Në kërkim të parasë së ndershme

Postuar në 05 Mars, 2016 11:38
Selami Xhepa

Kongresmeni Ronald Ernest “Ron” Paul, babai i  Rand Paul, kandidati aktual për President i SHBA-së për Republikanët, ka qenë dhe mbetet një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtje të lirisë – ndoshta i krahasueshëm me Jeffersonin dhe Madison. Por, ai është dukshëm dhe një ekonomist i talentuar, veçanërisht në çështjet monetare.

Lindur në Pittsburg në vitin 1935, me origjinë nga familje emigrantësh gjermanë të vendosur në SHBA, Dr. Paul kishte kryer studimet universitare për Biologji dhe doktoruar në shkencat mjekësore në Universitetin Duke në vitin 1961. Interesin e tij në shkencat ekonomike ai ia dedikon njohjes me librat e Hayek, Rruga Drejt Skllavërisë, Traktatin Njerëzor të Mises dhe miqësisë me Rothbard Murray dhe Hans Sennholz. Kishte qenë dhënia fund e standardit të cunguar të arit (ose shembja e Bretton Woods-it që lidhte dollarin me arin) nga Niksoni, që kishte frymëzuar Ronin të futej në fushatën politike për rivendosjen e standardit të arit, si standardi më i mirë monetar për shëndetin e ekonomisë dhe kursimet e qytetarëve. Kongresmen që prej vitit 1979, ai ka garuar tre herë për postin e Presidentit. Kritik i fortë i qeverisë së madhe, taksave të larta, sistemit të rezervës federale dhe parasë letër, ai njihet edhe si “babai intelektual” i lëvizjes së Tea Party, e njohur për pozicionin e saj shumë konservator brenda Republikanëve. Janë të mirënjohura një numër shkëmbimesh midis Ron dhe Alain Greenspan lidhur me nevojën e rivendosjes së standardit të arit (për të cilën edhe vetë Greenspan në vitet më të hershme ishte shprehur në favor), me George Soros, me Nancy Pelosi (lidhur me kushtetueshmërinë e Exim Bank). Ron është një njohës i mirë i veprave të Rothbard në fushën e parasë dhe bankave dhe i veprës së Friedman dhe Schwartz “Një Histori Monetare e SHBA: 1876-1960” (1963) që prej kohës së botimit, është shndërruar në një vepër klasike në çështjet monetare, parasë dhe inflacionit në SHBA.

 

Ron është Senior Fellow në Institutin von Mises dhe është një popullarizues i ideve të shkollës austriake, të Rothbard e von Mises, dhe është autor i shumë librave në fushën e ekonomisë dhe filozofisë klasike liberale. Ndër veprat më të spikatura të tij renditen “Argument mbi Arin” (1982) “Politika e Jashtme e Lirisë (2007), “Shtyllat e Prosperitetit” (2008), “Revolucioni: Një Manifest” (2008), “Ti japim Fund Fed-it” (2009) dhe “Përcaktim mbi Lirinë” (2011). Tërhequr nga Kongresi në vitin 2013, aktualisht në moshën 80 vjeçare.

 

Temat me të cilat merret gjerësisht Ron në veprën e vet është kritika ndaj parasë letër dhe nevoja për t’u kthyer tek një para e shëndetshme, siç është standardi i arit; qëndrimi kundër bankës qendrore dhe kalimi sërish drejt epokës së bankingut të lirë, ku vetë bankat garantojnë paranë e tyre me rezervën metalike të arit dhe argjendit, çështje këto direkt të lidhura me standardin e jetesës së qytetarëve dhe rishpërndarjen (e pamoralshme) të pasurisë.

 

Tek Bibla sipas Mateut, gjendet një pasazh shumë interesant provokues i priftërinjve të Judesë që i bënë Jezu Krishtit, kur e pyetën se në çfarë monedhe i paguante taksat, duke ditur se monedhat në qarkullim kishin të stampuar emrin dhe portretin e Jul Cezarit. Dhe Krishti u përgjigj, “Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit“. Ky incident ilustron dhe një nga ndarjet e mëdha morale që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë në raportin e njeriut me monedhën dhe vazhdon të sfidojë politikën dhe doktrinën monetare.

