Ide pa rezultat, mbetet në ajër çështja e emigrantëve

Postuar në 25 Qershor, 2018 10:01

Pa rezultate të prekshme u mbyll samiti i 16 udhëheqësve të BE-së, të cilët u takuan të dielën në Bruksel për çështjen e emigrantëve.

Burime nga Komisioni Evropian folën për një takim "të dobishëm" të udhëheqësve europianë, të cilët do të punojnë për propozime më specifike lidhur me çështjen e menaxhimit të migracionit. Një prej pikave ku u ra dakord ishte disbursimi i paketës së dytë të 3 miliardë euro për Turqinë.

Në tryezë mbeten  dy sugjerime. Së pari krijimi i kampeve në vendet jashtë BE-së, duke bërë ndarjen mes emigrantëve ekonomikë dhe emigrantëve që kanë të drejtë për azil. Së dyti, propozimi franko-spanjoll që kampet jashtë kufijve të BE-së të menaxhohen nga Brukseli.

Kancelarja Merkel u shpreh pro një zgjidhje evropiane kudo që të jetë e mundur. "Ne duam zgjidhje evropiane dhe transparente aty ku është e mundur. Duam më shumë marrëveshje me vendet e origjinës, siç kemi bërë me Libinë. Mandati i Frontex duhet të zgjerohet dhe të forcohet. Refugjatët nuk mund të zgjedhin se ku duan të aplikojnë për azil”- tha Merkel pas përfundimit të samitit.

Presidenti francez, theksoi se gjatë bisedimeve u refuzuan zgjidhje që janë të papajtueshme me vlerat evropiane, dhe theksoi se qëndrimet e kryeministrit të Italisë ishte në të njëjtën gjatësi vale me të tjerët. Ndërsa kryeministri grek Tsipras u shpreh për një politikë serioze në  mbrojtjen e kufijve të BE-së dhe për ndarjen e përgjegjësive në mënyrë që barra të mos bjerë vetëm në vendet pritëse.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.