Nuk ka më shqiptarë që lëvizin me vizë në Europë

Postuar në 04 Maj, 2016 14:08

Që sot e tutje nuk ka më shqiptarë të Ballkanit që lëvizin me viza në Europë. Muri i fundit ka rënë me rekomandimin e mirautr sot nga Komisioni Europian që qytetarët e Kosovës, të pajisur me pasaporta biometrike, të lëvizin lirisht në Europë, për një periudhë qëndrimi 90 ditore. Në një deklaratë për shtyp, Komisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Qytetarinë, Dimitri Avramopulos  deklaroi ndër të tjera: “Sot ne po vazhdojmë me përkushtimin tonë për propozim të udhëtimit pa viza në BE për qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike – duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe duke forcuar lidhjet biznesore, sociale e kulturore ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në bërjen e reformave të gjera dhe të vështira në fushën e drejtësisë, punëve të brendshme dhe më gjerë, që kanë ndikim në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe reformat në drejtësi. E di sa i rëndësishëm është për popullin e Kosovës udhëtimi pa viza dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli do ta miratojnë shumë shpejtë propozimin tonë”.

Padyshim një hap i madh për Kosovën, një ditë pas anëtarësimit në UEFA. Një hap në legalizimin definitiv të një realiteti që lë pas kokëfortësinë e politikave të shekullit të kaluar, e që zgjidh një hallkë për statusin e shqiptarëve në Europë, si qytetarë që më në fund hyjnë nga porta.  “Ky është rezultat i përkushtimit të qytetarëve për vlerat perëndimore. Çdo sukses i yni brenda dhe jashtë vendit do të ishte i mangët pa përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarëve. Kemi pasur një bashkëpunim të fuqishëm gjatë tërë këtyre viteve. Çdo sukses është i përbashkët mes qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Përkundër ashpërsimit të kritereve, Komisioni Evropian vendosi pozitivisht për Kosovën. Ky është konfirmim i madh për qytetarët e Kosovës dhe mesazh i qartë për ndonjë pesimist të izoluar brenda dhe jashtë Kosovës”, deklaroi me kwtw rast kryeministri i vendit Isa Mustafa.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.