 

Beteja e Ron në rikthimin e standardit të arit dhe eliminimin e bankës qendrore, Fed-it, janë të krahasueshme në histori me betejën e njohur të ish-kandidatit për president William Jennings Bryan, në luftën kundër standardit të arit dhe favorizimin e bimetalizmit, kur në vitin 1896 mbajti fjalimin e famshëm me fjalët “Ju nuk duhet ta kryqëzoni njerëzimin mbi një kryq floriri”. Ashtu si Kisha është e ndarë nga Shteti, edhe Paraja duhet ndarë nga Shteti. E vetmja zgjidhje e vërtetë e inflacionit është ndarja e shtetit nga paraja dhe bankat, dhe paraja të rikthehet në epokën e vet të hershme, kur ishte mall dhe jo letër e emetuar nga qeveritë dhe e pagarantuar nga asgjë. Dollari, sipas Ron, duhet të jetë thjesht shprehje e një njësie të caktuar paraje ar. “Kur paraja nuk kushton asgjë, shkruante David Rikardo, atëherë ajo as dhe nuk vlen asgjë”, e prandaj bota nuk mund të jetë kurrë e sigurt në një epokë të parasë letër. Të gjithë aspektet e një sistemi intervencionist kërcënojnë lirinë dhe paqen sociale, shkruan Ron, por paraja është çështja më madhore pasi ajo është gjaku jetësor i të gjithë transaksioneve ekonomike”.

Ron është një edukator i publikut në çështjet monetare, duke i bërë idetë e mëdha të tingëllojnë të thjeshta dhe të kuptueshme edhe për një publik jo të sofistikuar. Për të demonstruar idenë e parasë së fortë, ai tregon një shembull nga një bankier amerikan, Gilbert, që punonte për një bankë të madhe zvicerane i cili tregonte se “një herë në muaj, një punonjës mirëmbajtjeje i bankës, kur merrte pagën i blinte gruas një monedhë ari. Njëherë e qortova për këtë punë, dhe atëherë ai mu kthye, “Shiko këtu, mos na hajdeni këtu ju amerikanët dhe të na mësoni si të rrojmë. Kur kthehem në shtëpi ia jap monedhën gruas dhe  i them, “Nëse më ndodh ndonjë gjë mua, bankës, apo qeverisë, shko në fermë dhe jepja këtë monedhë një fermeri dhe me këtë monedhë mund të ushqehesh.”

 

Si një historian monetar, Ron sjell dëshmi historike se si zhvlerësimet monetare kanë rrënuar jetesën e qytetarëve dhe kanë dëmtuar prosperitetin e njerëzimit, duke krijuar dhe rishpërndarje të padrejtë të pasurisë.

Kaosi monetar që mbizotëron sot në tregjet monetare globale, është dëshmi e fortë e argumentit të personazhit tonë, Gilbert. Duke parë ecurinë historike të çmimit të arit, rritja e çmimit të tij është dëshmi e zhvendosjes së preferencës së vendeve të ndryshme për të kaluar rezervat e tyre valutore drejt arit, si monedha që ruan më së miri pasurinë e akumuluar të kombeve. Në veçanti kjo spikat gjatë viteve të Recesionit të Madh të viteve 2008, kur pasiguritë e kurseve të këmbimeve të monedhave letër, e rritën ndjeshëm kërkesën për ar, duke bërë që çmimi  i ntij të rritej ndjeshëm.

Sa herë që kushtet monetare përkeqësohen dhe kaosi monetar frikëson publikun, diskutimet për një rol më të madh të arit në sistemin monetar gjallërohen. Kështu debati i parë serioz nisi në SHBA në vitet 1980, duke vënë në diskutim opsione që shkonin nga veprime pjesore të ‘window dressing’, e deri në një rikthim tek standardi i arit. Madje, Presidenti Regan krijoi në vitin 1981 edhe Komisionin për Arin, i cili do të rekomandonte kundër dhënies ndonjë rol të arit në sistemin monetar amerikan.

