Misteri që mund ta zbërthejë vetëm Bollino

Postuar në 30 Prill, 2019 13:03

A ka ndonjë gjë misterioze Shqipëria? Ku i dihet, por disa të fshehta edhe janë. P.sh ka njerëz që besojnë se në Tomorr ka një të fshehtë misterioze, apo mistike. Mister thuhet se është ta zëmë thesari i Ali Pashait, apo ka elementë misteri vetëvrasja e Mehmet Shehut.

Në media thuhet shpesh kështu për të bërë efekt: Vizita misterioze e…

Misteri pra lidhet detyrimisht ose me projekte të mëdha, ose me krime të mëdha. Në shoqëritë e hapura siç quhen demokracitë liberale, misteri e humbet peshën e vet si kut për pushtetin, sepse detyrimi për transparencë dhe përparësia e ekonomisë ia heq aspektin tiranik dhe autoritar atij. Kjo kompensohet nga teoritë e konspiracionit që nga një pikëpamje janë edhe mjet imuniteti, ashtu edhe shprehje e inercisë nga kultura e së shkuarës. Misteri ekziston por ai është shtyrë thellë në horizontin e një skene ku na thuhet se luhet me letra të hapura. Për ta përmbledhur të sjellim këtu përkufizimin e vetë fjalës Mister: 

Në këtë kuptim pyesim sërish: a ka ndonjë gjë misterioze Shqipëria? Ndoshta. Po a ka ndonjë mister qeveria e saj? Për këtë të fundit do pajtohemi se Jo. Nuk ka. Ka të fshehta padyshim, për shembull për shitje blerje aksionesh, futje në punë të parave të pista, prokurime dhe tendera. Por mister këtu nuk ka. Këtu ka një limonadë hajdutësh të veshur mirë që I tregojnë njëri-tjetrit origjinën fisnike që kanë zbuuar së fundmi. 

Që këtej na duhet të çuditemi me titullin e gazetës “shqiptarja.com” që shkruan: Përqafim i ngrohtë me Merkel, mister çfarë i kërkoi Macronit, Rama: Samit inkurajues. Ka edhe videon përkatëse, që kur e sheh vë re se z. Rama përqafon kancelaren Merkel dhe pastaj bën ca gallatë presidentin Emmanuel Macron. Këtij se çfarë i thotë dhe ai kthehet e pastaj ndahen. Ky sipas gazetës së Carlo Bollinos është një mister më vete.

Ça t’i ketë thënë Rama Macronit? Ë? Bollino diçka di, apo nuhat dhe titulli është aty me standardet e gazetarisë më të mirë. Pse nuk e kapëm ne këtë moment? Mos vallë Rama i premton Macronit që të strehojë në Shqipëri refugjatë nga Mali apo libianë? Ku i dihet? Të gjitha mundësitë janë. Shqipëria po merr rëndësi ndërkombëtare. Padyshim që po, përndryshe pse duhet Macron të ndalet e të dëgjojë Edi Ramën që sillet në samite si drektor protokolli jo si i ftuar. Hahaha majtas e hihihi djathtas. Ky është një mister që ne nuk e zbërthejmë dot, i mbetet Bollinos detyra qytetare ta zbardhë. Ka kaq shumë mistere ky djalë, ky pra Edi i qeverisë. Të tilla që jo të gjithë janë të aftë t’i përtypin. Por ne po themi që një që e kemi kuptuar me vonesë: Frika të çoka shumë larg. Edhe Lart madje. Nëse ka Lart në Shqipëri. A nuk është misterioze forca e saj?

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.