ecuria shkon kundër çdo arsyetimi normal edhe për një arsye tjetër. Revista shkruan se nëse bankat do të japin kredi për shtëpi në masën 100%, mendohet se do të çlirohen 700 milionë euro kapital për 22 mijë familje që janë me qira. Aktualisht bankat garantojnë vetëm 80% të vlerës, duke bllokuar kështu shumë familje të investojnë. Pyetja që lind është se përse qeveria nuk nxit kreditimin në këtë drejtim, apo të lobojë që kjo situatë të zgjidhet, por rend në dhënie lejesh dhe në amnisti?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.