Argumenti kryesor i mbështetësve të arit, ku Ron është një përkrahës dhe mbështetës i fortë, bazohet kryesisht tek argumenti i ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe inflacionit zero. Duke hedhur një shikim të shpejtë në historinë e standardit të arit, sigurisht që metalet e çmuara kanë qenë në pjesën më të madhe të historisë së njerëzimit si monedha e zbatueshme që prej kohës së shkëmbimeve barter. Që nga vitet 1870 dhe deri në Luftën e Parë Botërore, ari ishte standardi ndërkombëtar monetar. Anglia kishte qenë efektivisht në standardin e arit që në vitin 1717 kur Sër Isak Njuton, Mjeshtër i Thesarit (Master of Mint) kishte refuzuar të zhvlerësonte arin për të rivendosur paritetin e tij me argjendin. Pothuaj gjithë bota e shekullit të nëntëmbëdhjetë kishte adoptuar standardin e  arit ose sistemin bimetalik (ari dhe argjendi). Shqipëria gjithashtu gjatë viteve të monarkisë ka zbatuar standardin e arit dhe kishte aderuar në rregullat e parasë së fortë dhe financave të kujdesshme.

Nëse shohim ecurinë e çmimeve (inflacionin) e Britanisë në periudhën e standardit të arit (1870-1913), ato ranë me -0.7% ndërsa në SHBA kemi një inflacion mesatar vjetor 0.1%; ndërsa inflacioni mesatar vjetor i periudhës 1947-1979 ishte 5.6% dhe 2.8%, respektivisht për Britaninë dhe SHBA. Megjithatë, dy ekonomistë (statisticienë) të mëdhenj të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, Laspeyers dhe Jevons, kishin zhvilluar gjerësisht indekset e çmimeve (në fakt indekset mbajnë emrin e Laspeyers), duke dalluar midis sjelljes së çmimeve në afat të shkurtër dhe në afat të gjatë, dhe evidentuar se edhe në standardin e arit kishte një luhatshmëri të lartë të çmimeve në afat të shkurtër (e matur me devijimin standard), gjë që e vinte në dyshim aftësinë e standardit të arit në përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve në një kuptim të drejtë të këtij termi. Po kështu dhe sjellja e normave të interesave ishte shumë e luhatshme, duke nënkuptuar një proces axhustimi efektiv të pritshmërive për sjelljen e inflacionit.

 

Një argument lidhur me këtë volatilitet të lartë lidhet me ndryshimin e ofertës së arit, si pasojë e zbulimeve të minierave të reja dhe teknologjive të reja të shfrytëzimit të arit dhe argjendit. Marrëdhënia midis ofertës së parasë dhe çmimeve ishte e njohur që nga parabola e famshme e David Humes në vitin 1752 i cili thoshte se po të pakësosh ofertën monetare britanike me 4/5, kjo do të çonte në rënien e çmimeve dhe përmirësimin  e bilancit tregtar. Në fakt, në vitet 1830-1850 kemi një dhjetëfishim të sasisë së arit monetar, një rritje që do të vazhdonte gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ligji i Humes nënkuptonte pritshmëri për norma të larta inflacioni.

Po ashtu, një debat shumë i madh historik lidhur me standardin e arit dhe bimetalizmin ishte zhvilluar gjatë viteve 1880 në SHBA, debat i cili do të vazhdonte edhe shumë më i fortë pas Panikut të 1907 kur filluan hapat e parë në krijimin e bankës qendrore të Amerikës, Fed-it, i cili do të krijohej në vitin 1913. Vetë Alfred Marshall ishte ftuar në seancat dëgjimore të Kongresit për çështjen e bimetalizmit. Një debat i fortë do të zhvillohej lidhur me perspektivën e standardit të arit në periudhën midis dy luftërave botërore. E përshkruar mjeshtërisht tek “Lordët e Financave” (2009) i Ahamed, historia e katër bankierëve qendrorë të kohës, Strong i Fed-it, Norman i Bankës së Anglisë, Moreau i Bankës së Francës dhe Schacht i Bundesbankut, na përcjell atmosferën kritike në raportet midis këtyre vendeve në ruajtjen dhe menaxhimin e arkitekturës financiare globale bazuar në standardin e arit. Edhe përkundër shumë kritikëve të këtij sistemi, midis të cilëve ishte dhe Keynesi, “Katër Lordët” i kishin dhënë botës sërish një periudhë stabiliteti monetar dhe shkëmbimesh deri në vitet e Depresionit të Madh, kur bota do të shkonte drejt errësirës së Luftës së Dytë Botërore.

