Nevoja për një opozitë ekstrapartiake

Postuar në 17 Shkurt, 2019 00:52
Bard Camaj

Dy protestues me petka të vjetëruara e të pluhurosura, hypur në një motor papaç kinez, ai mbrapa me një kazëm të ndryshkur në dorë, po kthehen duke sharë e mallkuar me zë të lartë. Nuk merret vesh nëse e kanë me Lulzimin qe s’ka bythë, apo me Ramën qe shkon e ben antimiting në Vlorë siç bëjnë mubarakët e Lindjes së Mesme kur ndjejnë terrenin tu rrëshqasë nën këmbë. Gjithsesi protestuesit janë të zhgënjyer me sa duket, ngaqe qeveria nuk ra as sot.

Kjo, me fjalë të kursyera do të ishte karikatura e përshtatshme për opozitën zyrtare, protestën e shumëpritur të ditës së Shtunë, por edhe për politikën në përgjithësi. Një imazh grotesk në fakt, që është e vështirë ta thuash nëse duhet parë me trishtim apo me gëzim. Ndoshta mund ta këqyrësh nga të dyja këndvështrimet njëherësh: me gëzim, ngaqë më në fund po shihet qartë sa pak i frymëzon shqiptarët dhuna, politika tribale, bizantinizmi dhe beteja ekstrainstitucionale, por edhe një psherëtimë trishtimi, po të mendosh që një qeveri që po bëhet gjithnjë e më abuzive nuk ka sot një kundërshtar të denjë. 

Partia Demokratike gjendet sot në pikën  më të ulët të trajektores së saj politike. Është e dhimbshme se si një parti që e nisi rrugën e saj si elitë e një shoqërie(se sa prej tyre ishin bashkëfajtorë apo investime hipotekare të vetë regjimit, ky është një diskutim që ha shumë histori), reduktohet në një organizëm pa shtyllë kurrizore të cilit mbështetja e vetme e padiskutueshme që i ka mbetur, i vjen nga ca të vobektë  që e votojnë prej 25 vjetësh në emër të antikomunizmit pa pyetur për hallet e tyre, dhe të dëshpëruarit që u ka vajtur laku në fyt dhe që do të zgjidhnin edhe një pushtim të huaj në vend të kësaj qeverie.

Ka ardhur momenti pra, që opozitarizmi të fillojë ta artikulojë vetveten me një retorikë ekstra dhe përtej  PD. Zullumet e kësaj qeverie, kërkojnë një reagim të fortë, por shpk-ja e Lulzim Bashës, më shumë se një aset beteje, përbën një fosil arkaik, një kufomë politike e pakallur, që i ka zënë rrugën të ardhmes së këtij vendi.

Ne e kemi tashmë një shembull se si një qeveri abuzive mund të vihet para përgjegjësisë. Kushdo që ka arsye për ta ndalur dorën plaçkitëse të këtij pushteti, duhet të organizohet me të ngjashmit e vet, siç bënë studentët, për të kërkuar të drejtën e tyre. Kjo qeveri nuk duhet lejuar të vërë gjumë në sy, por çdo asocim i reagimit qytetar me gërdallën politike të Lulzimit, është që në nisje e diskredituar dhe e dështuar. 

Nëse shqiptarët vazhdojnë të qëndrojnë indiferentë ndaj të ardhmes, ata më shumë se sa të shqetësohen për qeverinë që i vjedh, duhet të trazohen nga ideja që Lulzim Basha një ditë fare mirë mund të jetë kryeministër i tyre. Natyra e urren boshllëkun, thonë, paçka se shpesh ajo nuk tregohet efiçiente, duke e mbushur atë boshllëk me mbetje të ricikluara. Kjo është më e keqja që mund ti ndodhë Shqipërisë, deri në momentin që ndërgjegja e këtij vendi të lindë diçka që ta meritojë të quhet opozitë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.