Rreziku i konvertimit të kaosit në liri të kontrolluar

Postuar në 08 Mars, 2016 14:47
Aleksandër Çipa

Pas çdo të pakënaquri publik, në mos fshihet, së paku ka lidhje diçka prej konflikti interesi. Ky nuk është thjesht vetëm një perceptim, por një imazh që të krijohet në këtë republikë të “fshatit të fjalëve pa fund”. Pakënaqësia verbale në shoqërinë tonë po shumëfishohet pareshtur. Është një vërshim kaotik i mundësuar natyrshëm prej risisë së ngjarë dhe të shumëpërdorur, pra internetit. Në rrjetet sociale shqiptare njëjtë, si në vitet e para të periudhës së pas ’90-s, ka një vërshim të tmerrshëm përbaltjeje e fyerjeje dhe ndotje masive verbale. Është forma mbizotëruese e komunikimit dhe e të shprehurit, duke e dimensionuar kaosin e fjalës në atë farë feje, sa të ngjan me imazhin klasik të lukunisë që vërsulet, duke humbur lidhjet me logjikën dhe racionalitetin. Kjo formë komunikimi masiv po e bjerr peshën e fjalës, e kaotizon sistemin dhe referencën ndaj së vërtetave dhe sidomos ndaj besueshmërisë. Kjo arritje natyrisht që është paraprirë nga keqpërdorimi i mediave klasike në historinë e pluralizmit postkomunist, i cili në të vërtetë rezultoi të jetë thjesht një formë dhe brendi kaotike e komunikimit dhe marrëdhënies mes mediave dhe qytetarëve, mes palëve ose grupeve që i posedojnë ato dhe versionit të ri të lirisë për të pasur shumëkush e kushdo mundësi shprehjeje e raportimi sipas dëshirës në “online”.

Në këtë realitet të ri, establishmentet e vjetra po mbeten në stereotipinë e shkuar të trajtimit të tyre. Po aq stereotipike mbeten edhe marrëdhëniet mes politikës dhe mediave klasike. Madje kjo stereotipi po kap edhe një pjesë të mirë të mediave online, të cilat po riciklojnë sjelljen e njohur të sulmit dhe agresivitetit verbal, si në periudhën e parë të tranzicionit me fjalën e shkruar në shtypin e përditshëm privat dhe atë partiak. Mirëpo stereotipia e mbartur nga epoka e lulëzimit të medias klasike nuk e ka jetën të gjatë në mediat e reja. Për shumë arsye, por më së pari për shkak të pjesëmarrjes dhe përfshirjes së të gjithëve në mundësinë e lirisë për t’u shprehur apo raportuar. Kjo në një kohë të ardhme mund ta bëjë më të mirë shoqërinë, sikundër do të shkaktojë kontrastet mes drejtpërdoruesve dhe keqpërdoruesve të mediave sociale. Rreziku në këtë vend dhe në këtë shoqëri të vogël shtohet kur sjell në mendje historinë e proceseve të munguara vetërregulluese, si dhe ambicien e qeverisësve për të nismuar përmirësime ligjore, të cilat mund të shfrytëzohen për favore ndaj autoritarizmit apo ndërhyrjes politike edhe mbi këtë liri të pasjes dhe përdorimit të infrastrukturës së fjalës dhe imazhit.

Nisma e fundit e Ministrisë së Inovacionit për diçka të tillë, pason në një lloj pikëpamjeje nismën e para një viti të deputetes së PD-së, ish-ministres së Integrimit, zonjës Majlinda Bregu. Por paketa ligjore e paralajmëruar nga ministrja Milena Harito për pronësinë dhe administrimin e portaleve dhe web-eve, si dhe parashikimi për përgjegjësinë ligjore ndaj pavërtetësive dhe komenteve fyese nëpër këto portale dhe blogje, parathotë një zhvillim, i cili duket se i vë fre anarkisë dhe kaosit të fjalës virtuale. Mirëpo, njihet tashmë sentenca se pas një ligji mbrojtës, fshihet hije e censurës dhe e frikësimit të lirisë së shprehjes. Vendi ynë në këtë të fundit, pra për censurën, ka një përvojë dhe histori që befason shumëkënd dhe në mënyrë të posaçme mediologët. Sipërmarrjet zyrtare për konvertimin e kaosit në liri mirëfunksionuese, në asnjë rast nuk kanë rezultuar të suksesshme, sepse qëllimi për pushtetin triumfon mbi ndërgjegjen për respektimin e lirisë. Përditshmëria në rrjetet sociale sidomos, në këtë kënetën e sotme shqiptare të shprehjes së lirë, e dëshmon më së miri këtë pamundësi. Kaosi dhe anarkia e fjalës në këtë vend janë të lidhura me sjelljet dhe brendinë tonë parashoqërore, nuk kanë lidhje me kapriçiot rebele të liberalëve apo të kontrapedalëve. Rregullimi dhe sidomos shndërrimi i këtij kaosi në liri mirëfunksionuese dhe demokraci të mishëruar shprehjeje, mund të bëhet dhe arrihet kur gjendet një masë që lidhet dhe i referohet ndërgjegjes. Aty ku mungon ndërgjegjja, sidomos ajo qytetare, kaosi dhe anarkia nuk mund të zhbëhen me masa dhe ligje që jetojnë fatkeqësisht më pak se mandatet qeverisëse të partive që i iniciojnë. Sa herë nisma të tilla janë imponuar prej politikës dhe qeverisësve, vendet që i kanë ndërmarrë janë listuar si territore të qeverisura nga autoritarizmi dhe arbitrariteti politik. Ky vend nuk ka asnjë mundësi të zgjojë demonët e censurës dhe hijet e pengestarëve politikë të fjalës së lirë.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.