Biznesi personal i Rilindjes Urbane

Postuar në 20 Gusht, 2019 20:51

Edi Rama nxjerr pamjet. Ja si ka ndryshuar Fieri. Kryeministri zbulon ndryshimin, ja fotot. 
Këto lloj tituj i takon përditë në mediat elektronike që funksionojnë si algoritme të zyrës së shtypit të kryeministrisë: një postim i kreut të qeverisë dhe refleksi është aktivizuar. 

Fierit i është ndryshuar pamja. Është sistemuar peizazhi duke ndërhyrë në kaosin urbanistik anës lumit të tij. Kjo është pjesë e Rilindjes Urbane, e cila përveçse një mjet propagandistik që ka patjetër brenda ndryshime reale, është shndërruar gradualisht në uniformë të qyteteve shqiptare që po vishen me të njëjtat gurë, tulla, model ndriçimi dhe funksionalizim të hapësirës publike. 

Këtu del një problem shumë i madh që nuk shihet nga zhurma e fjalëve dhe fotoreportazhet e kryeministrit të riprodhuara nga mediat pranë tij. 

Së pari, edhe njëherë provohet se në Shqipëri nuk ka realisht një pushtet lokal real që të jetë diçcka më shumë sesa zyrë punësimi për militantë. Asnjë njësi e pushtetit vendor nuk ka qenë në gjendje të përpilojë projekte apo plane që të konsiderohen si modele të zbatimit në praktikë. Po flasim për qytete të cilat kanë potencial zhvillimi dhe që e kanë të domosdoshme të rishikojnë shumëçka në hapësirat e tyre, qytete që kanë edhe fuqinë financiare për ta nisur këtë proces. 

Fakti që këtë proces e ka vënë në lëvizje kryeministri tregon se asgjë nuk miratohet pa pëlqimin e tij në fushën e zhvillimit urban. Kjo nuk është pak  e rëndësishme, pasi nuk po flasim tjesht për centralizim, por për personalizim të ndërhyrjeve përmes arkitekturës së prefereruar nga një njeri i vetëm. Nuk ka tipar më autoritarist, pse jo diktatorial, të një qeverie sesa stampimi i personalizuar mbi mënyrën sesi zhvillohet urbanistika e një qyteti. 

Nga ana tjetër, fakti se kryeministri këmbëngul që ta përdorë në vijimësi këtë investim si mjet propagandistik personal dëshmon se në realitet qeverisja ka dështuar aty ku duhet të kishte provuar suksesin. Nëse krahasojmë daljet e z. Rama me investitorë seriozë, apo të mëdhenj me daljet e tij për projektet e Rilindjes Urbane, ato mund të arrijnë në raportin 50 me 1. Nuk figurojnë gjëkundi kryebashkiakët e qyteteve që po rilindin. Edhe kur dalin si në rastin e z. Veliaj apo Dako, ata janë më tepër në rolin e rrufepritësit që duhet të mbrojnë nga frëngjia e pushtetit të tyre me karakter policor imazhin e qeverisë për projekte që janë trille të një njeriu. 

Rilinda Urbane është shitur nga z. Rama si politikë që bazohet mbi vizionin se rehabilitimi urban rivlerëson hapësirën publike dhe investimet private në qytetet e Shqipërisë. Por ajo siç mund të merret me mend është asgjë më shumë sesa vazhdim në shkallë shtetërore i politikës së fasadave në Tiranë që pas zhurmës dhe propagandës fshesh shumë gjëra. Një prej të cilave është përdorimi i fondeve. P. sh flitet se për projektin e bulevardit të ri që u njoftua nga z. Rama për Sarandën një prej kompanive kryesore të interesuara është tërhequr për shkak se ka shumë punime në det. Dihet edhe se kush do ta fitojë projektin që i duhet kryeministrit si grim sezonal, por edhe si një mënyrë tanimë e provuar e z. Rama për të mbajtur gjallë projekte urbanistike pas së cilave patjetër që vjen ndërtimi. 

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.