Protestë masive paqësore e opozitës, a ndërhynë gjermanët në axhendë?

Postuar në 25 Maj, 2019 21:33

Kundrejt frikës dhe alarmit për dhunë që shprehu kryesisht OSBE-ja dhe selitë diplomatike të SHBA-ve dhe BE-së, protesta e opozitës rezultoi paqësore.  Pjesëmarrja edhe këtë radhë ishte masive, ndërsa  nuk u shënuan incidente.

Basha foli në një podium ku jo rastësisht ishte shpalosur flamuri gjerman, çka lë të kuptohet se tërheqja drejt një tubimi paqësor mund të jetë imponuar nga Berlini, që është edhe mbështetësi kryesor i opozitës në lëvizjen kundër Ramës.

Basha e përmendi në fjalën e tij se mesazhi nga partnerët për Ramën ka qenë i qartë për zgjidhje politike, ku kushti kryesor është largimi i kryeministrit. Kreu i PD foli për miq strategjikë dhe izolim të Edi Ramës, duke thënë se është i vendosur për përballje deri në fund. Mungesa e incidenteve në protestë vështirëson edhe më tepër pozitën e kryeministrit, i cili nuk do të ketë më si alibi dhunën, por një presion në rritje për shkak të frymës që mund të krijojnë protetstat paqësore.

Pjesë nga fjala e Bashës

Në emrin tuaj dhe të një populli të tërë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar ti jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën, kanë kërkuar që edhe kreu i bandës në pushtet ti thërrasë mendjes dhe të jetë i gatshëm të zbatojë standardin evropian për përgjegjësitë që ka para kushtetutës e ti hapë rrugë zgjidhjes politike. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit  dhe pengmarrësit ët demokracisë. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare.

Nuk ka në Evropë kryeministër që kapet duke vjedhur zgjedhjet e mos të shporret një orë e më parë nga karrigia e të çohet para drejtësisë. Nuk ka në Evropë politikan që ta mbushë partinë e tij e grupin parlamentar me 19 përdhunues, vrasës e trafikantë dhe të mos shporret e të shkojë para drejtësisë. Standardet, vlerat dhe normat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi ramës dhe të bandës së tij.

Ky miting madhështor është mesazhi i popullit evropian të Shqipërisë. Ky mesazh ëshë shansi për zgjidhjen politike të krizës. Mjerë kush e lexon si shenjë dobësie, pasi ne jemi më të fortë se kurrë.  Liri a vdekje! Demokraci a vdekje! Le të jetë kjo mbrëmje preludi fatlum i zgjidhjes së kësaj krize, përmes diktatit të normave dhe parimeve të Evropës. Pa asnjë kompromis për parimet dhe normat euroatlantike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.