Me çfarë do ta ndihmojë Shqipëria Kosovën?

Postuar në 27 Janar, 2017 11:22

Politika e ditës po jep shoun e vet për tensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe i fundit që ka lëshuar xhevahirin e radhës është ambasadori ynë në Prishtinë, Qemal Minxhozi. Sipas  tij shqiptarët e Shqipërisë janë të brengosur për situatën e fundit në Kosovë dhe reagimi që mund të vijë në ndihmë të vëllezërve nga Kosova do të jetë alla shqiptarçe.

“Ne jemi shqiptarë, dhe do të reagojmë si shqiptarë. Nuk ka Shqipëri e Kosovë por ka shqiptarë, jemi një komb dhe kemi detyrime për bashkëkombësit”-ka theksuar Minxhozi. Pyetja e parë është çfarë nënkupton ambasadori me thënien do reagojmë si shqiptarë? I është referuar ndonjë fjalori encikolpedik apo e ka fjalën si shqiptarë brenda NATO-s? Nëse do të hamendësojmë mbrojtjen e vëllezërve të Kosovës me devizën “jemi një”, atëherë lufta është një opsion, i hedhur në shesh të burrave edhe nga ish-kryeministri Berisha në seancën plenare të së enjtes.

Këto deklarata janë më shumë se Don Kishoteske në një shtet që nuk po ia del në luftë me vlastarët e kanabisit e jo më të kërcënojë se do reagojë me inatin e shqiptarit. Koha e Gunave përmbi tela ka ikur dhe kërcënime të tilla thjesht sa bëjnë edhe më qesharak shtetin shqiptar, që duhet të ofrojë diçka më shumë si përgjigje sesa folklorin. Edhe sot u bë e ditur se Serbia do të blejë armatime nga Bjellorusia, diçka që nuk shkon në drejtim me uljen e tensioneve. Ambasadori, por asnjë prej pushtetarëve në Tiranë, as edhe Sali Berisha që ka halle boll këto kohë e që flet për luftën nuk përmendin faktin se Shqipëria është anëtar i NATO-s, se në Kosovë ka një mision që quhet KFOR që përgjigjet për sigurinë. Jo, këta trima flasin për luftë shqiptaro-serbe, diçka e papritur dhe jashtë skenarit të angazhimeve të vendit tonë. Ose dinë ndonjë gjë, ose këto karagjozllëqe nga njerëz politikë të një shteti që nuk siguron dot një pulari, nuk duhen marrë më seriozisht. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.