Reforma në drejtësi si i vetmi mall shkëmbimi me Europën

Postuar në 17 Shtator, 2019 19:12

Hapja e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë është shndërruar në një proces politik jashtë rregullit dhe që konsideron detyrimisht aspektet gjeopolitike përpara kritereve. Mirë apo keq, Shqipëria i ka ngecur në derë Bruskelit që nuk ka shumë besim te politika e meritës së gjithësecilit që do të linte në klasë vendin tonë dhe do të kalonte Maqedoninë e Veriut.

Efekti psikologjik në këtë rast duhet llogaritur patjetër. Shqiptarët po ikin prej tri dekadash dhe një kalim në vend të fundit edhe zyrtarisht mund të dëmtojë përfundimisht shpresën në një vend të përmbytur nga korrupsioni.

Përtej kësaj është edhe gjallërimi i krimit dhe korrupsionit, në një vend që nuk ngopet më me premtime dhe një vend ku kryeministri dhe qeveria nuk kanë me çfarë ta ushqejnë shfaqjen e tyre politike nëse Brukseli hap dyert për Shkupin dhe i mbyll për Tiranën. Kjo mund të pranohet si veto nga Greqia të cilën Tirana zyrtare e klasifikon si armikun e dobishëm, por jo si politikë zyrtare e BE-së.

Është kjo arsyeja që deklaratat e fundit të zyrtarëve europianë janë konfuze. Dikush thotë se Shqipërisë i duhen hapur negociatat, ndonjë tjetër flet për lobim, Tusk foli për meritë, kurse vetë qeveria shqiptare nuk di gjë ende.

Por të gjitha këto qëndrime, kanë si pikë të përbashkët të vetmen arritje me të cilën Shqipëria mund të ndërtojë kredenciale në këtë proces: reformën në drejtësi.

Ky është një proces i iniciuar dhe mbikëqyrur nga të huajt dhe ku vendi ynë nuk ka ndonjë meritë. Nga kjo pikëpmaje është vetë Europa, ShBA që po hap negociatat me veten për të kërkuar nga shqiptarët, në këtë rast Kryeministri, premtimin se nuk do të bllokojë punën.

Në terma të qeverisjes dhe zhvillimit oferta e Shqipërisë është më pak se zero, sepse nëse gjërat do të lihen në dorë të qeverisë së saj, prapakthimi në kaso është i sigurtë. Shqipëria nuk ka asnjë tregues të shënuar ekonomik, në fushën e lirive dhe të drejtave që të perceptohet si një vend europian. Ajo po luan në tavolinë me reformën në drejtësi dhe lepepeqellëkun e saj në politikën e jashtme.

Më keq se kaq nuk mund të ishte. Për këtë arsye mburrjet për arritje, për anën e duhur të historisë tingëllojnë hipokrize përkundrejt një Perëndimi që vështirë se do ta besojë zbatimin e reformës te politika shqiptare. E cila me Ramën apo pa Ramën është kapur në kurthin e një procesi me të cilin mund të mburret, por që nuk e kontrollon dot. Në fund të fundit zbatimi i ligjit, drejtësia janë detyra parësore, jetike të një shteti, përpara se të jenë mall shkëmbimi me të huajt. 

Është e pritshme që nëse negociatat do të hapen, monitorimi në fushën e zbatimit të ligjit do të jetë shumë më rigoroz, afatet më të ngushta dhe kërkesat më konkrete. Zoti Rama mund të fillojë të shesë, por nuk mund t’i shesë të gjithë. As edhe të deklarohet se ai qëndron majë plehut të korrupsionit si i pastër, pasi negociatat nuk janë shkëmbim komentesh në Facebook ku mund të fshish dhe modifikosh ato që do.

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.