Në Tiranë ngrihet memoriali për të vrarët e grushtit të shtetit në Turqi

Postuar në 08 Gusht, 2019 23:25

Në Tiranë është ngritur së fundmi një memorial për viktimat e atij që quhet si grusht i shtetit i 15 korrikut 2016 në Turqi. Lajmi është shmangur nga Bashkia e Tiranës e cila është përfaqësuar aty me zv.kryetarin Arbian Mazniku, krushku shumëpëdrorimësh i adeteve ku nuk duhet nxjerrë fytyra, dhe është dhënë në fakt nga ambasada turke në Tiranë.

Përmes një marshimi që ka nisur në nga sheshi “Nënë Tereza” dhe ka vazhduar në kodrat e Liqenit ku është vendosur memoriali, pala turke ka bërë një manifestim që ngado që ta shohësh e sido që ta mirëkuptosh të lë pa fjalë. Nuk dihet se çfarë i shton qytetit të Tiranës një memorial i tillë, çfarë e lidh Shqipërinë me 15 korrikun 2016 në Turqi dhe se çfarë borxhesh i ka qeveria shqiptare Recep Erdoganit që mësyn në këtë mënyrë me kërkesa që kanë forcën e simbolit dhe sjellin mesazhe provokative që herët apo vonë do të minojnë atë mirëkuptim njerëzor që ekziston mes dy popujve.

Qeveria shqiptare dhe bashkë me të edhe kryetari i Bashkisë që nuk lë ceremoni e rast pa dalë në televizion mund ta hiqnin fiksimin apo të lanin borxhet ndaj Turqisë me një monument të një figure historike, por jo duke kujtuar ngjarje politike që janë çështje e brendshme Turqisë.

Sigurisht që heshtja ndaj këtij lajmi, ndërkohë që në Tiranë edhe Xhamia e Namazgjasë është imponuar si projekt nga Erdogani, është lajmi përmbi lajmin e memorialit dhe duhet thënë se ndaj këtij akti të paprecedent nuk ka reaguar askush.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.