Ideja e rikthimit te standardi i arit është kufizimi i rritjes së paprecedent të ofertës monetare, siç është përshpejtuar veçanërisht gjatë dhjetë viteve të fundit si pasojë e masave jokonvencionale të politikës monetare siç ishte lehtësimi sasior. Grafiku i mëposhtëm na jep një pamje vizuale të qartë të asaj që po ndodh sot me bazën monetare të dollarit. Vetëm gjatë viteteve të krizës së fundit të vitit 2008, sasia e parasë në qarkullim pothuaj është trefishuar!

Sigurisht që nëse oferta monetare do të lidhej me stokun e metaleve të çmuara, rritja e saj do të ishte shumë e  kufizuar duke  e ruajtur më mirë vlerën e parasë dhe pasurisë. Blerja e rezervave të arit për të mbështetur rritjen e ofertës monetare, veçanërisht në kushtet e çmimeve të sotme të tregut të arit, siç u panë në grafikun përkatës, do të bënin të pamundur buxhetin të financonte një operacion të tillë dhe prandaj do të ruante pothuaj të pandryshuar bazën monetare.

 

Idetë e ndryshimeve në politikën monetare dhe kufizimin e ofertës monetare bazuar në një mall rezervë, qoftë ari, shportë mallrash (siç ishte propozimi i Hart, Kaldor dhe Timbergen (1963); indeksimin e kontratave të denominuara në dollarë (e propozuar që nga Jevons dhe e mbështetur më vonë nga Marshall, Fisher, etj), ka qenë prej kohësh një temë e debatueshme. Aktualisht sërish ka propozime të kandidatëve për President të SHBA-së që promovojnë ide të tilla për të vendosur më shumë disiplinë në rritjen e ofertës monetare duke adoptuar ndonjë formë lidhje të parasë me metale të çmuara (Ted Cruz, Rand Paul, dhe Mike Huckabee për shembull kërkojnë fiksimin e kursit të dollarit me arin; propozime serioze janë hedhur gjithashtu për të reformuar kupolën drejtuese të Fed-it (Bernie Sanders –demokrat), ku tre nga nëntë anëtarët e Këshillit të Guvernatorëve janë nga bankat private. Duhet ndryshuar nga ky anakronizëm historik dhe Presidenti të emërojë të gjithë Guvernatorët e sistemit të rezervës federale.

 

Sidoqoftë, çështja shumë e debatueshme në politikën monetare të “rregullit kundrejt diskrecionit”, e formular nga Kydland-Prescott dhe të tjerë, vazhdon të mbetet një temë qendrore në debatin akademik dhe të bankierëve qendrorë. Në regjimet e politikave monetare diskrete, siç është rasti ku ndodhet Fed-i (dhe ku po kalon edhe Banka Qendrore Europiane e cila po heq dorë nga rregulli i një rritjeje monetare jo më shumë se 3.4% në vit), kanë ngasjen që të krijojnë inflacion, edhe pse nga pikëpamja e mirëqenies shoqëria do të ishte shumë më mirë në afat të gjatë nëse nuk do të krijohej inflacion surprizë. Padyshim që standardi i arit mbetet një alternativë në zgjidhjen e  këtij problemi (Dorbush, review of Coper paper, 1982).

