Sharra me dy presa e Metës në gozhdën e butë të Ramës

Postuar në 04 Prill, 2017 14:08

Heshtja disaorëshe e kryeministrit pas qëndrimeve të Ilir Metës për krijimin e një qeverie të besimit që do të ketë edhe pëlqimin e opozitës, u thye nga kryeministri me një shënim në Facebook. Pa shumë komente rreth LSI-së, kreu i qeverisë e përqëndroi sërish analizën tek PD, kur në fakt presionin më të madh e ka nga partneri i tij, të cilin vazhdon ta quajë bashkëkryetar të koalicionit. Një premisë që shkon përtej këtij mandati dhe që i jep mundësi kryeministrit të shpresojë në një reflektim të Ilir Metës për të mos u shkëputur nga "torta" e koalicionit.

Më poshtë statusi i kryeministrit:

E vlerësoj përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës, Ilir Meta, për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike. Edhe unë kam qënë dhe mbetem i gatshëm per cdo zgjidhje që i'a lehtëson Partisë Demokratike rrugën për t'u kthyer në Kuvend; votuar Vetingun; vazhduar betejën e vet politike në shinat e Kushtetutës e të ligjshmërisë dhe garantuar bashkë me ne, që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lirat e më të ndershmet të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.

As do te kthehemi mbrapa, as do të ndalemi në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga Vetingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje!

Nëse Partia Demokratike kërkon një diskutim serioz me ne, jam i gatshëm të ulemi për të diskutuar, që sot, edhe në çadër po të jetë nevoja. Dialogu ka qenë e mbetet gjithnjë zgjedhja ime e parë dhe unë kam qenë e jam i hapur për cdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike. Kushtetuta jonë është shumë e qartë - zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor. Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithcka tjetër.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.