Gara për Hapësirën

Postuar në 23 Qershor, 2019 12:59
Christoph Driessen

 

Pip, pip, pip. Këto sinjale u kapën më 5 Tetor 1957 nga Heinz Kaminski në bodrumin e shtëpise së tij njëkatëshe në Bochum. Radiomarrësja e tij e konstruktuar po nga ai vetë ishte aparati i parë në Europën Perëndimore që regjistroi sinjalet atë ditë. Ato vinin nga larg, tepër larg. Për herë të parë Toka nuk kishte më vetëm Hënën që rrotullohej rreth saj, por tashmë edhe një satelit artificial. Ajo masë metalike në formë sferike quhej "Sputnik“ (Shoqëruesi), që peshonte rreth 80 kg me një madhësi më të madhe sa dy topa basketbolli. Të nesërmen jopatetikja "Frankfurter Allgemeine Zeitung“ do të hapej me shkronja të mëdha në faqen e saj të parë me lajmin: "Epoka planetare tashmë ka filluar“.

Ky lajm përbënte nje goditje psikologjike për SHBA. Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower, i cili kishte shpallur që në vitin 1955 synimet amerikane për konstruksionin e një sateliti, gjendej para faktit të kryer, që BS komunist, kundërshtari më i madh ideologjik, kishte qenë në gjendje të realizonte i pari këtë projekt prestigjioz.

Çfarë turpi!

Trauma që shkaktoi "Sputnik“ kishte tronditur thellë ndergjegjen kombit amerikan. Ajo tregonte, që BRSS përkundrejt SHBA zotëronte një teknologji moderne që ndoshta i`a kishte kaluar dhe vetë asaj të SHBA. Dhe jo vetëm në teknologji, por me këtë e parakalonte dhe në fushën ushtarake: Raketa që kishte dërguar Sputnik-un në hapësire një ditë mund të mbushej dhe të transportonte dhe bomba. 

"Ne kemi peshkuar gjermanët e gabuar“, do të turfullonte një gjeneral amerikan. Me këtë shprehje ai kishte parasysh Wernher Magnus Maximilian Freiherr von Braun dhe tërë bashkëpunëtorët e tij me origjinë nga Gjermania. Konstruktorët e raketave nën regjimin nazist u morën si plaçkë njerëzore lufte për në SHBA. Vetë von Braun parashihej nga amerikanët si njeriu i parë që do të ishte në gjëndje të lëshonte satelitin e parë në orbitën e Tokës. Por buxheti financiar i caktuar për sektorin kërkimor të udhehequr nga vetë ai ishte teper larg nga ajo që kerkohej për të plotësuar nevojat për realizimin e atij plani tepër ambicioz. Përveç kësaj, kishin dalë në pah edhe kontradiktat e sektorëve të veçantë në programet amerikane të mbrojtjes, si ai i ushtrisë dhe i marinës që ishin në konkurrencë të hapur midis tyre.

Në kohën kur Komiteti për dhënien e Çmimit Nobel pyeti për emrin e kryekonstruktorit të "Sputnik“, si një nga kandidatët e mundshëm të marrjes së këtij çmimi të lartë në fushën e shkencës, udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov do të përgjigjej, se meritë për këtë arritje të madhe shkencore ka tërë populli sovjetik me përpjekjet e tij. Se kush fshihej në të vërtetë pas kësaj arritjeje të madhe shkencore, kjo mbahej si një nga sekretet më të mëdha të kohës në shtetin sovjetik.

Padyshim, ai tru gjenial kishte nje emër: Sergej Koroljov. Për kolegët e tij ai ishte thjesht "Korol“- Mbreti. Ai, i cili kishte telefonin e kuq, që lidhej drejtpërdrejtë me Kremlinin. Në të vërtetë Koroljovi kishte për detyrë të projektonte raketa ndërkontinentale për sektorin ushtarak, por ai u dha që në fillim pas ëndrrës së tij të hershme: Eksplorimin e hapësirës.

Pesë ditë pas sensacionit me „Sputnik“ në telefonin e tij do të binte përsëri zilja e Kryetarit të Shtetit sovjetik Nikita Hrushov, i cili do të pyeste: "Jemi në gjëndje ne, që me rastin e 40-vjetorit të Revolucionit socialist të Tetorit më 7 Nëntor t`i tregojmë botës edhe njëherë ndonjë vepër tjetër spektakulare në hapësirë?

Kjo nuk ishte pyetje, ishte urdhër. Kështu pra, një muaj pas lëshimit të "Sputnik-1“, më 3 Nëntor të vitit 1957 starton drejt hapësirës "Sputnik-2“ në bordin e të cilit tashmë ishte një qënie e gjallë, dhe pikërisht një qen me emrin Laika. Vërtetë që ajo kafshë e mjerë pas pesë a shtatë oresh nga starti do të ngordhte nga temperaturat e larta që kishin arritur në bord, por dhe përkundrejt saj BS do të korrte meritat e një triumfi madhështor, dhe kjo në sajë të një njeriu: Sergej Koroljov.

