Ustai i gallatës

Postuar në 27 Mars, 2020 23:40
Shaptilografisti

 

Të marrësh seriozisht Shqipërinë duket një nga sipërmarrjet më të vështira. Ndoshta këtë e kanë kuptuar edhe këta që qeverisin në këtë vend, të cilin në fakt e e leqendisin. Përvoja jonë me pandeminë nuk ka nevojë për mësues. As modele. Sepse ajo është e njëkohshme me të gjitha vendet që u kapën në befasi, aq sa sot dëgjojmë lajme që mund të dukeshin dje të pabesueshme si p.sh SHBA nuk ka maska. Apo nuk ka kite testimi etj.

Megjithatë, ne e dimë shumë mirë se këto vendet rreth nesh, apo edhe vendet e mëdha do ja dalin. Do ta thyejnë këtë mangësi për të ecur përpara. Është struktura e tyre që e dikton këtë, përmasa e ekonomive që e rregullon dhe fakti se ekspozimi i tanishëm që përcaktoi këtë lloj krize, ka shumë gjasë të detyrojë shumëkënd të rishikojë buxhetet dhe politikat për shëndetin publik.

Po në Shqipëri do të kemi ndonjë ndryshim? Siç mund ta shohim, JO. Ne po fitojmë një vetëdije të re si brez, se kriza asgjësuese mund të vijë dhe të bëhet reale, jeta jonë të përmbyset menjëherë dhe horizontet të mbyllen. Ndoshta në planin personal do na bëjë të rishikojmë shumëçka, të kemi tjetër qasje ndaj gjërave. Kjo është e sigurtë sepse është të themi refleks i kushtëzuar. Këtu Jo-ja ka të bëjë me përgjigjen si shoqëri.

Ne kemi pak ditë në karantinë, e cila ka funksionuar dhe jemi dëshmitarë të asaj që po ndodh para syve tanë për kushedi të satën herë. Ky është zëvendësimi i hierarkisë së ngjarjeve me ndihmën e mediave. Koronavirusi e nxori zotin Rama nga historia e lajle luleve dhe autoventilimit me suksese imagjinare. Për një dy ditë, paniku e detyroi zotin Rama të ndryshojë çehre, të ndërrojë regjistër të foluri, të lutet e të bëjë deklarata çurçilliane por me ofertën karakteristike: Unë nuk kam seç t'iu ofroj veç lutjen time që të rrini në shtëpi. Sigurisht nuk e vazhdoi më tej, edhe sepse askush nuk pyeti për ndonjë gjë.

Dita ditës ne po shohim se nga shifrat e të prekurve, të shtruarve, nga ankthi po vendosemi para një seriali të njohur. Njoftimet dhe lajmet nisin që në mëngjes me Edin që ka dalë nga Surreli. Një herë me ministren për të premtuar spitale, pastaj në videokonferenca, më tej duke kërcënuar ata që thyejnë karantinë, pak më tej lavde policisë. Në mbrëmje lidhje direkte, hoqi dorë nga muhabetet e sms-ve, pa folur për Edicionin Informativ në Facebook.

Dikush arriti deri aty sa bënte thirrje që “ta mbështesim Edi Ramën”. Ndoshta i bindur edhe vetë se po thoshte budallallëqe na ngushëllonte se edhe ai vetë është kundër Edit. Por sot e kërkon situata që ta mbështesim.
 

Për çfarë ta mbështesim ne Edin? Ne po zbatojmë ligjin dhe urdhëresat. Ne po i përgjigjemi po aq sa kushdo tjetër në Europë një rregulli të ri. Nëse me mbështetje na kërkohet të mbyllim gojën apo edhe mediat siç sugjeronte dikush tjetër, apo të falim të drejtat tona, kjo pastaj është tepër. Dhe dëshmon për fatkeqësinë e mentalitetit tonë që e sheh qeverinë si strehën e fundit të lirisë së vet.

Është ky lloj leximi, që mandej nis e bëhet kor në mediat shqiptare, që i jep mesazhin z. Rama se shoku fillestar ka kaluar.  Se asgjë e papritur nuk mund të ndodhë. Gjërat janë stabilizuar në normalitetin apatik të shoqërisë shqiptare dhe është koha për ndryshim roli. Nga fytyra e përvuajtur e atij që për nja 48 orë ka lejuar për shkak të frikës që të gjithë ta shohin për atë që është: një i zakonshëm, një i rëndomtë, që nuk ka përgjigje për atë që nuk mund të përgjigjesh, kalon në kaposhin e kotecit me emrin Shqipëri.

