Luan Malltezi jep garanci që nuk dihet nga vijnë: Detyrimi për të votuar do të jetë me ligj

Postuar në 05 Korrik, 2017 08:59

Luan Malltezi, që mban titullin profesor në lëmin e historisë, i kthehet sot temës së politikës së ditës, duke shkruar në “Gazeta Shqiptare” një opinion për zgjedhjet në Partinë Demokratike. Malltezi nuk sqaron se në çfarë cilësie shkruan për këtë çështje, pasi opinionet janë një komunikim publik, çka lë për pasojë mendimin se ai është pjesë e debatit si përfaqësues i rrethit të ngushtë të Sali Berishës.

Përtej kësaj, “argumentet” që jep profesori janë disi të habitshme, shumë të thjeshtura dhe nuk i shërbejnë një partie që synon të jetë edhe për qytetarët, përveçse për dy familje dhe disa interesa.

Thotë ai:

PD po kalon një situatë të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit për shkak të blerjes masive së votave nga PS. Në këtë situatë, “ish-krerët jashtë liste të PD” po sulmojnë egërsisht kryetarin Basha, duke ngritur akuza të rënda kundër tij. Flasin për shkelje statuti, për tjetërsim të simboleve të PD, për përpjekje për ta kthyer PD në parti familjare etj. A kanë të drejtë? Sigurisht jo, të gjithë demokratët e dinë se asnjëherë statuti nuk ka pasur kurrë këtë vlerën që përpiqen t’i japin. Pas humbjes së zgjedhjeve, Basha ka kërkuar zgjedhje të lira në PD për postin e kryetarit: kjo rrugë është e hapur për të gjithë. Zemërimi i papërmbajtur ndaj Bashës vjen ngase “këta liderë” nuk ishin përfshirë në listën e tij. A duhej që Basha t’i përfshinte në listë? Mendoj se jo, sepse ish-liderët jashtë liste të PD nuk mbështesnin kryetarin Basha në çadrën e lirisë; disa madje ishin kundër qëndrimit të tij publik për të mos marrë pjesë në zgjedhje me Ramën në pushtet, të tjerë nuk u ndjenë fare, sepse prisnin të ishin në listat e PD”.

Pra zotëria këtu e ka shpjegimin. PD-ja humbi se PS-ja vodhi votat, kundërshtarët nuk kanë të drejtë sepse nuk ishin në çadër. Për më tepër që “të gjithë demokratët e dinë që statute nuk ka patur vlerë”. Thjeshtë, qartë dhe troç. Kjo parti është parti e një personi, pse dërdëllisin këta opozitarët? Kjo duket sikur rrjedh si pyetje nga shkrimi I profesorit në fjalë.

Më poshtë ai ka edhe prognozën sesi nuk vidhen zgjedhjet. Mjafton që votimi të bëhet me detyrim ligjor dhe ja, kjo punë mbaroi. Madje Malltezi, ndonëse nuk ka asnjë funksion politik, jep garanci se kjo do të ndodhë.

Të jeni të sigurt miq demokratë dhe socialistë se në zgjedhjet që vinë nuk do të ketë më blerje votash; mjafton miratimi i një ligji që detyron të gjithë shtetasit të votojnë në zgjedhje që e mbyll një herë e mirë këtë fenomen të shëmtuar. Ky ligj vepron në Greqi prej vitesh. Jam i sigurt se edhe në Shqipëri të gjithë deputetët do ta miratojnë këtë ligj për të mbyllur këtë fenomen”, shkruan ai.

http://www.gsh.al/2017/07/05/kush-mund-ta-konkurroje-bashen/

Nga buron kjo siguri? Nga fakti se fati i Shqipërisë dhe votuesve po diskutohet në mjedise që thjesht mund t’i marrim me mend? Dhe pse kërkohet detyrimi me ligj për të votuar, kur shteti sot nuk garanton dot votimin e emigrantëve? Si do të harmonizohet në ligj një gjë e tillë, pa folur këtu se kjo kërkesë reflekton pranimin e atij faktit tjetër se PD-në e BOJKOTUAN. Tjetër gjë mund të pritej nga një profesor doktor, nga një akademik, jo ky doracak për militantët e mërzitur. Detyrimi me ligj për pjesëmarrjes është antikushtetues dhe mbi të gjitha ai është nul sa kohë shumëkush do të ushtrojë votën e bardhë, qoftë edhe mbi këtë Lulin, që zotëria e quan lider.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.