Letërsia Shqipëri-Kosovë, përvoja dhe shmangie

Postuar në 23 Janar, 2019 13:08
Mehmet Kraja

Letërsia e Kosovës dhe letërsia e Shqipërisë për një periudhë të gjatë kohore janë zhvilluar në rrethana të ndryshme politike, kulturore, letrare, kështu që, shikuar nga perspektiva e sotme mund të themi se tashmë është pranuar ideja se kishim të bënim me një letërsi, por me dy përvoja të ndryshme letrare. Ky përkufizim i letërsisë shqipe si një e tërë, por me dallime dhe diferenca të brendshme ndihmon që t’i qartësojmë disa dilema historiko-letrare, sikundër që hap perspektivë të qartë, në mënyrë që perceptimi i sotëm i letërsisë shqipe të jetë i liruar nga kufizime të tjera, përveç atyre të njohjes dhe të dijes. Thënë me një fjalë, nuk ka më letërsi kosovare, ajo nuk ekziston më, ndërsa njohja ose mosnjohja e saj në Shqipëri nuk është më çështje kufizimesh jashtëletrare, por e njohjes ose mosnjohjes së një pjese integrale të letërsisë shqipe.

1.

Në pikëpamje diakronike, përkufizimi i letërsisë së Kosovës dhe letërsisë së Shqipërisë si një letërsi me dy përvoja do të na vinte në ndihmë edhe në trajtimin e temës së erotizmit. Pavarësisht se nuk është temë ideologjike as politike, në ndërtimin e subjekteve letrare ajo ka marrë konotacione të tilla diferencuese, të cilat lidhen jo vetëm me përvojën e shkrimit, me mentalitetin ose me etnopsikologjinë, por edhe me shkollat dhe metodat, me ideologjinë, me lirinë e shprehjes dhe me liritë e njeriut në përgjithësi. Thënë me një fjalë, përvojat e shkrimit dhe të ndërtimit të subjekteve letrare në Kosovë dhe në Shqipëri ishin të ndryshme, pra edhe mbi temën e erotizmit, sepse, sikundër e thamë, fenomeni nuk shfaqet i shkëputur, por, përkundrazi, përfshin disa relevanca letrare. 

Në diferencimin e përvojës letrare Kosovë-Shqipëri, e para ndër të parat çështje paraqitet tradita e shkrimit. Kosova nuk kishte një traditë të ndarë të shkrimit letrar dhe ushqimi i parë i shkrimtarëve të saj me letërsi ishte letërsia shqipe e Rilindjes Kombëtare dhe e periudhës së indipedencës. Por pikërisht këtu fillojnë të shfaqen edhe dallimet, sepse letërsia e Kosovës në hapat e saj të parë, interferon ndërmjet letërsisë shqipe të frymës së Rilindjes, të letërsisë shqipe deri-diku të konsoliduar të shkollës sentimentaliste dhe neoromantike të indipedencës, për t’ua lënë vendin gradualisht marrjeve jo gjithmonë të shkathëta nga letërsia e koinesë veriore dhe marrjeve gjithashtu joselektive nga letërsia jugosllave dhe botërore. Ta zëmë, në temën e dashurisë, shkrimtarët kosovarë të viteve ’60 dhe ’70 do të ndërtojnë subjekte letrare me gjuhën poetike të rilindësve, duke e avancuar këtë shprehje deri te Lasgushi, Koliqi e Migjeni, për t’i lënë vend më vonë një reflsksiviteti më të madh, gjë që nuk mund të thuhet se ishte karakteristikë e poezisë erotike të Shqipërisë dhe e poezisë së Kosovës të viteve ’60. Pra, nëse ka një dallim esencial ndërmjet poezisë së Kosovës dhe poezisë së Shqipërisë gjatë kësaj periudhe (veçmas nga vitet ’70 e prapa), është qasja realiste që e karakterizon poezinë e Shqipërisë, e cila në motivet erotike thekson ndjenjën, por lë anash refleksionin. Poezia e Kosovës, në këtë periudhë, hyn në një fazë të re të komunikimit me metaforën si përbërës kryesor të shprehjes poetike. Ajo nuk është më poezi sentimentale dhe nuk është më poezi e komunikimit të njëtrajtshëm me subjektin letrar: është poezi e kërkimit të kuptimeve më të thella dhe polivalente. Por ajo që do të mbetet brengë e poezisë së Kosovës të kësaj periudhe, do të jetë paaftësia e saj për t’i asimiluar ndikimet edhe në poezinë erotike, sepse diku-diku Lasgushi do të identifikohet qartë, diku tjetër Lorka ose Preveri, kurse te ndonjë poet tjetër edhe Branko Milkoviqi ose Vasko Popa. 

