Policia që nuk do donim kurrë!

Postuar në 28 Nëntor, 2018 23:54

Emisioni “Top-Story” është përqendruar në serinë e sotme në situatën kriminale në qytetin e Vlorës. Nëse e sheh në një vështrim të përgjithshëm, emisioni në thelb ka zbardhur dosjen e aktivitetit criminal për të cilin dyshohet dhe akuzohet në media, Edison Harizaj, i njohur si Faqedjeguri. Fjala është për personin që u ekzekutua në Shkozet të Durrësit pak kohë më parë dhe për të cilën siç konstaton edhe Top-Story ende nuk ka ndonjë të dyshuar kryesor.

Nga raportimi i ngjarjeve, shihet se pjesa më e madhe e të zhdukurve kanë si destinacion lagjen e quajtur “7 pallatet”, ku edhe banonte Harizaj. Një aludim u hapur ky se pas zhdukjes së disa prej personave në Vlorë qëndron personi në fjalë.

Por në thelb nuk është ky lajmi. Lajmi është se në tre vite në Vlorë ka 80 të zhdukur ende të pagjetur. Lajm po ashtu është se skema e ngjarjeve zbërthehet vetëm kur bie ai që përflitet se kryen aktet dhe më tej akoma, kryelajmi është sjellja e Policisë së Shtetit.

Nëse dëgjon familjarët e viktimave ata bashkohen në disa pika: kanë dijeni se fëmijët e tyre janë marrë me trafiqe, por nuk kanë asnjë habet për trupin e tyre. Të gjithë deklarojnë se nuk është bërë asnjë hetim. Kështu e ëma e Leonard Senkaj, kështu vëllaji u Nani Mehmetit, kështu babai u Mario Metushit. Këtë monotoni e thyen rrahja në ambientet e burgut të të penduarit gazmend Merkaj, që thuhet se ka raportuar zhdukjen e Albano Xhaferrit, një tjetër viktimë e supozuar ky e Harizajt.

Kjo vijë gjaku dhe likujdimesh që e ka kthyer Vlorën në një qytet ku krimi komandon, është dëshmia më e qartë dhe më dramatike e asaj që është Policia që Duam e ndërtuar nga Saimir Tahiri dhe që sot reklamohet nga Kryeministri Edi Rama. Zhdukjet kanë nisur që në vitin 2015 dhe janë intensifikuar rrugës, simptomë kjo e qartë e implikimit të sasive të mëdhë të parave që shpjegohet me trafikun e drogës. Ish-drejtori i Policisë, Ahmet Premçi thotë në emision se policia është e pamotivuar për të hetuar sepse i di lidhjet e krimit me politikën dhe me deputetët. Por kjo është njëra anë. Ana tjetër është bashkëpunimi i vetë policisë me krimin. I vëllai i Mehmetit shprehet aty se ai, pra vëllai i zhdukur ka patur miqësi me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës dhe me një tjetër polic që më vonë u ekzekutua në Shijak.

I ati i Mario Metushit thotë se ka patur telefonata kërcënuese pas çdo ecejakeje në komiasariatin e Fierit dhe se madje edhe nusja e djalit të zhdukur ka patur telefonat kërcënuese. Kush ka informuar për këto lëvizje veç punonjësve të policisë?

Nëse një polici sillet si shtojcë e aktiviteteve dhe grupeve kriminale, apo si vëzhguese, atëherë si mund të besohet se ajo nuk kap dot një të kërkuar si Klement Balili, me të cilin dikur patjetër që ka bashkëpunuar?

Situata është më emergjente se asnjëherë tjetër sepse nëse Gjykata bën padrejtësi, por duke mos fshirë dot gjurmët e një procesi të padrejtë, policia ka braktisur qytetarin. Duke mos regjistruar kallëzimet, duke mos hetuar, duke bashkëpunuar me krimin, duke mbyllur dosjet dhe duke e degdisur çështjen në vorbullën e vetëgjyqësisë. Kjo është policia që nuk do donim kurrë, që nuk i duhet uruar as hasmit, siç thotë një fjalë e urtë. Dhe është një policie nga e cila Duhet ruajtur. Duhet patur kujdes dhe duhet qëdnruar sa më larg. Do të duhet shumë punë që kjo që ndodh përditë të kthejë, të ndryshojë, sepse tanimë është e qartë: kriminalizimin deri në këtë pikë e ka kryer politika. Policia është viktima për vete, por ë e shndërruar në bandë apo organizatë me lidhje me krimin, është xhelatja e çdo qytetari dhe çdo familjeje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.