Më mirë deputet apo koordinator?

Postuar në 26 Shtator, 2017 20:22
Zamir Alushi

Ju kujtohet projekti për zyrat e deputetëve socialistë në rrethe në vitin 2013. (Po shkrihen në një zyrë të vetme në vitin 2017! ) U kthyen në zyra pune, por funksionuan vetëm në momentin e fillimit, sepse vendet në administratë janë të kufizuara. Deputetët duke mos pasur akses në qeveri dhe administratë nuk arrinin të zgjidhnin asgjë, madje edhe hallet e tyre. Disa prej tyre ikën dhe bënë parti, të tjerë shpërthenin herë pas here në Kuvend, duke u kthyer në një problem për qeverisjen e majtë. Tani, me paktin e sapoarritur, të quajtur “Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Grupit Parlamentar të PS dhe qeverisë”, synohet krijimi i një modeli të ri deputeti, pa fjalë, që nuk bën politikë, por që ndjek rrugën e duhur për të të zgjidhur “hallet” e njerëzve. Në fakt, marrëveshja është një manual që nuk cenon as popullin as Kushtetutën, as ndarjen e pushteteve, por thjesht rregullon “etikën e sjelljes” së një deputeti. Me fjalë të tjera, është pakt me bazë morale, më i gjerë se sa ligji, por nuk shkel ligjin. Deputetët mund të kthehen në dele, por vetëm nëse kanë dëshirë. Për këtë duhet kuptuar marrëveshja. Ndoshta na ndihmon ky fjalor politik i nxjerrë nga marrëveshja:

Hartues i qëndrimeve strategjike

Hartuesi i qëndrimeve strategjike harton deklaratat e pozicionit, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes për palët, në punën dhe në qëndrimet e tyre. Hartuesi i qëndrimeve strategjike caktohet nga Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Grupit Parlamentar.

Koordinator

  • Koordinatorët e marrëveshjes koordinojnë dhe monitorojnë zbatimin e marrëveshjes. Ata janë tre të tillë: Nga Grupi Parlamentar është kryetari i grupit;
  • Nga ministrat është zv. Kryeministri;
  • Nga Partia Socialiste është Sekretari i Përgjithshëm.

Në punën e tyre koordinatorët ndihmohen nga Sekretariati i Përbashkët, i cili drejtohet nga Këshilltari i Kryeministrit, përgjegjës për marrëdhëniet me parlamentin e partinë, në përbërjen e të cilit koordinatorët kanë një ndihmës të përcaktuar prej tyre. Koordinatorët formojnë Grupin Këshillimor.

Organizator debati

Ky pozicion pune nuk ka të bëjë moderatorët e emisioneve politiken televizione. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat të cilët hulumtojnë mbi çështjet për “debatim” a për “kundërdebatim” (fjalëformim alla Kadare që haset shpesh në këtë marrëveshje), si dhe deputetët të cilët do mbrojnë pozicionin e partisë. Pranë Kryetarit të Grupit Parlamentar shërbejnë dy këshilltarë, të cilët ndihmojnë debatuesit apo kundërdebatuesit në përgatitjen e seancës së debatit.

Ndërtuesit e konsensusit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat që punojnë për ndërtimin e konsensusit parlamentar, si edhe për kuorumet e nevojshme për aktet legjislative.

Kujdestarët 

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton dy persona, të cilët kujdesen që marrëdhëniet e brendshme mes deputetëve dhe me anëtarët e kabinetit të jenë të ngrohta e miqësore.

Ndërmjetës me opozitën

Palët (ministrat dhe deputetët) bien dakord të caktojnë persona si ndërmjetës dhe komunikues me opozitën. Ky rol koordinon me palët, për të hapur linja dialogu me opozitën.

Ndërlidhësi komunitar

Ndërlidhësi komunitar mbledh dhe transmeton kërkesat dhe ankesat dhe problematikat e ngritura nga anëtarësia dhe qytetarët. Ndërlidhësi komunitar mbështet të deleguarin e qarkut për organizimin e dëgjesave publike, për të zhvilluar koalicionin me qytetarët.

Ndërlidhësi social 

Palët caktojnë persona si ndërlidhës socialë, të cilët shërbejnë si ndërlidhës mes tyre dhe grupeve të ndryshme sociale, shoqërisë civile dhe zonës “gri”.

Filtruesit e kandidaturave

Filtruesit e kandidaturave caktohen sipas nevojës për hulumtumin e kandidaturave për detyra dhe pozicione ku kuvendi ka rol në propozim dhe miratim.

Komisioni i Etikës

Me propozim të Kryeministrit, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar, si dhe me miratim të deputeteve krijohet Komisioni i Etikës. Ky komision:

a. Mbikqyr zbatimin e kësaj marrëveshjeje;

b. Mbikëqyr sjelljen dhe qëndrimin e secilit në raport me zgjedhësit dhe kolegët. (Pra, kush nuk bindet...)

Takime në qark 

Çdo ministër, brenda një viti, duhet të vizitojë të paktën një herë secilin qark të vendit, në bazë të një kalendari aktivitetesh të kërkuara apo dakordësuara me deputetët e qarkut, me fokus inspektimin e njësive të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, në fushën e përgjegjësisë së tyre. 

Indeksi

Bashkëlidhur kësaj marrëveshjeje gjendet lista e shtojcave:

  1. Kalendari vjetor i takimeve;
  2. Ngarkesa vjetore e takimeve;
  3. Tipologjia e takimeve;
  4. Takimet sektoriale;
  5. Pasaportat e roleve.

Pra, kjo marrëveshje sqarohet me rregullore të veçanta që do të dalin në zbatim të saj.   

Pasi kemi prezantuar këtë projekt, kujtojmë edhe një ngjarje nga e kaluara e afërt e koalicionit tashmë “të shkrirë”, që ndihmon në parashikimin e të ardhmes së afërt të kësaj marrëveshjeje. Thuhet se i pari i vendit, pasi u mërzit nga telefonatat e kryetarëve të partive të vogla që i kërkonin me ngulm punësimin e militantëve të tyre, i thirri në një takim në fund të vitit 2013, ku u kërkoi të zgjidhnin një përfaqësues. Ai u quajt “Koordinatori i partive aleate me PS-në” (përveç LSI-së). Pas shumë kohësh dhe koordinimesh një kryetar partie u bë zëvendësministër dhe ai vetë, në mënyrë simbolike u caktua  drejtor i arkivave, ku arkivoi edhe marrëveshjen. 

"TemaTv"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.