Zhvillimi i prozës në Kosovë do të jetë më i komplikuar, sepse, derisa poezia në njëfarë shkalle arrin të mbahet me ekuivoke, përfshirë këtu mungesën e theksuar të traditës së shkrimit, proza në vetë natyrën e saj është shkrim që supozon një stabilitet ose një qëndrueshmëri më të madhe kulturore, të cilën Kosova ose nuk e kishte, ose e siguronte me vështirësi të mëdha. Në vitet ’60, në Kosovë, në fushën e prozës u paraqitën autorë që duhej të paralajmëronin një zhvillim më konsistent të kësaj gjinie letrare. Zhvillimi ndodhi, por nuk ndodhi shpërthimi i paralajmëruar. Nga zhanret e prozës, më shumë u zhvillua tregimi. Romani bëri hapa fillestarë, por tematika e dashurisë kishte kufizimet e saj. Derisa poezisë së Kosovës, krahas angazhimeve programatike, i lejohej të bënte “ekskursione” intime më të shpeshta, për prozën në njëfarë mënyre ishte krijuar stereotipi, se ajo vetvetiu ishte gjini letrare më serioze dhe nuk mund të merrej me vogëlima të këtilla, siç është dashuria ose bota intime e njeriut. Nuk them se kjo u shndërrua në paragjykim, por, marrë në përgjithësi, tashmë u diferencuan autorët që e kultivuan tematikën e dashurisë në prozë, si autorë “të lehtë”, si Ramiz Kelmendi, Nebil Duraku e ndonjë tjetër. Më anë tjetër, prozatorët më konsistentë tematikën e dashurisë e përfshinin, për aq sa e përfshinin, në kuadër të tematikave sociale të veprave të tyre.

2.

Marrë në përgjithësi, letërsia e Kosovës, veçmas proza, nuk do të shënojë shumë raste të çlirimit të plotë nga të ashtuquajturat konvenca etike, të cilat do t’i vihen asaj jo me ndonjë program letrar, apo si ndonjë nga format e censurës institucionale, por më shumë si vetëkufizim ose vetëpërmbajtje e autorëve, të cilët gjithsesi duhej të respektonin një kod të pashkruar të moralit publik. Dhe kjo etikë publike kishte të bënte me kufizime programatike, sepse për shkrimtarët e Kosovës tashmë ishte caktuar një mision shoqëror, i cili nuk mund mbetej peng i kufizimeve të këtilla, siç mund të ishin ndjenjat ose kultivimi i shijes për të bukurën tokësore. Ata dhe letërsia e tyre, në radhë të parë, duhej të kryenin një mision kombëtar, në kuadër të të cilit nuk mund të hynte shpalosja e botës intime, përfshirë edhe erotizmin. Ajo botë, sado e afërt dhe sado e pashmangshme, nuk mund të quhej e denjë që të përfshihej në çfarëdo forme në ndonjë program të tillë. Në një mënyrë, kjo lidhej me një si jetë të dyfishtë që bënin kosovarët, madje edhe me një dualizëm të tyre të brendshëm, i cili nga jeta sociale kaloi edhe ne jetën intime: ata dashuronin, bënin fëmijë (madje më shumë se të tjerët), zhvillonin një jetë krejtësisht normale, ndërsa më anë tjetër, në jetën publike, përfshirë edhe artet, duhej të shfaqeshin epikë dhe heroikë. Ky dualizëm përfshinte edhe shkrimtarët. Atyre nuk iu vuri njeri kufizime, çfarëdo qofshin ato, por kufizues ishte ambienti shoqëror, i cili krijoi përparësitë e tij, krijoi konceptet e tij të rolit të shkrimtarit në shoqërinë kosovare. Ky rol përputhej tërësisht me funksionin utilitar të letërsisë.

