Metabolikët e çdo pushteti

Postuar në 15 Qershor, 2019 17:34

Kur diskutohej zgjedhja e Presidentit të ri në vitin 2012, Ilir Meta, asokohe kryetar i LSI-së dhe një njeri në koalicion me PD-në, deklaronte ndër të tjera se ka patur shumë njerëz që e kishin refuzuar kandidimin për president. Zoti Meta nuk dha emra, por zbuloi një fakt politik që kalon pa u vënë re: Refuzimin.

Ne dëgjojmë shpesh sesi kryeministra, presidentë apo ministra, që janë pasanikë të pasuruar nga pushteti, të thonë publikisht se “ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si…”, duke cilësuar detyrën përkatëse. Ka një dozë mashtrimi dhe vaniteti njëkohësisht në këto qëndrime. Mashtrimi sepse është shumë e vështirë të besosh se ndonjë prej këtyre që merren me politikë e shohin veten si shërbyes, dhe një dozë vaniteti, pasi të merresh me politikë për të qenë shërbyes është vanitoze.

Ndaj kjo e Metës meriton vëmendje. Kush e refuzon “këtë nder kaq të madh” në Republikën e Çmimeve dhe Medaljeve? Cilët janë këta njerëz fodullë që nuk duan të na shërbejnë?  Me siguri që dinjiteti ekziston në këtë vend akoma. Ai është strukur, ka bërë fole në individë që e shohin tërheqjen si mënyrë për të mos u kompromentuar, për të mos u bërë pis. Kjo është një zgjedhje higjenike, e shëndetshme, i jep një kuptim origjinal mosangazhimit.

Përtej kritikës që mund t’u bëhet këtyre njerëzve që duhet të ishin angazhuar sepse kanë çfarë t’i japin vendit, duhet pranuar se mënyra si ushtrohet pushteti nga drejtuesit e sotshëm të partive kryesore e bën të kuptueshëm këtë tërheqje.

Këtë e shohim më mirë sa herë që ka krizë. Liderët e partive politike, pazarxhinj ordinerë që nuk e kanë për gjë të ndryshojnë qëndrimet publike, kanë nevojë përherë e më shumë për prezervativë politikë shumëpërdorimësh që të thonë marrëzi dhe banalitete sa herë të jetë nevoja.

Shikoni sesi sot Lulzim Basha dhe taborri i tij personal flasin për pamundësinë e zgjedhjeve në 30 qershor. Shikoni se kush del që ta mbështesë kur flet për paketën Antimafie, kundër koncesioneve, për elementë të programit ekonomik.

Shikoni nga krahu tjetër sesi çështjet kryesore të politikës dhe qeverisjes i mbrojnë Taulant Balla, Elisa Spiropali, Erion Veliaj, Belinda Balluku, Gent Cakaj. Dëgjoni sesi këta thotë përditë se zgjedhjet nuk i luan as topi, ndërkohë që nuk kanë asgjë në dorë. Nëse nesër z. Rama i mbush mendjen vetes se artileria nuk është armë e dobishme, atëherë edhe topi i zgjedhjeve do dalë nga qarkullimi.

Si mundet atëherë një njeri me dinjitet, që ka një emër në fushën e vet, që e sheh politikën si angazhim të qëndrojë pranë këtyre politikanëve prej dylli, këtyre kartonë deputetëve, apo atyre të tjerëve që kanë probleme me drejtësinë? Çfarë diskutimi politik mund të bësh me Damian Gjiknurin, Vasilika Hysin, apo Pjerin Ndreun?

Kush është ai që ka dy pare mend në kokë të bëhet zëdhënës i interesave të dyshimta të një qeverisjeje dhe politike që ushqehet me krimin dhe korrupsionin?

Sigurisht edhe dorëzimi nuk është zgjidhje. As ndonjë gjë për t’u përshëndetur. Por ama qëndrimet publike duhet të jenë. Ato i mungojnë diskursit publik, i mungojnë një opinioni që është i dënuar të dëgjojë Lulzimin, kukullën e Berishës, Monika Kryemadhin dhe Petrit Vasilin, aksionistë të politikës, apo Edi Ramën, gaztorin e shtetit që bën politikë për masën duke u sjellë edhe me ligjin si aga që i kanë borxh?

Mesazhet ndryshe, diskutimi për ekonominë dhe të ardhmen nuk mund të bëhen nga elisat e politikës, ata janë tumori malinj i saj. Por një pjesë e madhe e shoqërisë është e papërfaqësuar te kjo politikë e krimit dhe te ky biznes që hiqet e mbrohet si mbarështues i kapitalizmit, por në fakt mjel e mjel paratë publike duke u bërë një barrë më shumë. Ndaj nëse deri më dje heshtja mund të mirëkuptohej, sot ajo është e dënueshme dhe ngarkon me përgjegjësi të gjithë ata që preferojnë të bëjnë kritikun në distancë apo të vazhdojnë të shohin punën e tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.