Mysafirët me imunitet, miq të Kryeministrit

Postuar në 29 Maj, 2019 23:47

Abc News ka zbardhur sot pjesë të komunikimit privat mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca. Nga ajo që duket në celularin e këtij të fundit të jep të kuptosh se zotëria është në Tiranë me pikëpamje të vetat për krizën politike, të cilat duket se i japin kuptim dhe kompromentojnë të gjitha qëndrimet e tij pro qeverisë shqiptare.


Çmenduri e quan z. Soreca sjelljen e opozitës dhe e ndan këtë opinion me kryeministrin e Shqipërisë me të cilin duket se ndan miqësi personale dhe shqetësimin për të ardhmen e atdheut tonë të dashur. Është mikluese të shohësh sesi BE-ja shfaqet kaq sentimentale ndaj shqiptarëve përmes z. Soreca dhe pasthirrmave të tij telefonike. Por është shqetësuese nga ana tjetër të konstatosh këtë lloj raporti shokësh “intelektualë” që arsyetojnë si kolegë partie për atë që ndodh. Përgjigjet e Sorecës mund t’i japë fare mirë Taulant Balla, por jo një ambasador i BE-së në Tiranë. 
Nuk zhgënjehet kush me këtë incident komik. Pak vite më parë në mediat kosovare doli skandali sesi ambasadori amerikan caktonte presidentin e vendit po me sms. Kjo është Shqipëria, këta janë shqiptarët dhe këta janë edhe të shquarit diplomatë që dërgohen këtu. 

E gjithë kjo sjellje e pakuptimtë dhe pa takt, madje ku shquhet një profil korrupsioni të paktën moral dhe etik është e vështirë për t’u lexuar dhe menaxhuar. Thjesht, këta të ashtuquajturit diplomatë duhen nxjerrë nga skena dhe trajtuar për atë që janë: burokratë që nuk vlejnë më shumë se kaq. 

Rasti tjetër i ambasadorit të OSBE-së për të cilin të gjithë bëjnë sikur është kërcënuar nga një parrullë e vendos misionin diplomatik të Europës në Tiranë në një sfond komik që të kujton komedinë tjetër europiane, pa fund e pa fillim: dialogun Serbi-Kosovë i drejtuar nga Mogherini. Ecejake dhe takime mbushur me deklarata dhe qoka buzëqeshjesh pa asnjë përfundim. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.