Sabit Brokaj “rrëzon” Katovicën e Servet Pëllumbit. Dokumente nga Moska erdhën që në vitet ’82-83, por ato i “vaksinonte” Sulo Gradeci

Postuar në 29 Gusht, 2016 14:06

Sabit Brokaj, mjek i Enver Hoxhës dhe ish-ministër Mbrojtjeje, ka dhënë sot një intervistë për gazetën “Panorama”, ku flet për periudhën e fundit të regjimit komunist në Shqipëri. Brokaj del me një “tezë” që sipas tij i përgjigjet të dhënave zyratare që ai thotë se i ka lexuar përmes azhanseve që i shkonin Enver Hoxhës. Në cilësinë e dëshmitarit, mjeku i Hoxhës thotë se dështimi i socializmit si praktikë dhe komunizmit si teori ishte vlerësuar nga institute studimi në Moskë që në vitet ‘82-83. Madje vlerësime të tilla i dërgoheshin edhe udhëheqjes shqiptare, ose më mirë ato i siguronte edhe Shqipëria.

Thotë Brokaj:

“Sistemi socialist në formën e organizimit lidhur me pronën, ekonominë është i bllokuar dhe nuk premton asgjë dhe për këtë kërkohet ndryshim rrënjësor i tij”. “Vetë themeluesit e socializmit, një institut i studimeve politike dhe ekonomike në Moskë kishte dalë në konkluzionin se komunizmi nuk ka më perspektivë, ka dështuar si ideologji dhe praktikë ekonomike. Këtë unë e kam lexuar nga azhanset që i shkonin Enver Hoxhës.

Ka qenë viti 1982-1983. Sulo Gradeci na kërkonte ne, grupit të mjekëve që të lyenim me formalinë çdo shkresë apo material që do të lexonte Enveri, me qëllim që të mos depërtonte ndonjë infeksion dhe na jepej mundësia që para se t’i lexonte Enveri lajmet kofidenciale, t’i kishim lexuar ne. Këto studime iu rekomandonin udhëheqësve politikë të vendeve komuniste të Lindjes që të ndërmerrnin reforma të mëdha ekonomike për ndërrimin e kahut, sepse socializmi kishte dështuar”.

Nga kjo dëshmi, e cila duhet marrë me rezervë të madhe si çdo dëshmi që vjen nga njerëz që kanë qenë pranë regjimit të Enver Hoxhës, del se:

Sigurimi i udhëheqjes me Sulo Gradecin në krye, një njeri me formim politik zero, filtronte dhe “vaksinonte” materialet që lexonte Enver Hoxha. Tezë kjo që lë shumë për të diskutuar.

Së dyti, ky referim nga Moska që thotë Brokaj përkon në kohë me atë që njihet si “shansi gjerman”, kohë kur Enver Hoxha zhvilloi disa takime me kancelarin e Bavarisë, Shtraus.

Së treti, Brokaj thotë se fajin për mungesën e reformave e ka Ramiz Alia që nuk pati kurajën të hidhte hapat e nevojshëm. Për prishjen e shansit gjerman është akuzuar po ashtu Ramiz Alia, i cili del kështu më konservator sesa Enver Hoxha. Në një intervistë të vetën Ismail Kadare thotë se në vitin ’89-90 udhëheqja sovjetike kishte kontakte me udhëheqjen shqiptare për të penguar ndryshimin, një akuzë që shkon direkt te Ramiz Alia.

Së fundmi, dëshmia e Brokajt që ka si implikim një rishikim të rolit të Enver Hoxhës që i mvishet këtu atributi i një reformatori në tentativë, përplaset me prononcimet e Servet Pëllumbit, që shpesh ka deklaruar se materiale në Moska kanë ardhur edhe në vitin 1987-88. Por kësaj radhe, këto materiale, që njihen si Katovica, u zbatuan me përpikmëri nga Ramiz Alia. Kjo tezë e Pëllumbit nuk gjen mbështetje në asnjë dokument zyrtar, njësoj si deklarimet e Brokës që synojnë të nxjerrin Enver Hoxhën një burrë shteti që do ta çonte Shqipërinë drejt ndryshimit të kontrolluar.

Është një lëmsh mendimesh dhe dëshmish që jo rrallë janë të qëllimshme, që apelojnë për “objektivitet” aty ku duket se ka përpjekje të neutralizohet regjimi i i Hoxhës me akuza për krime. Ndaj e mira është që të hidhet dritë mbi këtë periudhë, duke hapur dokumentet e kohës, të cilat sidoqofshin, edhe “pro” edhe kundër Hoxhës apo Alisë, as shtojnë asgjë e as heqin në atë që bëri regjimi. Dhe kjo hapje dokumentesh duhet edhe që të pushojë së bilbiluari kjo lloj pedagogjie në distancë që ushtrohet përmes gazetave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.