 

Një nga temat e tjera prominente në debatin publik të Ron Paul është ajo që lidhet me rolin e Fed-it si bankë qendrore e pajisur me monopolin e printimit të parasë, mallit më të çmuar që njerëzimi ka krijuar. Vepra e tij, “Ti Japim Fund Fed-it” është një traktat lirie nga zgjedha qeveritare mbi paranë. Duke qenë një përkrahës i traditës së bankingut dhe parasë së lirë (të formuluar nga Hayek, Rothbard, Menger, Mises, etj), ku paraja emetohet nga vetë bankat tregtare dhe janë zgjedhjet e individëve ata që vendosin realisht vlerën e parasë (kursin e këmbimit dhe normën e interesit), Ron bën thirrje për t’i dhënë fund kësaj skllavërie monetare ku ndodhet sot SHBA dhe bota. Në këtë çështje, Ron është një mbështetës i traditës amerikane që e ka parë gjithnjë me dyshim ndikimin e kapitalit mbi politikën dhe demokracinë amerikane, dhe bankën qendrore si një rrezik serioz për minimin e demokracisë. Mbi Krijesën e Ishullit Jekyll (ishulli ku u mblodhën në mënyrë shumë të fshehtë themeluesit e Fed-it), janë shkruar një mori librash dhe deri në teori konspirative nga më zbavitëset (shih për shembull, Griffin, i cili që nga viti 1994 der në vitin 2013 ka patur 35 botime!).

 

Krijesa e Ishullit Jeckyll zë fill me një udhëtim të organizuar në mënyrë tepër sekrete. Udhëtimi për në ishull daton në një mbrëmje me shi të ftohtë nëntori të vitit 1910, nga stacioni hekurudhor i New Jersey-it. Në një seksion të ndarë të stacionit qëndronte vagoni i trenit privat me etiketën Aldrich, senatorit të mirënjohur të Rhode Island, vjehrri i John D. Rockfeller, pronari i Standard Oil. Nelson Aldrich ishte, përveçse senator, një biznesmen i madh që, si investitor partner i bankës Morgan, zotëronte anksione në sipërmarrje private në shumë degë të ekonomisë. Aldrich do të ishte në krye të grupit prej gjashtë vetësh që ishin nisur me misionin e rëndësishëm të krijimit të arkitekturës së sistemit bankar modern amerikan. Personazhet e tjerë të shquar të atij treni privat të asaj nate ishin: Abraham Piatt Andrew, asistent i sekretarit të Thesarit; Frank A. Vanderlip, president i National City Bank të New Jersey; Henry Davison, partner kryesor në J.P.Morgan Company; Benjamin Strong, shefi i J.P.Morgan’s Trust Company; Paul M. Warburg, partner i Kuhn, Loeb&Co, përfaqësues i dinastisë së Rotshildëve në Angli dhe Francë – që do të bëhej edhe shefi i parë i Fed-it. Udhëtimi prej më shumë se tetëqind miljesh do të çonte grupin e udhëtarëve drejt një ishulli në bregun kalifornian, që ishte blerë nga Morgan dhe disa partnerë të tij të cilët e përdornin për t’u arratisur nga jeta e përditshme ose për gjueti rosash dhe shpendësh të egër. Asnjë nga pasagjerët që po udhëtonte në vagonin privat të Aldrich nuk ishte i identifikueshëm. Mënyra sekrete e sjelljes do të vazhdonte gjatë gjithë qëndrimit prej nëntë ditësh. Stafi shërbyes i ishullit ishte zëvendësuar me personel të ri dhe të zgjedhur, të gjithë pjesëmarrësit në konferencë do t’i drejtoheshin njëri-tjetrit vetëm në emër. Ishte pikërisht ky mister dhe mënyra sekrete e organizimit që do të shërbente, siç e cilëson Ron Chernow, “si burimi i mijëra historive konspirative”.  Njëri prej pjesëmarrësve në konferencën sekrete të Jekyll Island, Paul Warburg do të shkruante në vitin 1930 një libër të tijin voluminoz prej 1750 faqesh – The Federal Reserve System, Its Origin and Growth, ku do të nënvizonte se “rezultatet e konferencës do të ishin krejtësisht konfidenciale. Madje dhe fakti se ishte mbajtur ky takim, duhej mbajtur sekret për publikun.”

