Referendumi: Fitore plebishitare apo publicitare!

Postuar në 06 Prill, 2016 13:31
Behar Gjoka

Data 9 prill sjell në skenën politike të Shqipërisë, mbajtjen e referendumit të PS. Ka gjasa të shumta që referendumi do të jetë thjesht dhe vetëm një formalitet. Vetë kongresi i kësaj partie, mbajtur më 19 mars të këtij viti, formalizoi me unanimitet të plotë statutin e ri, madje me votim të hapur dhe spektakolar, mbi 99 %, gjë që gati e kishim harruar. Delegatët e shumtë në Pallatin e Kongreseve, ngrinin duart sa më lart që të ishte e mundur, për të dhënë votën e tyre dhe pastaj, nga presidiumi numëroheshin kartonat. Formalizimi i statutit, me një shpjetësi rrufe, madje pa shumë debat, një akt që formalisht duhej të kalonte nen për nen, tashmë siç pëshpëritet në selinë e PS, krijoi parakushtet legale dhe demokratike për të formalizuar mbajtjen e referendumit. Kuptohet, e tash po thuhet me të madhe, nga kush mundet në radhët e drejtuesve të lartë të PS, se referendumi është mënyra më demokratike e mundshme, gjë që në fakt e di edhe qorri. Formalisht, votimi me referendum, pa asnjë mëdyshje, është një tregues i pranisë së demokracisë, ndonëse fare mirë, kjo mënyrë votimi, mund të luajë edhe rolin e fasadës demokratike. Mbetet për t’u parë se si do të funksionojë, në ditën e referendumit, kjo mënyrë votimi.

Në thelbin e vet, as që diskutohet që është forma më demokratike, por megjithatë si mënyrë është e ndërvarur nga forma e realizimit, si dhe rezultati që do të sjellë votimi me referendumin e anëtarsisë së partisë qeverisëse. Në këto rrethana, rezultati që do sjellë, vlen që të diskutohet së paku në parim. Cila është pritshmëria pasreferendare dhe, a do të ketë të papritura nga votimi gjerësisht i anëtarësisë së PS? Pritshmëria e vetme, që është e sigurt, është që me votim referendar, do të konfirmohet mandati i kryetarit të PS, e kryeministrit Rama në detyrë. Të papriturat, aq sa u lejuan që të ndodhin, dolën dhe u mbyllën në kongresin e radhës, që u duk se krijoi një zgjidhje modus vivendi, për të shpëtuar shtëpinë e përbashkët, PS.

Periudha pas kongresit, për ca kohë u duk si një ujdi, megjithatë pa asnjë marrëveshje, në mes palëve që mendojnë ndryshe, që madje shpesh në një periudhë të gjatë kohore u paraqit si një konflikt i ashpër. Ndonjë mendim rastësor, hedhur nga “rebelët”, siç mendohet se janë deputët Ben Blushi e Mimoza Hafizi, bëri që të dalin formalisht dy ministra të qeverisë Rama, dhe menjëherë të artikulonin idenë: Nuk ka rëndësi rezultati, rëndësi ka pjesëmarrja. Rezultati nuk ka rëndësi vetëm nëse dihet se si do të dalë ai. Në referendumin e 9 prillit, vërtet që nuk ka pikë rëndësie rezultati, sepse dihet që referendumi ka vetëm një alternativë, pra që Rama të jetë kryetar dhe kryeministër. Nuk është puna te listat e zgjedhësve, që është e lidhur ngushtësisht me anëtarsinë e PS, apo te mënyra e votimit dhe numërimit, sepse dihet që shqiptarët në përgjithësi, janë me pushtetin dhe të fortin, aq më tepër militantët e partive tona. Në këtë kuptim nuk bën dallim as PD dhe as LSI, që përbëjnë segmente politike, me liderë të fortë, së paku Meta dhe Berisha (se Basha është në kërkim të rrugëve për t’u bërë lider) për të tillë njihen, sepse ka më shumë mundësi që vetë sistemi partiak në Shqipëri, është menduar se funksionon me dorë të fortë, me liderë të gjithëditur që udhëheqin demokracinë. Nisur vetëm nga pohimet e krerëve të PS, çështja e referendumit të PS, të krijon përshtypjen se ka zbritur deri në nivelin: Do të jetë fitore publicitare apo plebishitare! Nga rezultati i të dyjave, demokracia shqiptare rrudhet dhe zvogëlohet, sepse forma demokratike e referendumit, nuk na shpëton nga mendësia e partive tona, që në historinë e viteve të demokracisë, barazohet me liderin.

Tema e referendumit të PS, në prag të mbajtjes së tij, merr vlerë, për faktin se PS është forca qeverisëse dhe prandaj përbën interes për publikun ajo çfarë ngjet në atë parti. Po kaq, duke u bazuar në historinë 25-vjeçare, ka dëshmuar se e lejon atmosferën e debatit, e mendimit ndryshe. Nëse e mbyll këtë hapësirë, cili do të jetë ndryshimi nga partitë e tjera të spektrit politik shqiptar? Me interes është edhe fati i “rebelëve” të PS, do të flaken, do të asimilohen apo do ta braktisin kështjellën e PS? A do t’u japë përgjigje këtyre aspekteve ky referendum? Një moment mbetet në diskutim, demokracia nuk udhëhiqet, demokracia është një proces, ku e drejta e pakicës është sublime, shpërfillja e saj tregon mungesën e demokracisë…

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.