Rezoluta “anti-amerikane” dhe diplomacia shqiptare

Postuar në 22 Dhjetor, 2017 10:09
Jordan Jorgji/Universiteti “Fan.S.Noli”

Paraditen e së enjtes diplomacia amerikane mori një “shuplakë” jo të lehtë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e mbledhur kjo e fundit urgjentisht pas kërkesës së iniciuar nga Turqia dhe Jemeni. Projekt-rezoluta me numër A/ES-10/L.22 u mbështet procedurialisht mbi Rezolutën 377A të vitit 1950 – e njohur ndryshe me emrin “Të bashkuar për paqe” (United for Peace) – pasi delegacioni amerikan vendosi veton në Këshillin e Sigurimit dy ditë më parë. Rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme thekson se statusi i Jerusalemit duhet të përbëjë stacionin e fundit të negociatave midis Izraelit dhe Palestinës, duke dënuar pa emër njohjen e tij si kryeqytet nga qeveria amerikane.

Ky zhvillim u pasqyrua menjëherë dhe gjerësisht në shumë vende të botës, përfshi edhe Shqipërinë, tek e cila debati mbi qëndrimin shqiptar u orientua midis përkrahësve “të heshtur” nga njëra anë dhe kundërshtuesve “të zjarrtë” nga ana tjetër. Madje këta të fundit këshilluan qeverinë shqiptare të mbështeste hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pas njoftimit të rezultatit të votimit rikujtuan paralajmërimin e presidentit Trump dhe Ambasadores Nikki Haley në lidhje me prerjen e asistencës për vendet që përkrahën projekt-rezolutën. 

Përtej dinamikës që mund të ndodhë në vijim për sa i përket procesit diplomatik të Lindjes së Mesme – për arsye se presidentit Trump i nevojitet një fitore në politikën e tij të jashtme – është e nevojshme të shihet se si do të zhvillohen marrëdhëniet e Uashingtonit me vendet që nuk përkrahën qëndrimin amerikan në votimin e 21 Dhjetorit, midis tyre dhe Shqipëria. Nëse vërejmë rezultatet e votimit shohim se vendi ynë nuk ishte i vetëm por mes shumicës së shteteve-anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, të cilat mbështetën projekt-rezolutën e Turqisë dhe Jemenit. Ashtu si Shqipëria votoi Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Rusia, Kina, por edhe vendet e rajonit si Turqia, IRJ e Maqedonisë, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Nga ana tjetër, vende jo krejtësisht të panjohura – siç ishin ato që votuan kundër projekt-rezolutës – abstenuan ose nuk morën pjesë në votim. Jo pa qëllim shtete si Australia, Argjentina, Kanadaja, Zvicra, Meksika, si dhe në Ballkan Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Rumania nuk kundërshtuan hapur qëndrimin e Uashingtonit. Interesant është fakti se një pjesë e këtyre vendeve nuk varen nga fondet që Trump kërcënoi se do të priten në rast devijimi, fonde të cilat presidenti Turk Erdogan i quajti “dollarë të vegjël”. Përtej miqësisë me Amerikën, është brishtësia që karakterizon disa prej këtyre shteteve në politikën e tyre të jashtme dhe asaj të sigurisë elementi kryesor i cili i motivon ato të ruajnë marrëdhënie duale harmonike si me Brukselin, ashtu dhe me Uashingtonin. Bosnjë-Hercegovina e destabilizuar, Kroacia që ndodhet “përballë” Serbisë, por edhe Çekia, Hungaria, Letonia, Polonia, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, të cilat kanë marrëdhënie të tensionuara me Moskën – disa edhe me institucionet e Bashkimit Evropian – e panë të arsyeshme të mos marrin hapur një qëndrim që do të ofendonte krenarinë e politikës së jashtme amerikane.

E rëndësishme është gjithashtu të theksohet se kalimi i projekt-rezolutës nuk përbën ndonjë humbje fatale për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në jo pak momente të historisë marrëdhëniet e Uashingtonit me Kombet e Bashkuara kanë qenë të tensionuara. Përmendim këtu kundërshtimin e presidentit Regan pas miratimit të rezolutës të vitit 1975 që identifikonte Sionizmin me racizmin, si dhe krijimin e aleancës nga George W. Bush për ndërhyrjen e armatosur në Irak, në momentin kur Këshilli i Sigurimit në vitin 2003 nuk pranoi ndërmarrjen e një aksioni kolektiv kundër Saddam Husseinit. Veç kësaj nuk është hera e parë që Asambleja e Përgjithshme miraton rezoluta që kundërshtohen nga me forcë nga Uashingtoni. Në Tetorin e vitit 1971, projekt-rezoluta e Shqipërisë dhe 22 vendeve të tjera arriti të “ulë” Kinën në karrigen e anëtarit themelues të OKB-së, edhe pse diplomacia amerikane u përpoq të pengonte një zgjidhje të tillë. Me një fjalë, Uashingtoni do e “rimarrë veten” sërish dhe shumë shpejt pas humbjes së djeshme. Kjo, sepse negociatat në Lindjen e Mesme nuk mund të realizohen pa praninë e drejtpërdrejtë ose indirekte të Uashingtonit në to. Temperamenti “i nxehtë” i presidentit Trump nuk e pengon rolin themelor që ka Amerika në politikën globale, sot dhe në të ardhmen. Megjithatë, vota kundër SH.B.A.-ve nga vendet që konsiderohen si aleate do të lexohet me kujdes nga Uashingtoni.

Shqipëria përbën sot – dhe ka qenë gjithmonë – një vend të vogël dhe të brishtë për sa i përket stabilitetit të brendshëm dhe sigurisë kombëtare. Elementi dallues është ai i lidhjes së aleancave me shtete të fuqishme në rajon dhe më gjerë. Në periudhën e Luftës së Ftohtë kujtojmë Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Pas kësaj periudhe, karakteristika kryesore e politikës së jashtme shqiptare u bë zhvillimi dual dhe harmonik i aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe paralelisht procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, dy stacione këto të pandara nga njëra-tjetra. Në këtë prizëm, Tirana mund të gjente një mënyrë për ti shpjeguar me kujdes dhe sinqeritet Brukselit – mbase dhe Ankarasë – se aleanca me Uashingtonin nuk e lejon atë të votojë hapur kundër Amerikës, edhe pse moralisht përkrah frymën e projekt-rezolutës. Abstenimi mund të ishte një qëndrim më i matur i diplomacisë shqiptare, duke i shërbyer kështu më mirë interesave kombëtare. Përveç ruajtjes së balancave, mesazhi se në pellgun e Ballkanit ekziston edhe Shqipëria që kujdeset për marrëdhënie strategjike me Uashingtonin dhe Brukselin do të kishte jehonë të madhe tek politika e jashtme amerikane, më shumë se deklaratat elektorale që u bënë kundër kandidatit të atëhershëm Trump.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.