Por nuk kaloi vetëm një muaj dhe janë amerikanët ata që më në fund do të arrijnë t`i përgjigjen projektit sovjetik. Në Cape Canaveral të Floridës amerikanët me anë të një rakete përgatiten të dërgojnë në hapësirë një satelit-test. Pas këtij projekti nuk qëndronte as ushtria dhe as marina amerikane, por një institut civil kerkimor-shkencor, i cili punonte në pavarësi të plotë nga projektet e ekipit të von Braun. Gjermanet duhej të liheshin jashtë kësaj ndërmarrjeje.

Në kontrast të plotë me Bashkimin Sovjetik, amerikanët punonin në menyrë transparente: Gazetarët nga e gjithe bota u ftuan në Cape Canaveral për të përjetuar nga afër startin e raketës me satelitin-test në bord.. Starti i ngritjes së saj do të ndiqej live në shumë kanale televizive. Pesë, katër, tre, dy, një…Raketa shkëputet nga toka dhe më tej…shpërthen në ajër. Komentet e shtypit amerikan ishin therëse: "Kaputnik!“ Përballë këtij dështimi spektakular të gjitha shpresat u drejtuan nga Wernher von Braun. Vetëm dy muaj më vonë ish-kryekonstruktori i Hitlerit lëshon më 31 Janar 1958 satelitin e parë orbital "Explorer 1“ duke çliruar kështu një komb të tërë nga një traumë psikologjike. Gjithsesi sateliti i tij ishte shume më i vogel dhe shumë më i lehtë në krahasim me "Sputnik“.

Rivaliteti për hapësirën tashmë ishte ndezur dhe do të zhvillohej si një duel prej së largu midis dy gjenive të cilët nuk do të takoheshin kurrë në jetën e tyre: Nga krahu amerikan do të jetë Wernher von Braun, ndërsa nga krahu sovjetik, njeriu-fantom, "Mister X“, identiteti i të cilit vazhdonte të ruhej në konspiracion të plotë, kryekonstruktori Sergej Koroljov. Janë "dy qenër pune“, të cilët si qëllim të vetëm kishin pushtimin e hapësirës kozmike. Se cili sistem do të ishte i gatshëm të ofronte mjete financiare për këto qëllime për ta pak rëndësi kishte. Shumë shpejt koha do të tregonte, se cili do të ishte çmimi në fund të këtij rivaliteti: Bëhej fjalë për të parin fluturim hapësinor me ekuipazh drejt Hënës.

Më 12 Prill 1961 sovjetiket bëjnë edhe njëherë një hap të madh përpara. Në stepat kazake do të ngrihet nje rakete "Wostok 1“ me një anije të vogël kozmike në bordin e saj. Brenda ngushtësisë brenda saj ishte 27 vjecari, oficeri, Juri Aleksejeviç Gagarin. "Të urojmë një fluturim të mbarë“ e uron me radio Sergej Koroljov. Ndërsa Gagarin përgjigjet: "Mirupafshim miq të dashur!“ Vetëm pas pesë minutash pas shkëputjes nga Toka, Gagarin do të ishte njeriu i parë që do të shihte planetin tonë nga distancat hapësinore.

"Çfarë bukurie!“

Po ashtu ai do të ishte njeriu i parë që do të ndjente gjëndjen e mungesës së peshës. Gjëndja do të komplikohej kur „Wostok“ pas rrotullimit orbital rreth Tokës do të hynte në atmosferën e saj për t`u ulur përsëri në Tokë: Një pjesë e anijes hapësinore e cila perbante meakinizmin e frenimit dhe depoziten e karburantit nuk po shkëputej akoma plotësisht nga kapsula sferike që ishte destinuar të mbërrinte në Toke, shkak i kësaj anomalie ishin disa kabllo që kishin mbetur të fiksuara midis dy pjesëve të tyre. Kjo shkaktoi një rrotullim kaotik rreth aksit të anijes, por për fat gjatë fërkimit me atmosferën kabllot u dogjën dhe kështu depozita e karburantit dhe mekanizmi frenues i anijes arrijnë të shkëputen nga njëra-tjetra për të rënë përfundimisht mbi Tokë.

Ndërsa Juri Gagarin dy orë pas startit për në orbitë, hidhet me katapult dhe me anë të një parashute ulet mbi një fushë në afërsi të Vollgës. Një grua fshatare me mbesën e saj shikojnë me habi atë që bie ngadalë nga qielli. Ndoshta u është dukur për ate moment si një njeri që po vjen nga Hëna. Vetëm një muaj më pas dërgojnë dhe amerikanet njeriun e tyre në hapësirë: Alan Shepard. Megjithatë Shepard nuk arriti të kapte orbitën e Tokës. Ai ishte vetëm nje kërcim deri në hapësirë që zgjati vetëm 15 minuta. Per t`u theksuar është fakti se SHBA ishin në një ndjekje dëshpëruese ndaj rivalit të tij..