Nis pastaj parada që e njohim të gjithë. Shfaqje pafund dhe kudo e për çdo gjë. Është e vërtetë që qeveria dhe kryeministri duhet të pasqyrojnë komunikimin dhe veprimtarinë e tyre, por kjo nuk ka lidhje me menaxhimin e humorit të shoqërisë duke e manipuluar atë me lojën psikologjike të talljes me veten dhe të tjerët. Sot kryeministri lejoi të shpërndahej një video ku dikush i thoshte se po bënte fitnes. Në një vend normal kjo nuk do lejohej të përcillej në media. Por z. Rama e ka kuptuar se përdorimi i batutave, ironive, thumbave dhe klima e gallatës ka efekt magjik debilizues ndaj çdo reagimi.

E mbani mend në periudhën pas tërmetit: në fillim inskenimi me xhupin kuqezi në “krater”, në sfond një godinë e rrënuar, intervista natën duke punuar. E gjitha vetëm për një synim tinzar:  nëse kamerat dhe aparatet do të filmojnë apo fotografojnë vetëm dëmet dhe njerëzit e trembur, atëherë Lajmi është tërmeti. Por nëse kryeministri është aty, ato me gjasë do fokusojnë Atë. Po çfarë të thotë ai në këto kushte? Asgjë. Kurajo, kurajo. Kalojnë 24 orë, pastaj 48, 72 dhe nis pyetja: çfarë do bëhet? Shpallet një plan, nisin fotot, videot, trupa e policisë dhe zjarrfikësve që vrapojnë, ministrja këtu me një xhup, ministri me xhinse dhe atlete. Të firmave të mira kuptohet. Dhe pjesa tjetër i takon ustait të gallatës që prezanton Hahahanë qeveritaro-mediatike.

Pse nuk po bëhet gjë? Dëgjoni vetë se çfarë thonë njerëzit. Nisin e dalin në media lloj - lloj hajvanësh që çfarë nuk thonë, xhanëm mund të jenë edhe hallexhinj që pikasen qëllimisht nga kamera e fshehtë e qeverisë me idenë e qartë se: shiko me çfarë ka të bëjë Kryeministri! Heroi i kësaj drame. Lufta këtu është me çmontimin e vëmendjes dhe zhvendosjen e saj, për të moslejuar që paniku të bashkohet me pakënaqësinë dhe mosbesimin për të krijuar mishelën e rrezikshme të reagimit.

Kjo po na ndodh sërish. Kemi për të parë në mediat e grazhdit të buxhetit shumë budallenj që i bien në qafë kryeministrit që po i jep një të shtyrë Co Vid -19 nga skena e historisë, për t’u ngjitur vetë përmes tematikës së thjeshtë dhe banale: një ngjarje, një hero dhe ca budallenj të mjerë. A nuk ngjan kjo një gjetje e goditur? Fundja ka ndodhur gjë tjetër përtej këtyre protagonistëve? Kush e ka arritur në histori që tragjedinë, dramën, apo rrënimin ta shndërrojë në argëtim popullor? Askush. Psika jonë ja doli. Rama është vetëm virtuzoi i kësaj qemaneje që argalis të madh e të vogël.

Ndaj duke besuar se jo të gjithë bëjmë pjesë në këtë kategori me të cilët z. Rama luan dhe tallet, do të duhet të besojmë sesi të bëjmë hall në një vend që nuk ka as qeverisje, por vetëm deklarata. Ai është në të drejtën e vet të bëjë fushatë elektorale edhe me viktima apo të shëruar, të vetëshpallet çdo gjë, pasi në një mjedis politik ku hipokrizia dhe shtirja tolerohen kaq shumë, është thuajse e sigurtë se çdo rol do shikohet si statistikë dhe pse jo: e drejtë themelore e njeriut

Ata që shpresojnë ende se dikush do të marrë seriozisht rolin e kryeministrit edhe për ta dhe shoqërinë, bëjnë mirë të nisin e të gjejnë përgjigje për pyetjen: Çfarë do bëjmë?

Comments

Submitted by arqile (not verified) on

Ky eshte ustai i degjeneruar ,rugac, spiun , tradhetar ,lamash ,pisanjos,alabak .

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.