Albini me Bashën?! Po Albini me Veliajn?

Postuar në 07 Tetor, 2019 16:04

Kreshnik Spahiu, një analist fantazmagorik që dikur ishte në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe pak më pas Dikurit, edhe kryetar i një partie nacionaliste si Aleanca Kuq e Zi, është përpjekur të likujdojë sot me një shkrim opsionet e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit si njerëz të ndryshimit. Boja patjetër që ka shkuar kot në këtë rast, pasi askush, ose thuajse askush nuk pret që këta të dy të sjellin ndonjë ndryshim.

Të krahasosh Bashën dhe Kryemadhin me Albin Kurtin është një audicion i dështuar që në nisje. Në fund të fundit, zoti Basha ka qenë i sinqertë në mashtrimet e tij: ka folur për revolucionin duke bërë të qartë se donte Pazar. Personi me të cilin duhet krahasuar Albin Kurti për atë që përfaqëson në perceptim, sepse rrugës mund ta përgënjeshtrojë veten që ditën e parë, është Erion Veliaj. I cili po t’i besojmë propagandës shumëmilionëshe, pretendon se do ndryshimin, punon për të dhe beson te ndryshimi.

Zoti Veliaj nuk ka formimin teorik të Kurtit, nuk lidh dot fjali aq të ndërlikuara, asociohet më tepër me punë konkrete, nga ato që duken dhe ndikojnë në komunitet. Mungesë e theksuar fantazie politike, paaftësi për të konceptuar programe afatgjata, sherrxhi kronik dhe banal kur ja do puna, z. Veliaj është shëmbëlltyra xheloze, thuajse shtriga që mallkonte Borëbardhën në filmin e njohur për fëmijë.

Një skuth i pas kuintave, që jeton majë statuseve virtualë, z. Veliaj në fakt përfaqëson më të mirën e të ashtuquajturit brez i ri në politikë, jo në kuptim të aftësive profesionale, por të moralit sundues me të cilin ky brez i qaset pushtetit dhe së ardhmes. Jo se Kurti duhet idealizuar, por së paku është një politikan që është aty ku është, në mos në sajë të besimit të vet te kauza, të paktën të artikulimit origjinal. Sepse në Shqipëri konformizmi politik dhe mastiçëzimi pas idesë se duhet folur vetëm për suksese është kaq i fortë, saqë ka mbërritur në kufijtë e budallallëkut përderisa nuk lidhet më me realitetin. Ndaj atyre që kërkojnë një Albin në Tiranë, sepse u dhemb zemra për ndryshimin, në fakt mos ta lodhin Lulzim Bashën dhe Kryemadhin me këtë barrë, por të kërkojnë gjetkë. Fundja në Shqipëri fasadat janë bërë dhe nevoja për ndryshim kalon nga nevoja më thelbësore, por për këtë mungon ende konsensusi publik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.