Negociata e çuditshme: Serbia njeh kufijtë, por jo Kosovën. Thaçi lëshon kufijtë, të fitojë njohjen!!!

Postuar në 29 Nëntor, 2018 02:47

Kosova do të ndahet. Ky është edhe plani i Amerikës.  Këtë duket sikur po do të thotë presienti i Kosovës Hashim Thaçi që së fundmi është në një përpjekje të personalizuar për atë që e përshkruan me eufemizëm si Marrëveshje historike me Serbinë.

Po cila është kjo marrëveshje? Në thelb ajo synon njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, në këmbim të garancive për pakicën serbe në Kosovë, por edhe ndryshimin e kufijve duke bërë korrigjime përkatëse. Vetë Thaçi e thotë këtë në një intervistë të djeshme për Zërin e Amerikës:

Janë gjëra që do të diskutohen; qoftë për të zhdukurit, qoftë për të zhvendosurit, qoftë për pronat, qoftë për të drejtat e Kishës Ortodokse serbe, për zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, për procesin e normalizimit dhe të pajtimit me vendeve tona, për edukimin, për shëndetësinë. Por, një gjë duhet ta kemi të qartë: se pa definim të kufijve, nuk do të ketë as marrëveshje përfundimtare paqësore që garanton njohjen reciproke

Pra Kosova angazhohet që të çojë më tej statusin e mbiprivilegjuar të serbëve në Kosovë që edhe kështu janë pakica me më shumë të drejta ndoshta në Europë. Por kjo mund të ishte një kërkesë e arsyeshme nisur nga përvoja mes të dy popullsive. Nuk shohim këtu në fakt aspak të përmenden detyrimet e Serbisë për shqiptarët në Preshevë. Thaçi po flet për lëshimet që është i gatshëm të bëjë ai, lëshime që në fakt territorializojnë përtej aspektit të autonomisë një entitet që do të sfidojë me statusin e vet legjislacionin e brendshëm Kosovar, e pra vetë sovranitetin e Kosovës.

Mirëpo në deklarimin e z. Thaçi ka një kontradiktë: Cila është arsyeja që ai do lëshojë kaq shumë të drejta dhe mandej do të pranojë edhe korrigjim kufijsh? Pse vallë Serbia edhe kërkon garanci të ekzagjeruara për pakicën serbe nëse do ta njohë Kosovën si shtet një herë e mirë, kurse nga ana tjetër kërkon edhe retifikim kufijsh, apo në rastin më të mirë për të, edhe shkëmbim territori? Kësaj pyetjeje z. Thaçi nuk i jep dot përgjigje, sepse nuk mundet. Duket se Serbia nuk beson te jetëgjatësia e Kosovës si shtet i pavarur, ajo beson te bashkimi i saj me Shqipërinë, ndaj qysh sot po përgatit kushtet juridike që nesër të legjitimojë kërkesën që pakica e saj të shkëputet në kushtet e një krijimit të një shteti etnik. Ajo po shet sot njohjen e Kosovës më shtrenjtë, shumë më shtrenjtë sesa kjo njohje vlen.

Këtu z. Thaçi shpërfill në mënyrë të pabesueshme premisat juridike dhe politike të Kosovës në këtë negociatë. Shikoni se çfarë thotë Thaçi në po të njëjtën intervistë:

Ajo çka unë synoj të arrij përmes kësaj marrëveshjeje, si institucione të Kosovës, por edhe populli i Kosovës me gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, para së gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një koordinim të ngushtë me Uashingtonin, është që të ndodhë njohja reciproke Kosovë – Serbi, si vende të pavarura dhe sovrane si dhe të hapet mundësia e sigurt, e garantuar për zëvendësimin e Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo mundësi është reale

Rezoluta 1244 është një dokument ndërkombëtar të cilin e njeh edhe Serbia, i cili në fakt përcakton kufijtë e Kosovës si të tillë që janë sot. Për cilën arsye atëherë sot Serbia që njeh kufijtë, por nuk njeh shtetin, po dëshiron të njohë shtetin, por jo kufijtë?! Këtë duhet të na e thotë z. Thaçi, i cili nga ana tjetër ka me vete edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare, vënë në lëvizje po nga Serbia, gjykatë e cila e shpalli si legal dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare Pavarësinë e Kosovës.

Çfarë lloj negociate është kjo që njohjen e Serbinë e paguan me një çmim të papranueshëm? Z. Thaçi dhe pas tij edhe Edi Rama thonë se sot shqiptarët po bëjnë paqen. Në fakt kjo nuk është e vërtetë. Shqiptarët sot po paguajnë me territore një paqe të re në Ballkan, ashtu siç e paguan në vitin 1913. Dhe çmimi më i rëndë është ai i poshtërimit. Përpara sesa të na paralajmërojnë për rreziqet e luftërave në Ballkan, Thaçi, apo Edi Rama duhet të na thonë se kush do t’i bëjë këto luftëra? Kush do luftojë në Kosovë dhe për çfarë? Kush do luftojë në Serbi? Kush shtet do luftojë kundër tjetrit? Këto kërcënime boshe nuk përputhen me realitetin e një rajoni që në fakt ezuaroi gatishmërinë për luftë pas viteve ’90. Mundet të ketë konflikte të kufizuara, përplasje, por luftë siç po na thotë Hashim Thaçi Jo. Ne i kemi sytë në ballë për të parë sesi po reagon Serbia edhe për një tarifë të Kosovës. Ne po ashtu kemi veshët dhe mendjen në vend për të dëgjuar dhe kujtuar se Serbia është promotore e zonës së përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Si do sakrifikoka ajo një interes të këtillë, apo edhe pozitën e rifituar strategjike për disa komuna?

Ka pak arsye të kuptueshme për të gjetur arsyet e këtij retifikimi. Nëse kjo është një mënyrë që Serbia të lëshojë nga neutraliteti i vet ushtarak e të hyjë në NATO si një gur që duhet në planin e përgjithshëm anti-rus, atëherë kjo nuk ka pse të bëhet me territorin shqiptar. Me strategji që ose ne nuk i rrokim dot, ose që kanë kapituj që ne nuk na zbulohen.

Dikur në vitin 1998, ishte Millosheviç që nuk pranoi të firmoste në Rambuje dhe ishte Thaçi ai që pranoi të firmoste versionin e autonomisë duke rrezikuar kosto personale. Ishte Milloosheviçi që bëri luftë pas referendumit dhe që pranoi dorëzimin jo duke firmosur me shqiptarët por me NATO-n. Duket se kokfortësia e tij po shpërblehet sot kur paradoksalisht një nxënës i tij po merr atë që as e ka dhe as mund ta ketë sado aeroplanë të blejë nga Rusia. Por po e merr nga një negociatë e çuditshme me shqiptarët.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.