Alien: The Covenant? Shumë zhgënjyes

Postuar në 20 Maj, 2017 01:07

Alien: The Covenant është shfaqur më në fund në kinema. Sugjerimi modest: Mos e merrni mundimin ta shihni! Të paktën jo në kinema.
Pritmëritë dhe spekullimet e krijuara nga fragmentet e publikuara këto kohë, për një film që pason “Prometheus” e që shpalos ambiciet e një epike njerëzore që i afrohet kufijve të ditëve të fundit, nuk justifikohen. Dhe dita e fundit është në fakt një lloj Post Humanizmi ku në skenë dominon një Mbinjeri – apo më mirë një Post – Njeri, një krijim i njeriut që vret krijuesin. David, androdi sintetik që i mbijetoi aventurës në “Prometheus” rishfaqet në “The Covenant” si një farë inxhienieri biogjenetist me përfytyrime apokaliptike për shkatërrimin e “racave në agoni” dhe krijimin e një specie tjetër, ku Zoti padyshim është ai.

Prerja fizike e Fassbender që luan David dhe përzgjedhja prej tij e muzikës së Vagner na çojnë nga një android në një lloj nazisti që funksionon si makineri racionale dhe e ftohtë. Njerëzit, ekuipazhi, kolonët e “Besëlidhjes”, të gjithë ata me besimin e tyre janë thjesht viktima të vetvetes.
Në këtë narrativë ka padyshim një aspekt biblik me të cilën Ridely Scott është shumë i familjarizuar. Por aty nuk ka asgjë të re nga pritmëritë e mëdha për “anën tjetër”, për “alienët dhe si janë ata”. Pasqyra e udhëtimit të njeriut në hapësirë është zhdukja ose krimi, holokausti.
Interesi për atë që ndodh me Elisabet Shaw në fundin e “Prometheus” gjithësesi zgjidhet me një skenar krejt befasues por kaq të njohur në këtë zhanër. Këtu duhet të nënvizohet se “The Covenant” vuan nga një dobësi e madhe në dinamikën e zhvillimit kur kupton se çdo ngjarje, me aksion dhe thriller të ekzagjeruar, por gati banal, synon që përmes një serie incidentesh të çojë aty ku Scott do: pra të takojmë David dhe Shaw.

Si zhvillohen ngjarjet? 
Filmi nis me një pjesë të shkurtër që vendos Peter Weyland(Guy Pearce) me David, androdi që nis të bëjë pyetje shqetësuese. Për këtë arsye, “The Covenant” që udhëton 10 vjet pas zhdukjes së “Prometheus” menaxhohet nga binajku i David, Walter. Në bord janë 2000 kolonë dhe embrione që udhëtojnë drejt një planeti për të kolonizuar: Origae 6. Drejt një bote të re. Rrugës, anija që Walter e menaxhon bashkë me kompjuterin qendror(Nëna) goditet nga valët e një shpërthimi të një neutrinoje që i shkatërrojnë panelet e energjisë. Ekuipazhi zgjohet nga dhomat e letargjisë dhe rimerr komandimin. Gjatë përpjekjes për të rregulluar panelet në kaskën e një pjesëtari shfaqet një sinjal në formë holograme. Sinjali identifikohet nga një planet dy javë distancë larg. I përshtatshëm për jetën, ai vendos në dilemë kapitenin e ri, një njeri fetar, i cili në mënyrë shumë të çuditshme për udhëtime kaq të komplikuara vendos të ndryshojë kursin. Diçka e papërtypshme.

