Vettingu, i fundit në radhë...pas antikomunizmit, kat'harsisit dhe antikorrupsionit

Postuar në 25 Korrik, 2018 21:31

Vettingu është bërë një fjalë të cilës mazhoranca e sotme i ka dhënë peshë apo vlerë magjike. Edhe pse i ndërmarrë në kuadër të një procesi reformues, ai po shkakton kaos dhe kolaps në sistemin e drejtësisë, duke paralizuar gjykatat kryesore në vend.

E para kjo tregon paaftësinë e ekipti politik drejtues dhe ekspertëve për të planifikuar procedurat e duhuara. E kemi parë këtë shpesh me gabimet e qëllimshme ose jo në Kodin Zgjedhor. E dyta mbrojtja e vettingut me koston e kolapsit në gjyqësor, provon se vendi ka hyrë në situatën e jashtëzakonshme ku shteti unifikohet me qeverinë. Kjo nuk ka precedent dhe pezulluar një ndër parimet kushtetuese të të drejtës së gjithësecilit për të pasur një proces të drejtë gjyqësor.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar sot se vettingu po funksionon dhe po kthen shpresën e publikut se në Shqipëri mund të ketë drejtësi. Shqetësimi i zonjës duhet të ishte në fakt krejt tjetër. Sepse përpara se të merret me perceptimin e publikut, zonja Gjonaj duhet të sqarojë në planin teknik dhe procedurial se përse vetting na solli këtë derxhe. Se përse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përdor disa standarde ndërkohë që anëtarët e tij nuk kanë kalur për vete në vetting? Një qeveri serioze duhet të kujdesej që procesi në fjalë të mos kalonte në asnjë rrethanë kufijtë e Kushtetutës dhe të ligjit, që reforma të pastronte por jo të boshatiste dhe bllokonte.

Vettingu i sotshëm është vjega me të cilën inskenohet një gjueti kokash për kapjen e gjyqësorit. Përjashtohen për pasuri të pajustifikuar, por nuk ndiqen penalisht. Nuk shqyrtohen vendimet, ndërkohë që edhe për këto të fundit sugjerohen ligje speciale. Po flasim për reformë dhe jo revolucion. Rishikimi tërësor i vendimmarrjes së gjyqtarëve që nuk kalojnë vettingun është një ftesë e djallëzuar për të destabilizuar nga pikëpamja sociale edhe për 25 vjet Shqipërinë. Ka mënyra të tjera për të korrigjuar atë që mund të korrigjohet.

Le të vihet re sesa me djallëzi është zhvendosur vëmendja: nga arrestimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në fillime apo gjatë reformës, drejt goditjes apo ndalimit të gjyqtarëve. Politika po shkëput veten nga fusha e mëkatit për të braktisur në fatin e vet, në një lojë të re, beniaminët e vet në gjyqësor duke shpikur debat morale false.  Nga ato që janë pjesë e skenarit të tranzicionit. Antikomunizmi, kath’harsisi i socialistëve, antikorrupsioni dhe tani vettingu. Lojëra publicitare që thjesht dhe vetëm mbajnë nën narkozë një shoqëri që nuk po do të kuptojë se po përjashtohet nga të drejtat ekonomike në vendin e vet dhe që po arrin deri në pikën, sa të konsiderojë se ja dedikon qenien në këtë vend, klasës politike që e vjedh në vijimësi.

Vettingu trumbetohet kur hajdutëria qeveritare është e certifikuar nga çdo institucion ndërkombëtar, njësoj si antikomunizmi ngrihej në qiell ndërkohë që komunistët merrnin frenat e ekonomisë, apo si kath’harsisi i Nanos, një Pazar I gjësë së gjallë socialiste në majën e pushtetit dhe njësoj si Duart e Pastra të Berishës në bashkëpunim me Metën dhe pa cenuar asnjë interes të kupolës së PS-së. Dhe ata që drejtojnë dhe kapin ekonominë janë të njëjtët.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.