Gjykatës partiakë për mbrojtjen e ish-ministrit të Brendshëm

Postuar në 06 Nëntor, 2017 15:42

Partia Socialiste dhe pas saj qeveria po luajnë në mbrojtje në rastin e Saimir Tahirit. Ky do të ishte një lajm i mirë nëse nuk do të shikonim një sjellje që të kujton Sali Berishën e 21 janarit 2011. 

Në përpjekjen për të goditur me një dosje opozitën që sot ushtron presion për çështjen “Tahiri”, socialistët ndjejnë se janë të bllokuar në kundërveprimin e tyre nga prokuroria. Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, akuzoi sot organin e akuzës se po përdoret politikisht.

“Prokuroria po përpiqet të mbyllë një për dosjeve më të qarta të korrupsionit në këto 27 vite, skandalit “CEZ”. Pa kryer asnjë hetim minimal, pa marrë në pyetje asnjë të akuzuar, asnjë dëshmitar, asnjë person në dijeni, pa marrë në konsideratë asnjë prej gjetjeve të Raportit përfundimtar të Komisionit hetimor parlamentar, Prokuroria që u ngrit brenda ditës për të arrestuar një deputet mbi bazën e një materiali të botuar në media me përgjimet e dy kriminelëve, jo vetëm nuk e vë ujin në zjarr për një material të shkruar me fakte kompromentuese e me emra peshqish të mëdhenj e të vegjël të dyshuar për krim ekonomik e korrupsion me përmasa tronditëse, po na e paska dërguar dosjen në Gjykatë duke kërkuar mbylljen e saj”, tha ai.

Duke gjykuar veprimet proceduriale të prokurorisë, një organ formalisht i pavarur, z. Balla ka marrë rolin e gjykatësit, pa e vënë edhe vetë ujin në zjarr për ato që thotë. Këtu duhet të kujtojmë se komisioni hetimor për aferën e CEZ u ngrit nga socialistët vetëm pasi PD-ja hapi debatin për shtetëzimin e kompanisë nga qeveria e majtë. Pra nuk ka patur asnjë vullnet për të hetuar çështjen përveçse si instrument presioni ndaj opozitës. Është e lexueshme që z. Balla dhe partia e tij duan zhurmën dhe diversionin, por këto nuk kanë vlerë sa kohë që në finale sistemi e çon akuzën penale në duart e Prokurorisë.

Edhe një moment tjetër meriton vëmendje. Letra e prokurorisë drejtuar Kuvedit që vë në dijeni për pushimin e hetimeve mban datën 9 tetor, pra rreth një muaj. Balla kujtohet vetëm sot dhe jo më parë që të alarmohet për këtë që po ndodh, çka lë dyshimin se askujt nuk I intereson të hetohet se çfarë ndodhi me CEZ veçse tani që një ish-ministër i Brendshëm është kapur në flagrancë edhe si njeri me patenta lundrimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.