Zëri i një të pandehuri, jo Zëri i Popullit...

Postuar në 01 Nëntor, 2018 14:49

Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë, është shfaqur sot në një konferencë për shtyp për të dhënë atë lajmin e rëndësishëm që kishte njoftuar paraprakisht ditë më parë. Lajmi është se Antimafia italiane ka pushuar çdo hetim për personin e tij dhe se një gjë e tillë nuk po merret parasysh nga organi i akuzës në Tiranë. Tahiri ka akuzuar mediat dhe politikën për një lloj konspiracioni ndaj tij, teksa ka folur për atë që e ka quajtur dora e zezë.

...Më pas i kërkuan gjykatës italiane përfundimin e hetimeve se nuk ka asnjë hetim ndaj Tahirit unë sot kam vendimin e gjykatës ku thuhet se pushohen hetimet ndaj Tahirit se nuk ka asgjë ndaj Saimir Tahirit.

Po ajo dora e zezë këtë vendim prej muajsh nuk e nxori dhe nuk e shpërndau. Ajo që ka rëndësi sot është se unë u akuzova dhe nuk bëra politike, unë u përballa dhe sot jam i vetmi që vetëm pse përmendet në bisedat e disa trafikantëve jam hetuar dy herë në Itali.

Këtu në vendin tonë, kur ua do interesi politikanë e analistë, çirren studiove se nuk mund të mbahet përgjegjësi për vëllanë, gruan, motrën, kunatin, baxhanakun…

tha Tahiri duke aluduar për Xhafën, Edi Raman, apo edhe Sali Berishën.

Ish-ministri duket se po shteron burimet e veta arsyetuese, ai po flet kundër sistemit në të cilin bënte pjesë apo ndoshta edhe bën akoma pjesë. Pa përmendur emra konkretë, Tahiri ka lënë të kuptohet se çështja e tij nuk është më çështje drejtësie, por çështje klanesh. Ai flet përherë e më shpesh për të vërtetën, të cilën pretendon se e di, por që nuk ka kurajo ta bëjë publike. Dhe një e vërtetë që mbahet e fshehtë lidhet me sekretet e pushtetit, sekrete që në Shqipëri është e qartë se lidhen me vjedhjet, drogën, trafiqet. Nuk ka ky pushtet sekrete të tjera, sepse nuk ka asgjë të lidhur me ekonominë e vërtetë.

Saimir Tahiri po tenton një qasje si prej asketi, duke pretenduar se pas një viti persekucioni ai ka fituar disa cilësi ekumenike. Por ky zell oshënari nuk bind njeri. Sepse ish-ministri nuk ka asnjë fije pendese, ai thjesht ka mllef dhe inat, në mos urrejtje për ata që e lanë në baltë dhe për ata që i kanë duart më pis se ai e megjithatë bëjnë nga mëngjesi në darkë moral. Kjo situatë cinike mund të kuptohet, por ish-ministri nuk mirëkuptohet dot, sepse këtë situatë e heq në kurriz çdo qytetar i thjeshtë.

Dikur, Ilir Meta, armik i Saimir Tahiri dhe ndoshta një nga investuesit e goditjes së tij, foli thuajse me të njëjtën gjuhë. Gjatë procesit penal që nisi pas publikimit të videos së tij me Dritan Priftin, Meta u ankua për deformime e madje manipulime. Ai premtoi se do të kërkonte dhe nxiste një reformë të thellë në institucionin e Prokurorisë, që ishte e kapur sipas tij nga PS-ja. Koha kaloi dhe ai që sot është president I Republikës gjeti vetëm një zgjidhje. Një reformë. Atë që siguronte atë vetë. Vendosi në krye të Prokurorisë, Adriatik Llallën.

Analogjia është e qartë dhe kapshme. Zoti Tahiri kërkon drejtësinë e procedurave, ku pretendon se ka fituar. Por duke harruar se këtë drejtësi e ka falë mbrojtjes politike që mori nga Grupi Parlamentar i PS-së, kur u kërkua arrestimi i tij. Në fund të fundit, mosarrestimi i një ministri është formë e qartë e parimit të pandëshkueshmërisë dhe ekzistencës së një kaste të paprekshmish që kanë nisur të shantazhojnë njëri-tjetrin.

Pafajësia me vulë për Sajmir Tahirin, nuk ka për t’u parë për asnjë çast si Drejtësi. Sepse ai i vuri vulën Shqipërisë së kanabisit. Avantazhi I tij moral ndaj pasardhësit qëndron në një fakt të vetëm: ne e dimë pse iku Sajmir Tahiri nga detyra. Por ne nuk e dimë se përse iku Fatmir Xhafaj që sot kapardiset në Parlament si dishepull i shtetit të së drejtës. Në dimë për shkak të këtyre të dyve se Ministria e Brendshme është një institucion I kriminalizuar dhe i dyshimtë. Mjafton vetëm kjo për të kërkuar që ky njeri të mbahet jashtë poltikës, të procedohet në mënyrë strikte dhe prej nga kjo liri e fituar prej shantazhit dhe gjullurdisë që quhet Shqipëri, le të nisë e të predikojë moralin e tij dylekësh që po do ta proklamojë si “Zë të Popullit”. Ne duhet ta kemi kaq sens ironie me veten, është i shëndetshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.