Bie plani për kandidimin e Ballukut në Tiranë. Ministrja merr drejtimin e degës së PS-së

Postuar në 22 Mars, 2019 19:45

Pak kush e nuhati se ditën kur kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshimet në qeveri ai kishte ndërmend edhe një zgjidhje ideale të çështjes Veliaj. Gjatë protestës së studentëve, zoti Rama ushqeu me djallëzi idenë se pas saj qëndronte edhe Erjon Veliaj, ndonëse ky i fundit nuk doli ndonjëherë në skenë.

Ky thashethem që nuk ngjiti kishte dy synime: të diskreditonte protestën dhe së dyti të demaskonte lojën e dyfishtë të Veliajt brenda PS-së.

Bashkë me këtë sjellje, zoti Rama mendoi të prezantonte edhe mundësinë e zëvendësimit të Veliajt për të cilin ka muaj që nuk thotë asgjë. Emri i përzgjedhur fillimisht për të kandiduar në Tiranë ishte Ogerta Manastirliu, por ajo nuk e provoi veten se dinte të ndërtonte një profil publik.

Atëherë zoti Rama  mendoi ta kamuflonte rivalin e z. Veliaj me emrat e rinj në kabinetin qeverisës. Dhe personi i piketuar për të kandiduar në Tiranë përballë një kandidati të PD-së, ishte pikërisht Belinda Balluku, aktualisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Skema është tipike e z. Rama: një femër, pra diçka ndryshe, në stilin alla Hillary Clinton dhe një person që ka përvojë menaxhimi, plus me origjinë tiranase.

Burime nga stafi i ngushtë i zonjës Balluku i thanë redaksisë së “Të Kripura” se ka qenë vendimi i kësaj të fundit që të mos kandidojë, as mos të dalë në skenë për këtë çështje për arsye që lidhen me specifikat e krijuara së fundmi në politikë. Në konsultim me z. Rama, ministrja ka menduar të mos sfidojë kënd aktualisht sidomos pas vendimit të PD-së dhe LSI-së për të mos hyrë në zgjedhje. Kjo është një faturë që do t’i lihet zotit Veliaj, i cili rikonfirmohet pa betejë në detyrë, duke e dëmtuar në një pikë domethënëse. Ai do të marrë me gjasë një mandat me legjitimitet të çalë, me rënie të natyrshme votash për shkak të ikjes së LSI-së dhe në me faturën e madhe që sjell identifikimi i tij me betonizimin e qytetit.

Zgjidhja e menduar nga kryeministri dhe zonja Balluku është pra optimale edhe sepse konsideron faktin që mandati i dytë është gërryes dhe me parazitizëm, ku mungon imagjinata, kreativiteti dhe shumëçka reduktohet vetëm në propagandë.

Zoti Rama nuk ka ndërmend të ndalet me kaq. Balluku mendohet të marrë drejtimin e Partisë Socialiste të Tiranës për ta izoluar përfundimisht Veliajn në drejtimin partiak. Kjo lëvizje ka vlerë të dysfishtë. Zonja drejton një ministri që ka mundësi punësimi, pra nuk kemi një kryetare me duar bosh siç është sot e emëruara Blerina Gjylameti. Intriga është luajtur hollë në këtë drejtim dhe z. Rama po sulmon duke mbajtur pasivitetin dhe duke e lënë Veliajn të entuziazmohet me fitoret e veta koncertore.

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.