E majta dhe censura. Rasti i kadrinjve që lënë pa gjumë Macron

Postuar në 07 Prill, 2019 17:56

Flini mirë, babi Zeus merret me gjithçka. I urdhëruar nga qeveria, një raport sapo është publikuar në lidhje me “krijimin e një Njësie autorregulluese dhe të ndërmjetësimit të informacionit”. Si quhet? “Besim dhe Liri”. Kot s’e quajtën “Vargonj dhe asfiksi”. Sepse për atë bëhet fjalë. Liria e shtypit dhe kufizimet e saja janë të rregulluara nga një nga ligjet më brilante të historisë së Republikës, ligji i 29 korrikut 1881. Por kjo s’i mjafton pushtetit, i cili dëshiron të krijojë një lloj Komiteti të së Mirës Gazetareske.

Kuptohet, autorët e raportit pretendojnë që makineria e re nuk do të gjykojë linjat editoriale. Por çfarë atëherë? “Praktikat e mira”, thonë ata. Epo shyqyr?

Një ndër karakteristikat gjeniale të ligjit të 1881 është fakti që e ndalon drejtësinë të pyesë ‘tepër’ mbi sekretet e prodhimit të lajmit – pra dhe të burimit – dhe përcakton fushën e veprimit në aspektet fyese apo shpifës të lajmit. Ja pra një rast në të cilin do të përfshihet kjo Njësi nën pretekstin e “praktikave”…

Kë do të gjejmë në këtë Njësi të censurimit me stil?

Disa botues, disa gazetarë dhe “shoqërinë civile” thotë raporti.

Më falni, por pavarësia e gazetave nuk mund të ndahet. Tek ‘Le Point’ ne jemi krenarë, ashtu si plot të tjerë, mbi të drejtën për t’u diferencuar nga konkurrentët. Dhe nga të punësuarit e tyre. Dhe nga sindikatat apo OJF-të që mund të ulen në këtë ‘Njësi’. Ne u japim llogari lexuesve tanë dhe – ne nuk jemi mbi ligjet – drejtësisë. Kaq është e tëra. Kjo qeveri nuk ka mësuar asgjë nga Historia.

Më 13 janar 1898 botohej në ‘L’Aurore’ i famshmi “Unë akuzoj” i Emil Zola. Zola pati shumë vështirësi për të gjetur një gazetë për ta botuar. Georges Clemenceau dhe Ernest Vaughan, në krye të ‘L’Aurore’, morën përsipër rrezikun, por ama ishin shumë të izoluar në shtypin e kohës. Asnjë nuk ka dyshim që një komitet deontologjie – kryesisht antidreyfus – do të kishte gjetur fjalët e duhura për t’u kujdesur për “praktikat e mira” që ky tekst shkel, duke e akuzuar, pavarësisht çfarë profesojnë të njëjtët për virtutet e gazetarisë.

Të bëjmë kujdes, gazetat dhe gazetarët meritojnë pjesën më të madhe të kritikave që u bëhen. Në këtë aspekt dhe Ne tek ‘Le Point’ jemi më të rreptë se autorët e këtij raporti. Ne nuk hezitojmë kurrë të themi kundërshtimet tona me të tjerë si dhe pranojmë kritikat, madje dhe ato agresive. Eshtë normale dhe e nevojshme. Servilizmi, një ndër plagët kryesore të shtypit, nuk zgjidhet duke e zëvendësuar me konsensusin. Përkundrazi. Një ndër idetë më shqetësuese të raportit në fjalë është ajo e një “bashkërregullimi me CSA”.

