Një njeri, një politikë e jashtme

Postuar në 26 Shkurt, 2020 10:14

Gazeta e Kosovës “Koha Ditore” shkruan sot për një çarje në politikën e jashtme të vendit. Ajo referon një letër të kryeministrit Albin Kurt, drejtuar presidentit Hashim Thaçi përmes së cilës i kërkon koordinim në çështjet e politikës së jashtme. Presidenti nuk ka kthyer përgjigje edhe pas tri javësh duke bërë të qartë se në këtë temë ai nuk ka ndërmend të kushtëzohet nga qeveria. 

Gazeta vë në dukje incidentin e krijuar me marrëveshjet për hekurudhën të cilat u ndërmjetësuan nga i Dërguari Special i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell të cilat u hodhën poshtë nga qeveria e z. Kurti. 

Konflikti në fjalë paralelizon me situatën në Shqipëri ku mes presidentit dhe kryeministrit ka një duel të vazhdueshëm në politikën e jashtme. Protagonizëm dhe investim personal për imazh dhe kapital politik në aktorë të huaj. Kjo është politika e jashtme e shqiptarëve që janë në garë për t’u shitur më parë se kundërshtari. 

Thaçi po luan me kartën se ai është njeriu i amerikanëve në Kosovë, ndërkohë që Kurti i drejtohet Europës. Në Tiranë, Edi Rama u shkel syrin të gjithëve duke lobuar më shumë në ShBA, vend që mbështet çdo paudhësi në Shqipëri. Presidenti është duke kërkuar mbështetje ku të mundet me shpresë se nuk do të jetë ai viktima e një reforme në drejtësi që i ngjan një drejtësie popullore. 

Kjo politikë konsullore që zhvillohet në Shqipëri dhe mes shqiptarësh ka rrënjë të hershme. “Jam me italianët sepse austriakët janë me filanin”, citohet në një libër kujtimesh nga periudha e pavarësisë. Duke provuar se shteti në këto anë është një eksperiment më shumë sesa një marrëveshje shqiptarësh.

Në 108 vjet nuk u arrit që qytetarët të ndihen në shtëpi të tyre në këtë vend, pasi përndryshe fjala e të huajve që kalojnë këtej nuk do të koshte këtë mbivlerësim. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.