Në këtë situatë Presidenti i ri amerikan John F. Kenedy më 25 Maj 1961 shpalli para Kongresit amerikan një plan të jashtëzakonshëm dhe tepër ambicioz: "Unë besoj se kombi ynë duhet të ketë si objektiv të vetëm, se para mbarimit të ketij shekulli, të arrijë dërgimin e njeriut në Hënë dhe kthimin e tij të sigurtë përsëri drejt Tokës“. 

Le të ishte ky një apel drejt hapjeve të horizonteve të reja dhe shiprtit vizioner të amerikanëve. Por nga ana tjetër në rrethet e ngushta John F. Kenedy shprehej gjithmonë dhe më qartë se nuk kishte ndonjë interes të vecantë për projektet hapësinore dhe për uljen e njeriut të parë në Hënë. Projekti për të ishte vetëm politik. Bindja e tij ishte se, kush fitonte garën për në Hënë, kishte fituar njëkohësisht Luften e Ftohtë. 

Fillimisht publiku amerikan u tregua teper skeptik. 58% e të anketuarve mendonin se ky projekt ishte absurd. Aq shumë para të hedhura në erë vetëm për uljen e njeriut në Hënë, kur mbi Tokë vetë SHBA kishte aq shumë probleme serioze, si kriza kubaneze, protestat antiraciste, lufta e Vietnamit, pabarazia sociale! Megjithatë me kalimin e kohës filloi të rritej interesi për projektin e uljes së njeriut në Hënë, e cila perballë gjithë ketyre krizave të bënte që fanatzia e miliona amerikaneve të bëhej me flatra për t`a kthyer atmosferën e kohës në kahje pozitive. Me programin „Gemini“ startoi një trajnim i gjerë për fluturimet në hapësirë. Astronautët testoheshin në veprimet e tyre si në kushtet e punës jashtë anijes kozmike, në kordinimin e punëve për të bërë të mundur takimin e dy anijeve kozmike në orbitë, po ashtu dhe në kordinimin e veprimeve me specialistët e stacioneve vëzhguese në Tokë. Paralelisht me keto filluan dhe përgatitjet e programit „Apollo“ për fluturimin në Hënë.

Një goditje të rëndë që pësuan planet amerikane ishte vdekja e tre astronautëve në vitin 1967 në bordin e kapsulës "Apollo“ gjatë një prove që zhvillohej në Tokë. Një zjarr shpertheu papritur. Por përpjekjet vazhduan më tej: Në mbrëmjen e Krishtlindjeve të vitit 1968 për herë të parë fluturoi rreth Hënës misioni "Apollo 8“ dhe në një transmetim direkt për gjithë botën u lexuan disa fraza nga kapitulli i Biblës "Krijesa“. Një vit më vonë amerikanët ia arritën objektivit, dhe me këtë edhe Wernher von Braun. Më në fund ëndrra e tij e fëmijërisë u realizua.

Me këtë, të gjitha shpresat e sovjetikëve për një ulje në Hënë u varrosën pëfundimisht. Si është e mundur që superfuqia tjetër të kishte rënë kaq poshtë? SHBA dispononin resurse shumë më të mëdha se sa rivali i tyre, resurse të cilat nuk i mobilizuan që në fillim, por pas fjalimit programatik te Kenedy-it për projektin e uljes së njeriut mbi Hënë, SHBA angazhoi rreth 400 000 specialistë, ku vetëm 1/10 e të cilëve punonin në NASA. Po kështur rreth 1 % e Prodhimit te Brendshëm Bruto të SHBA gëlltitej nga programet e fluturimeve në hapësirë.

Megjithatë shkak për këtë nuk ishin vetëm financat. Programi hapësinor sovjetik pësoi një goditje të rëndë në kuptimin e plotë të fjalës në vitin 1966 me vdekjen e Sergej Koroljov gjatë një ndërhyrje kirugjikale rutinë. Vetëm atëherë atij ju dhanë vlerësimet që i takonin, vlerësime që gjatë jetës nuk i provoi kurrë. Qysh nga ajo kohë ai zuri një vënd nderi në Memorialin e Murit të Kremlinit. Dhe Wernher von Braun e mori vesh për herë te parë emrin e tij në gazetë.

Shkrim i botuar në të përmuajshmen gjermane "Geschichte“ (Menschen, Ereignisse, Epochen) "Histori“ (Njerëz, Ngjarje, Epoka), faqe 54-57      

Përshtati në shqip: Adrian Stefi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.