 

Thelbi i programit që u hartua në Jekyll Island dhe që do t’i paraqitej Kongresit ishte krijimi i një banke qendrore e zotëruar dhe e kontrolluar tërësisht nga bankat private. Në rast krizash financiare do të ishte kjo bankë që do të shpëtonte sistemin financiar duke ofruar hua afatshkurtër (likuiditet) dhe duke ulur normën e interesit si një mënyrë për të ulur koston e parasë për bankat. Skema gjithashtu parashikonte që në shpëtimin e bankave të angazhoheshin edhe fondet publike të Departamentit të Thesarit.

 

Propozimi mbartte dy probleme madhore: së pari, që fondet publike do të menaxhoheshin dhe kontrolloheshin nga një strukturë drejtuese e bankës federale që ishte e kontrolluar nga sektori privat, si dhe nxitja që mund të krijonte një mekanizëm shpëtimi për bankat që këto të angazhoheshin edhe në më shumë operacione me rrisk të lartë (rreziku i dëmtimit moral – moral hazard). Në veçanti çështja e parë do të bëhej pjesë  e një debati të fortë politik që do ta shtynte procesin e krijimit të bankës qendrore deri në vitin 1913.

Lidershipi politik amerikan ka shfaqur një skepticizëm të theksuar ndaj bankave të mëdha dhe të fuqishme, skepticizëm që është manifestuar në një mënyrë agresive më së pari nga autori i Deklaratës së Pavarësisë, presidenti i tretë i SHBA, Thomas Jefferson, një nga mbrojtësit më të fuqishëm të lirisë së individit. Historiani dhe biografi i shquar, Ron Chernow, citon një letër që Jefferson ia drejtonte sekretarit të tij të shtetit, James Madison, që më pas do të bëhej Presidenti i katërt i SHBA-së, ku ai sugjeronte shumë seriozisht se “gjithkush që do të bashkëpunonte me një bankë federale, duhet të shpallet fajtor për tradhti dhe duhej ekzekutuar”. Themeluesit e Kushtetutës amerikane kishin besuar në një shoqëri amerikane agrare, me institucione të decentralizuara dhe me pushtet të kufizuar politik dhe mbi ekonominë.

Edhe pse rikthimi tek standardi i arit duket si një anakronizëm ndërsa mbyllja e bankës qendrore duket si absurde, debati mbi monedhën mbetet shumë legjitim dhe në realitetet e reja të sotme të lindjes së kriptomonedhave, e ardhmja e parasë në fakt është e pasigurt. E po kështu edhe praktikat e bankingut tradicional, kanë filluar të përjetojnë ndryshime që ndoshta sot akoma nuk mund të perceptohen se ku do të na çojnë në të ardhmen. Bashkë me bankingun komercial sigurisht që edhe bakingu qendror do të duhet të shpikë vetveten.

Është koha të reflektojmë më fort mbi paranë, atributet dhe substancën e saj, ruajtjen e integritetit të saj, si një detyrim moral që kemi ndaj lirisë së individit për të bërë zgjedhjet e tij të pandikuara nga fuqia shtypëse e institucioneve të krijuara në emër të mbrojtjes së këtyre lirive.

 

"Mapo"

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Ka shume probleme puna e kthimit te standartit te arit... (po keshtu ka edhe shume probleme me personalitetin e Ron/Rand Paul, por le te merremi me idete dhe jo me njerzit).
Se pari ne nje ekonomi gjithnje e me shume digitale, ku bitcoin i ka rezistuar presionit te qeverive te shumta, eshte si te luftosh me mullinjte e eres...
Se dyti, eshte e paqarte se cfare do te sillte rikthimi i arit si standard ne keto kohe; ekonomite madhore te botes nuk po vuajne fare nga inflacioni i cili eshte zhdukur qe ne vitet '70. Perkundrazi, problem kryesor ne keto momente eshte deflacioni i cili eshte jashtezakonisht i forte ne Europe dhe ShBA qe prej 2008. Ne Japoni deflacioni eshte ulur me kembe kryq qe me 1990!
Se treti, ka nje konsensus midis tere ekonomisteve se ekonomia perfiton shume kur inflacioni eshte rreth 2%. Per kete ka shume arsye, qe nuk del koha dhe vendi ti diskutojme. "Quantitative Easing" ka pikerisht qellim (qe nuk e arriti dot) te ngrinte inflacionin nga 0% ne 2-3%.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.