"Skualifikohet që në Grup" për kampet e refugjatëve që kërkoi vetë

Postuar në 25 Qershor, 2018 11:28

Kryeministri Edi Rama po përpiqet të marrë një fitore të vockël nga zgjidhja jo-shqiptare për krizën e refugjatëve në Europë. Përmes një statusi në Facebook, kryeministri ka orfuar leximin e vet për diskutimet në samitin e fundit të BE-së duke cilësuar se lajmet për kampe refugjatësh janë të rreme dhe të fabrikuara nga ata që ai i quan esadistët e rinj të Shqipërisë.

Dje Samiti i BE për krizën e refugjatëve shpoi tullumbacen gjigande të Lajmit të Rremë për Kampin në Shqipëri!

Ky lajm i prodhuar dhe propaganduar nga esadistët e rinj të Shqipërisë në politikë e media, s’ka asnjë lidhje me planet e BE për refugjatët. Mos t’ua harrojmë këtë turp

shkruan Rama.  

Të dalësh nga pozicioni i deritanishëm, i atij që nuk sqaron opinionin, në pozicionin e sulmit, kërkon një lloj paturpësie të madhe. Sepse lajmet për kampe refugjatësh në Shqipëri, u prodhuan nga media të huaja, u konfirmuan si versione në shqyrtim nga politikanë të rëndëssishëm në Europë dhe u zbuluan madje si propozime të palës shqiptare nga agjenci si Deutsche Welle. Esadistët shqiptarë e ndihmuan z. Rama me shejtan –budallallëkun e tyre kur përmendën shifrën 600 mijë.

Nga ana tjetër nuk është e qartë, nëse për kryeministrin e Shqipërisë është lajm i mirë, apo jo, moskonsiderimi i Shqipërisë si destinacion i mundshëm për kampe refugjatësh. Pasi nëse nga njëra anë kjo gjë i jep z. Rama fitoren e gënjeshtërt të mohimit të “lajmeve të rreme”, ajo konfirmon se Shqipëria shihet si një vend që nuk garanton dot, në aspektin e sigurisë, diçka më shumë sesa situata e brishtë ku ndodhet sot.

Lobimi grek për hapjen e negociatave me Shqipërinë, po bëhet me kartën e destabilizimit dhe jo në emër të një rishikimi qëndrimesh bazuar në standardet. Kjo pasi destabilizimi në Ballkan është karta më realiste dhe objektive, për arsye të korrupsionit, krimit dhe inkriminimit. Ndoshta janë këto arsyet që edhe kampi në Shqipëri nuk është konsideruar, për ta lënë qeverinë e Tiranës zyrtare me shijen e thartë të atij që nuk vlen as për këtë çështje. Lojërat retorike me esaditë janë mu për këtë arsye gjethja e fikut dhe asgjë tjetër për një lojë ku kryeministri hyri vetë apo nga ministri i Brendshëm e nga e cila nuk fitoi gjë. 

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

Në artikull nxirret konkluzioni: Të dalësh nga pozicioni i deritanishëm, i atij që nuk sqaron opinionin, në pozicionin e sulmit, kërkon një lloj paturpësie të madhe.

Ky është edhe thelbi i filozofisë dhe i mënyrës të sundimit të grupimit politik - Rilindje, që mban pushtetin që nga 2013 me mbështetje ekstreme popullore, aq sa edhe Erdogani do t'ia kishte zili. Përdorin metoda ekstremalisht ofensive për të c'orjentuar njerëzit, të amplifikuara edhe nga analistët e mediat e këtij grupim që duket se e bëjnë efektin e kërkuar tek masat dhe kanë tepër rezultat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.