Një problem me kanabisin që zbulon një Problem të madh me qeverinë

Postuar në 08 Tetor, 2016 17:23

Ka vetëm një mënyrë për ta kuptuar deklaratën e sotme të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Dhe kjo mënyrë është njësoj si serioziteti me të cilin duhet marrë ndjesa që kryeministri aktual Edi Rama, bëri për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Një ndjesë e cila nuk shoqërohet me përgjegjësi, është një shfaqje e vockël teatrale, sa për të hedhur lumin, sa për të gënjyer edhe njëherë, duke thënë një gjysmë të vërtetë. Sepse ajo që na thotë minstri i Brendshëm kur flet për “një problem me kanabisin” është një gjysmë e vërtetë që zbulohet e gjitha kur lexon fjalën e tij të plotë.

Pranimi zyrtar prej Saimir Tahirit i “problemit të kanabisit” erdhi paradoksalisht pas publikimit të konkluzioneve të Guardia di Finanza, e cila dha shifrën 2.4 milionë rrënjë të asgjësuara. Më herët, qeveria i është përmbajtur shifrës 99.8% asgjësim, gjithnjë një statistikë e pafrytshme sa kohë Shqipëria rezulton e kanabizuar përditë.

Për këtë arsye kjo dalje dhe ky pranim i problemit mund të kërkohen te dy aspekte që  objektivizohen te kjo inkoherencë:

Së pari prokuroria dhe SHISH janë hedhur në veprim për të bllokuar sasi kanabisi që kanë kaluar nën hundën e policisë. Dhe dihet se janë dy organe që nuk kontrollohen nga qeveria dhe Tahiri. Dhe së dyti ndoshta kjo lidhet me sezonin e korrjeve që e mbyll çështjen kanabis deri në sezonin tjetër.

Sa për vetë Saimir Tahirin, ai ka gjetur një levë për të justifikuar zhvillimet e ditëve të fundit që i kanë rikthyer emocionet e verës dhe të çështjes me pajisjen përgjuese. Ministri preferoi ta shohë problemin si dukuri sociale e që nuk buron nga mosveprimi i Policisë.

Unë i kuptoj qytetarët e zonave më të thella të Shqipërisë, që ngasja për të luftuar varfërinë, i con te prova për të shkelur ligjin duke mbjellë disa rrënjë kanabis. Nuk i quaj kolumbian e trafikant siç bën opozita, por sigurisht i them se kjo nuk është mënyra për të luftuar varfërinë”, tha Tahiri.

 Sigurisht që edhe leximi i statuseve të kryeministri në Facebook, për Shqipërinë që po rilind, nuk është një mënyrë. Sepse fjala nuk e mban shpirtin gjallë dhe këtë e di shumë mirë partia e Saimir Tahirit që ndenji 8 vjet në opozitë.

Ajo që ministri i bishtnon qëllimisht e që e bën të pasinqertë këtë “autokritikë” të tij është fakti se problemi i kanabisit në Shqipëri është përhapja territoriale e tij nga jugu në veri. Janë raportuar edhe zona afër Tiranës të mbjella, në Vlorë, Gjirokastër, Mallakastër, Lushnje, Skrapar, Berat, Korçë, Shkodër, Lezhë dhe Pukë, Kukës e kudo. Nëse është varfëria që shtyn gjithë këto zona drejt kultivimit të kanabisit, atëherë ministri po na thotë se qeveria ka dështuar me të gjitha politikat e saj, se investimet që trumbeton nuk kanë dhënë rezultat, se po, punë ka, por jo aty ku shkruan statistika zyrtare.

Kanabisi dhe ikja jashtë janë dy alternativat më të mira ekonomike për një pjesë shqiptarësh sot.  

Ministri vjen nga një përvojë pune ku në tre vjet ka kuptuar mirë se çfarë efekti krijon represioni policor. P.sh veprimi i policisë mbi vjedhësit e energjisë elektrike,  prezenca e policisë në ndalimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, apo edhe në ndalimin e lojërave të fatit që nuk ishin të formalizuara dhanë rezultate. Dhe këto rezultate janë trumbetuar nga vetë qeveria, përveç rastit të lojërave të fatit, ku është e qartë se ka tolerim. Për këtë arsye mbetet e pashpjegueshme se për cilat arsye ky angazhim kaq i madh nuk arrin të paktën të dekurajojë kultivimin e kanabisit që po korret e po mbillet ngado. Nëse ka të bëjë kjo me strategjinë që po ndjek policia, atëherë duhet që ministri ta thotë.

Por nuk është ky rasti. Dhe një tjetër mmesazh që na vjen nga Saimir Tahiri na e bën të qartë këtë.  

Mendoj se trafikantët e vërtetë për t’u gjykuar, janë ata që kanë qenë në qeveri e pushtet, e që në 20 vitet e shkuara, kanë gënjyer shqiptarët vazhdimisht, duke u fryrë vetë e duke përfituar nga varfëria që mbillnin në shtëpiat tona. Për cilindo më parë, ka qënë më e kollajtë varfëria, se blihej më lehtë për zgjedhje. Papunësia, se gënjehej më lehtë për vota”, tha ai.

Ky është ilustrim i qartë i demagogjisë si sëmundje. Dhe këtu del hapur mungesa e sinqeritetit në këto lloj konferencash apo deklaratash për shtyp. Nëse do të përqendrohemi te droga, para pak ditësh kryeministri publikoi një video të përhapjes së kanabisit në Shqipëri në vitin 2007-2013 sipas të dhënave sekrete të policisë. Që këtej nis diskutimi. Që nga kjo përgjegjësi dhe ky realitet, i cili me operacionin e armatosur vetëm në Lazarat, praktikisht u mbajt qëllimisht i fshehtë. “Me sytë nga Lazarati” u luajt një skenë që konservoi problemin e kultivimit gjetkë, edhe pse kanabisi është një zgjidhje sociale për varfërinë të cilës qeveria nuk ka se çfarë t’i bëjë. Ndaj edhe ndoshta përhapet kaq shumë.

Është një rreth vicioz që ushqehet nga propaganda e sukseseve, gënjeshtra e Shqipërisë kantier pune nga njëra anë dhe problemeve që sa vijnë e shtohen. Probleme që për pushtetin nuk duhet të lejohen të konfigurojnë perceptimin, as të ndikojnë humorin e shoqërisë. Një politikë dritëshkurtër dhe që vetëm shqiptarët nuk ka në hesap. Të cilëve u serviret një media kazan dhe një opozitë e baltës, edhe pse “kemi një problem me kanabisin”...që hidhet kështu si i vogël dhe i mbajtur në kontroll, por që po na zbulon se kemi një problem shumë të madh me qeverinë që po kërkon me patjetër budallenjtë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.