Planeti rezulton se është planeti i inxhinierëve, aty për ky u nis Elisabet Shaw dhe David në fund të “Prometheus”. Por aty ekuipazhi, që sërish në mënyrë krejt të çuditshme dhe me një shkujdesje që e bën të duket thuajse të trashë, zbret pa mbrojtje në planet dhe me armë të lehta. Skenari hyn në rrjedhë krejt monotone për atë që ka parë sagën “Alien” sapo nis infektimi nga “kërpudha” artificiale që ndodhen pranë burimit të sinjalit. Nis e njëjta shfaqje me alienë që riprodhohen në trupat njerëzorë.
Pikë kthese është gjetja e burimit të sinjalit, anija e inxhinierëve që u mor nga Davi dhe Shaw. Vetë David shfaqet dhe me pamje të ndryshuar, po aq cinik dhe që e drejton ekuipazhin duke e marrë në mbrojtje drejt qytetit të rënuar të inxhinierëve. Në planet nuk ka asnjë moment me diell, vetëm shi, rrënoja të një qyteti, një shesh rrethor, dominuar nga monumente guri dhe kufoma pafund. Një lloj Rome e përmbytur nga holokausti i banorëve të vet, si spektakël makabër. Scott na çon në pikën kur zbulohet se David sapo zbriti në planet aktivizoi armët e inxhinerëve duke shfarrosur të gjithë racën e tyre. Në këtë pikëpamje, kemi dy qytetërime që marrin fund nga “Prometheus” te “The Covenant”: ai i inxhinierëve që kërkonin të zhduknin Tokën, të cilën “e mbollën” po vetë me jetë dhe i njerëzve që shohin te fundi i tyre të ardhmen e afërt të vet. Në të dyja rastet, po ai motiv biblik i “Zotit që krijoi njeriun sipas imazhit të vet” shfaqet si temë qendrore për të shpjeguar po njësoj pse inxhinerët donin likujdimin e njerëzve.
Androidi David, i pajisur tanimë çuditërisht me emocionin e madh të të qenit Krijues, na jep përgjigjen. Krijimi nuk mund të kontrollohet. David i rrëfen “vëllait” Walter sesi shfarrosja e organizuar prej tij çoi në krijimin e Neomorfëve – diçka e ngjashme me Ksenomorfin e famshëm, por patogjeni i krijuar ishte kaq virulent dhe kombinues saqë ai çoi në krijimin e insekteve shkatërrimtare për vetë “krijesat e tij të dashura”.
Ai sakrifikoi edhe vetë Elisabet Shaw për të prodhur hibridin. Këtu hyn në skenë roli i njeriut si viktima, apo si kavia e nevojshme për David. Parazitët e tij duan njeriun që të prodhojnë hibridin ndaj edhe David e rregulloi sinjalin e emetuar në hapësirë. 

Çështja është sesi është e mundur që David ndjek me përpikmëri një plan kaq të ftohtë, ndërkohë që njeriu vendos në mënyrë iracionale dhe madje budallaqe kur vendos të ndërrojë kursin e një udhëtimi me rëndësi kapitale? Skenari këtu çalon dhe është shumë artificial. Le të kujtojmë sesi ndodhi kolonizimi i Amerikës dhe sesi kjo qasje përmbyset për të na thënë se kërkimi shkencor pa armët mund të rezultojnë fatal.
Me recetën e viktimës dhe fundit të sigurtë mbyllet edhe “The Covenant” dhe sërish me një motiv biblik: David shtiret si Walter dhe merr drejtimin e anijes nënë, “The Covenant” duke likujduar të gjithë kolonët. Ai ka marrë me vete embrionet e dy parazitëve dhe lë të gjallë vetëm dy pjesëtarë të ekuipazhit: kapitenen Daniels dhe pilotin Tenesi. Varka e Noes, Adami dhe Eva, nisen kështu drejt Origae 6 nën drejtimin e Krijuesit David, apo inxhinerit, një përdorim ky i hapur i leximeve alternative që ië bëhet shpesh Dhjatës së Vjetër.

Filmi vuan edhe nga i njëjti paradoks që përpiqet të vërë dukje në skenar: Fassbender që luan rolin e një androdi perfekt, që nuk vritet, as vdes, as plaket, as ha dhe as pi, vetë shfaqet në rol më i plakur sesa në krahasim me “Prometheus” dhe është diçka shumë argëtuese të shohësh gërryerjen e tij kur aktori kompromenton rolin me aspektin e vet njerëzor: Plakjen dhe një shëndoshje të lehtë. E vërteta e madhe e filmit është se udhëtimi në hapësirë nuk u përket njerëzve, por makinave. Ose të paktën imagjinata jonë, apo shkenca nuk na çon dot në ndonjë destinacion shumë të largët. Toka është shtëpia jonë, por njëfarësoj edhe burgu ynë kozmik. Të paktën deri më tani. Sa për Scott, kësaj radhe nuk tha gjë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.