CSA, le ta kujtojmë, ka vetëm dy motive: nga njëra anë, të mbajë një sy hapur mbi shërbimin publik dhe nga ana tjetër, të rregullojë radiot dhe televizionet private me pretekstin që ato ‘zënë’ një “resurs publike të rrallë”,  frekuencat. Vetëm që tani gati çdo gjë kalon nga fibra apo 4G : nuk është më fenomen i rrallë. CSA do të duhej të hiqej fare nëse është vetëm për këtë qëllim. Por jo, verbuar nga pushteti, ata kërkojnë dhe ëndërrojnë të jenë dhe drejtues të ndërgjegjes së shtypit dhe medias. S’është habi që CSA i bashkangjitet: projekti i Macron është i ujitur me ideologjinë e ‘Të mirës që vjen nga sipër’. Raporti “Hoog” nuk është asgjë më shumë se një justifikim i gjatë i krenarisë rregulluese të Elizesë, shprehur nga Emmanuel Macron në një bisedë me disa gazetarë, nga të cilët njëri i ‘Le Point’, i cili raporton se Macron tha:

E mira publike, është informacioni. Dhe ndoshta është shteti që duhet ta financojë. […] Duhet të sigurohemi që është asnjanës, të financojmë disa struktura që garantojnë asnjanësinë. Dhe për këtë duhet të verifikojmë informacionin, me një proçes të subvencionuar nga publiku dhe me disa garantë që të jenë gazetarë. Kjo pagesë duhet të jetë e zhveshur nga çdo interes. Por, diku, duhet dhe të rrjedhë nga profesioni.”

Retorika e pabesueshme që zëvendëson principin e lirisë së fjalës me konceptin e informacionit si detyrë mbretërore, për të cilën Shteti duhet të jetë garanti në fund, me disa gazetarë si paravento. Një vizion që çuditërisht e gjejmë dhe te Etienne Chouard, ky lider i ‘gilets jaunes’ i ardhur nga e majta ekstreme dhe që kultivon lidhje me të djathtën ekstreme. Në revistën ‘Eléments’, Chouard ka përkufizuar vizionin e tij të një “shërbimi publik të informacionit” ku “qytetarët themelues” do të vendosin ata vetë të “paguajnë gazetarët si të ishin nëpunës civilë të cilët do të punonin rregullisht nën kontrollin e një dhomë të medias të hedhur në short”.

Një president i Republikës i verbuar – me të drejtë – nga konspiracionistët e rrjeteve sociale arrin në përfundimin që shtypi duhet rregulluar; një komplotist me patentë që vetëm përfiton nga të njëjtat platforma sociale kërkon dhe ai të rregullojë shtypin. E habitshme, apo jo? Konkretisht, është vullneti i Zeusit ajo çka gjejmë në këtë raport, i ekzekutuar me zell nga Emmanuel Hoog, funksionar i lartë ndër dy mandate, çka na shitet si një garanci e lartë e pavarësisë… I qartë mbi akuzat e parashikueshme, Hoog mendon që financimi i kësaj njësie nga Shteti të limitohet në 49 %. Argument i kotë. E dimë shumë mirë kush do ta ketë pushtetin…Dhe akoma më keq. Hoog parashikon që përcaktimi i të “drejtave fqinje”, princip ky sapo i shpallur nga BE, të jetë pjesërisht i kushtëzuar nga pjesëmarrja në skemë. Gjithashtu do të ketë dhe subvencionime. E thënë ndryshe: përuluni dhe do të paguheni. Shërbëtorët vullnetarë ekzistojnë, por janë të rrallë. Pak shantazh financiar veçse ndihmon...

Të jemi të qartë : ‘Le Point’ nuk do të bëhet pjesë. Nuk do të bashkohemi në këtë nismë groteske dhe liri-vrasëse. As nuk duam të kontrollojmë konkurrentët tanë. Dhe nuk i njohim asnjë autoritet CSA-së në lidhje me NE. “Republika ushqehet me lirinë”, tha Clemenceau gjatë debatit mbi ligjin e 1881. Në një tjetër debat, më 1903, mbi arsimin, ai shtoi: “Kur ne shohim drejt lirisë së njeriut, drejt intelligjencës, ne nuk kemi të drejtë të zbythemi përballë përgjegjësive tona dhe të thërrasim në ndihmë, si fëmijë të frikësuar, një autoritet mbrojtës, viktimat e të cilës do të jemi vet të parët.”

Le Point, Prill 2019

Përktheu dhe përshtati E.M

P.S. CSA është ekuivalenti i AMA-s

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.