Të na mësojë dikush si festohet Viti i Ri...

Postuar në 01 Janar, 2020 16:44
Shaptilografisti

 

Erdhi Viti i Ri. Na është bërë hall. Nuk dihet se çfarë, por ndoshta forca e zakonit, të imponon regjimin festiv të ndërrimit të viteve sipasa ritualeve të një kohe që nuk ekziston më. Të një kohe ku darka familjare, tryeza, gatimet, punët e shtëpisë ishin pjesë e pandarë e atmosferës. Pa folur për kapuçët e stisur me karton, xhamat e stolisur me urime pambuku të ngjitura me vinovil apo pështymë dhe ndonjë tullumbace si dhuratë magjike. E fryj, e shfryj, e kuqe, e verdhë, jeshile. Me aromën karakteristike të llastikut.

Ej kujdes se mos e çan. E lije në bufe.

Pastaj muhabeti për bakllavanë, hyr e dil me komshijtë. Si ka dalë e si u bë. Kadaifi ishte pak më i fisëm.

Mezi e prisje. Uleshe në tavolinë dhe ja nisje një alamet të ngrëni duke ngulur sytë në televizor. Ishte një kohë kur RTSh-ja kishte autoritet, ishte menuja e pandarë e shtëpive ku gatuhej me sobë apo furnellë.

Kush e harron Koço Devolen, estradat e rretheve apo këngëtarët që shfaqeshin pranë ndonjë peme, duke kënduar?

Si fëmijë kishe gëzimin e ditëve pushim. Kishe marrë ca nota të mira, iku edhe frika nga prindërit dhe ja, hajde të hamë e të lozim. Kaq kishte koha, kaq shijohej.

Puna është se ky ritual kaq i dashur na është ngulitur në tru të gjithëve si brez. Dhe na ka mbetur si zakon që nuk shqitet.

Vjen Viti I Ri e të gjithë padashur ngecemi te gara e stomakut. Mish, mish, mish dhe mish. Verë dhe fruta. Ku ta fus mor aman se plasa? Nuk jam pa ngrënë se tani ka boll.

Po pse pa bërë gjë do rri unë?

Pyetje që të ngrin në vend.

Nis pastaj blerja, gatimi, rend aty e rend, atje. Hajde gëzuar! Urime! Mbarë! Nga do ta kaloni? Hiç ja në shtëpi, mund të dalim.

Vjen ora. Ulesh. Sepse nuk të hahet. Ore të rri rëndë edhe vetja. Gëzuar! Kap thelën, kap sallatën, çukit te patatet, ktheje edhe një gotë. Je i ngopur që në minutat e para. Plase. Si janë bërë? Donte pak mishi në fakt. Si shije është shumë i mirë.

Ora 21:00. Ciu piu, celulari. Urime. Figura, qeshje, emotikone, në grup dhe vetëm. Telefonata, tani ka edhe skype dhe videocall. Tavolinë andej, tavolinë këtej. Mish andej Atlantikut, mish edhe këtej. Ha or babam ha!

Gëzuar! Është ftohtë? Po, tani u bë tamam. Hajde mbarë!

Erdhi ora 23:00. Kam ngrënë sa më duket se nuk kam çfarë të bëj për ta tretur. Më hëngri syri si fillim. Ka ditë. Çfarë të bëj. Televizorin me vrap. Çfarë të shohësh? Të njëjtat gjëra dhe fytyra. Ngërdheshje pa kuptim, paradë kotësish. E kalon në internet dhe kërkon estradat e dikurshme. Ha ha ha. Sa i madh ka qenë ky!

Oooo sa e fortë kjo, e kisha harruar. I madh Alekua, vdiq i ri. Eeee atëherë kishte kuptim Viti i Ri!

Vjen njëzetekatra. Bam bum fishekzjarre. Gëzuar! Sa bukur!

Po pastaj? Ça të bësh? Mbllaq mblluq mish e ushqim para televizorit. Ku ka vinç të të ngrejë që të dalësh ashtu!

Aman ça është kjo torturë! Nuk fle dot nga tendosja e barkut. Me vete them: ku ma gjen atë Ditën e Verës! Lëshohet mileti në bulevard dhe ha lulishteve. Mirë keq po ikën ora. Po kjo që duhet të hash i gëzuar në orën aq të datës kaq, çfarë është?

Po vizitat të nesërmen! Cërrrr zilja. O Zot, dua të fle. Po erdhën do ua shtrosh. Më fal, do shtrohesh se ato aty janë, kush i hëngri?

Nuk më hahet, vdiqa po them nga ky shtrëngim i çmendur gastronomik. Po pastaj duhet të shkosh edhe ti. Po shkove do të ta shtrojnë. Prapë do hash mish.

Në kini perëndi ça zakoni është ky? Si t’ua thuash pa i ofenduar? Se këtu edhe ofendohen mo xhan po të thuash se nuk dua, nuk më hahet, përtoj. Këtu festa është detyrim.

Edhe po të dalësh i njëjti zanat. Lokalet plot. Mizë lisi, të njëjtat fytyra që pinë e gëzojnë. Konsensusi megjithatë ekziston: Aman se nuk ka kuptim më. Po nëse nuk ka kuptim pse gjithë kjo mesele tepsish dhe mishi? Çfarë është ky epos stomaku? Dikush duhet të ndërhyrjë të ndryshojë këtë zanat që të detyron të vish vërdallë një javë të tërë duke ngrënë e duke pirë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.