Ambienti shoqëror i Kosovës kishte prioritetet e tij, siç ishte qëndresa, lufta për liri, konsistenca identitare etj. Në një rrethanë të tillë, shkrimtari që merrej me botën intime, me ato intimitete që nuk shkonin në funksion ose nuk u bënin jehonë këtyre prioriteteve, konsiderohej ose dekadent (term i huajtur nga Shqipëria), ose i paqëndrueshëm në prioritetet kombëtare, E, të quhej i paqëndrueshëm në prioritetet kombëtare, për një shkrimtar kosovar ishte ndëshkim dhe sakrificë tepër e rëndë.
Afërsisht këto ishin kufizimet e brendshme të përvojës kosovare të letërsisë shqipe, e cila përpiqej të konsolidohej ndërmjet kufizimeve dhe joshjeve shpesh kundërthënëse, antagoniste. Por, sikundër tashmë është e njohur, shkrimtarët kosovarë nga fundi i viteve ’60 e pas, formimin e lexuesit të Kosovës në masë të madhe ia lënë në dorë letërsisë së Shqipërisë. Në këtë kohë nga Shqipëria në Kosovë hyn pothuajse çdo gjë letrare që botohet në Shqipëri. Derisa letërsia e Kosovës bën hapa të rëndësishëm, vendimtarë, drejt ngritjes cilësore, përfshirë këtu edhe depërtimet drejt abstraksionin, letërsia e Shqipërisë e realizmit socialist shquhet për një shkallë të lartë komunikimi, që gjithsesi i shkon për shtat nivelit arsimor të lexuesit të Kosovës. Kjo është koha, kur në Kosovë, përmes letërsisë së Shqipërisë, depërton një herë dashuria sentimentaliste e tipit të romaneve “Sikur të isha djalë”, “Lulja e kujtimit” etj. (të cilët njohin botime me tirazhe fantastike) dhe më pas dashuria kooperativiste. Ndonëse jetonte në një realitet tjetër shoqëror, për shkak të rrethanave politike dhe të tjera, dogma e realizmit socialist të Shqipërisë u përhap gjerësisht në Kosovë dhe modeli i dashurisë kooperativiste funksiononte në jetën paralele të kosovarëve, të cilët ditën jetonin realitetin e rëndë politik të Kosovës, ndërsa natën ëndërronin jetën ideale të kooperativistëve dhe të aksionistëve të Shqipërisë, përfshirë edhe dashurinë e tyre të pangjashme me realitetin konservator të Kosovës. Por, po aq sa mund të thuhet se kjo letërsi e realizmit socialist e Shqipërisë ushtroi një lloj funksioni emancipues në ambientin konservativ kosovar, më anë tjetër, ajo përçoi te lexuesi kosovar edhe veshjen e saj ideologjike. Derisa në Shqipëri jeta shoqërore, përfshirë edhe jetën erotike, bëhej jashtë konvencave ideologjike, ose duke i shkelur ato, një pjesë e kosovarëve përvetësuan pa asnjë distancë kodet ideologjike të sjelljes sociale, përfshirë edhe atë erotike. Fundja më në fund, depërtimi i tërësishëm dhe shumë efikas i ideologjisë dogmatike nga Shqipëria në Kosovë i referohet sa politikës, po aq edhe letërsisë dhe arteve.

3.

