Sikleti i vizave dhe rripi që shtrëngon qeveria

Postuar në 20 Gusht, 2017 21:29

Më media u raportua për mundësinë e rikthimit të vizave me Holandën pas një raporti të Policisë dhe Prokurorise holandeze për kriminalitetin në rritje të bandave shqiptare të drogës dhe prostitucionit. Qeveria shqiptare mohoi të ketë marrë ndonjë notë nga qeveria holandeze, por nga ana tjetër sikleti i Tiranës është i dukshëm, kur raportimet vijnë nga qeveri të huaja.  

Ekspozimi si vend i prodhimit dhe trafikut të kanabisit e bën Shqipërinë një vend eksportues të kriminaliteit në Europë dhe në këtë pikë qeveria ka përgjegjësitë e saj që lidhet me mungesën e kontrollit në një territor ku prodhimi i kanabisit u shumëfishua në 4 vjet. Të tilla rekorde  kalohen me përgjigje që nuk thonë  asgje.

Pretendimi se policitë partnere janë të pranishme në Shqipëri  vështirë të heqin dyshimet se policia shqiptare nuk u ka lënë fushë veprimi grupeve kriminale.  "Unë theksoj edhe njëherë se Policia e Shtetit shqiptar bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha homologet e veta, me misionet, atashetë që janë vendosur në Shqipëri, që mbështesin policinë shqiptare dhe janë të gatshëm për të ngritur grupe pune të përbashkëta hetimi, për të hetuar dhe goditur të gjitha këto grupe kriminale duke filluar që nga transfertat financiare të tyre e deri te konfiskimi i aseteve që ato kanë në Shqipëri" -tha Drejtoresha e Kufirit dhe e Migracionit në Ministrinë e Brendshme Aida Hajnaj duke komentuar lajmin për mundësinë e rikthimit të vizave me Holandën. 

E pyetur gjatë një inspektimi  në pikën kufitare të Kakavijës ajo tha se Holanda nuk ka shprehur asnjë shqetësim për shqiptarët që udhëtojnë apo qëndrojnë në këtë shtet në kuadër të marrëveshjes Shengen. Por nga ana tjetër policia ka forcuar procedurat e kalimit të shqiptarëve në kufi, duke treguar fytyrën që e ka shoqëruar në këto 25 vite, shtrëngon rripin ndaj shtetasve të vet, sa herë alarmi vjen nga jashtë.

Qershia mbi tortë është komenti i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili bën baritorin e një audience që rritet bashkë me Partinë.  “Gjinkallat e dëshpëruara të 25 Qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave! Shërim të shpejtë”- shkruan Bushati në ‘Facebook’.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.