Aktualisht letërsia shqipe paraqitet e liruar prej kufizimeve programatike dhe ideologjike, sikundër edhe nga kufizimet e një shoqërie konservatore, siç ishte shoqëria shqiptare deri tash së voni. Shkrimtarët e Kosovës po përpiqen t’i integrojnë përvojat e tyre letrare në një letërsi të tërësishme shqiptare. Më anë tjetër, shkrimtarët e Shqipërisë, të gjeneratave që kanë përjetuar realizmin socialist, por edhe ata që e kanë mësuar shkrimin e letërsisë po nga kjo përvojë, janë futur në një luftë të ashpër me vetveten. Madje, mbarë letërsia shqipe është në luftë me vetveten, duke synuar të tejkalojë kufizimet e imponuara në të gjitha format. Kufizimet në fushën e erotizmit, në radhë të parë, kanë qenë kufizime të një shoqërie tradicionale dhe ky tradicionalizëm shqiptar i pareformuar sa buron nga Kanuni, po aq buron edhe nga orientalizmi, apo edhe nga morali kristian. Në punë të erotizmit, shoqëria shqiptare ka marrë atë që ishte kufizuese nga të gjitha këto shtresime botëkuptimore dhe konceptuale. Më pas erdh një kohë e kufizimeve ideologjike, kur dashuria e lirë si subjekt i artit mund të ishte po aq e rrezikshme dhe po aq heretike, sa ç’mund të ishte e rrezikshme dhe heretike liria e njeriut në përgjithësi. 
Por, sikundër që do të shihet, flakja e këtyre kufizimeve nuk do të jetë e lehtë, as në pikëpamje të tematikës, në rastin e prozës, as të metaforës, në rastin e poezisë.

Se çfarë transformimesh ka pësuar metafora erotike në poezi, unë jam në gjendje vetëm t’i hamendësoj disa gjëra, ndërkohë që në pikëpamje të tematikës, proza, veçmas romani, u përpoq të kompensonte sa më shpejt mungesat e trashëguara. Kështu, përgjatë njëzet viteve të shkuara në romanin shqiptar erotizmi u bë njëri nga subjektet e shpeshta, ndonjëherë edhe kryesubjekt i prozës romanore, epiqendër e botës, formësues i konstalacionit psikik dhe emocional të personazheve. Në të vërtetë, sikundër mund të vërehet, te një numër jo i vogël prozatorësh shqiptarë këto dy subjekte zunë vendin qendror: erotizmi, që shkon deri në kufijtë e pornografisë, pra të banalizimit; dhe spiunimi, që ndonjëherë shkonte deri në kufijtë e shqyrtimit policor. Prozatorët e Shqipërisë, pra, do t’i kërkojnë dimensionet e lirisë në përmasat e mungesës së saj dhe jo në mundësitë që ofron ajo. 

Në rastin e erotizmit, liria do të mbetet e kufizuar në sesualitet dhe nuk do të njohë depërtime abstrakte, filozofike dhe psikologjike. Madje, në disa raste realizmi socialist do të kthehet mbrapsht, duke lënë pa prekur në esencë kufijtë dhe kufizimet e tij. Synimi i kryehershëm për t’i shpërbërë kufizimet e shoqërisë tradicionale, si dhe kufizimet ideologjike, jo gjithnjë do të shoqërohen me një prozë cilësore, me vepra letrare që do të kenë qëndrueshmëri dhe kjo, sipas mendimit tim, do të ndodhë jo aq shumë për shkak të pasojave të realizmit socialist, por më shumë për shkak akomodimit të lehtë në rrethanat e lirisë pa kuptim, apo edhe e notimit në ujë të cektë.

Ndërkohë, në përvojën letrare të Kosovës në këtë periudhë do të vërehen tri tendenca: e para, do të bëhen përpjekje të konsolidohet një letërsi pa program kombëtar dhe shoqëror; e dyta, letërsia e Kosovës do të synojë të ridimensionohet në raport me vetveten; dhe, e treta, kjo letërsi, si përvojë e ndarë dhe deri-diku e mëvetësishme, synon të shkrihet ose të integrohet në tërësinë e letërsisë shqipe.

Burimi: Revista "Ex Libris"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.