A do t'ia dalin të na nxjerrin në pension të gjithëve?

Postuar në 26 Janar, 2016 19:09

Gjatë tryezës për reformën zgjedhore që është zhvilluar sot në Tiranë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, ka bërë ndër të tjera këtë vërejtje:  “Votuesit shqiptarë kanë nevojë për të marrë përgjegjësi për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë. Ne mund të ankohemi sa herë të duam, por në një demokraci ne jemi përfundimisht përgjegjës për politikanët që zgjidhen”.

Është një mesazh që në thelb përsërit parimet e sistemit që duam të ndërtojmë, por që merr rëndësinë e vet për shkak të përvojës shumë të hidhur me zgjedhjet e vitit 2013 dhe sidomos ato të vitit 2015. Kur na thuhet në sy se “në një demokraci jemi përfundimisht përgjegjës për politikanët që zgjidhen”, na kujtohet me zë të lartë se ideja se proteksionizmi i SHBA-së do të zgjidhë çdo gjë, nuk është i vërtetë. Është një thirrje për bashkëpunim që i bëhet çdo qytetari shqiptar që të mos bëjë më sikur nuk e di se deputeti që po shkon të votojë nuk është një njeri që është marrë me trafiqe, një i korruptuar, apo qoftë edhe një vrasës siç na mësoi periudha e pas vitit 2013. Dhe nga sinqeriteti në raport me veten kushtëzohet edhe sinqeriteti publik i politikanëve, të cilët nesër nuk do të duhet të kenë më mundësi për alibi të tipit: “I kam parë dëshinë e penalitetit”.

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të gjithëve na jepet shansi të kushtëzojmë politikën, partitë politike, drejtuesit e qeverisë dhe të opozitës që të vendosin letrat në tavolinë për kandidatët që ofrojnë. Është e qartë se Shqipëria nuk e ka ende shpresën e një alternative, e një grupimi të organizuar që do ta bënte sistemin bipolar të ekspozuar ndaj erozionit të votave, por kjo përvojë shumë e keqe që pasoi zgjedhjet e vitit 2013, do të duhet të shërbejë për diçka.

Qytetarët kanë përballë dy alternativa që kanë shanse më shumë për të marrë pushtetin: mazhorancën PS-LSI dhe PD-në me aleatët e vet.

Janë dy histori dështimesh dhe diskreditimi, por që e dominojnë sistemin. Qeverisja aktuale është shembulli më i mirë i një ekipi që zvarritet paaftësi, korrupsion epokal, në zënka e mëri, në intriga e pabesi politike, duke e zhvilluar këtë bizantinizëm në lirinë cinike që jep një opozitë e dërrmuar. Partia Socialiste ka pushuar së qeni mjedisi i kultivimit të lirisë së mendimit, i shpresës së përfaqësimit dhe është katandisur në një parti monokratike, pa forume reale dhe ku identiteti i vetëm që shkëlqen si “yll në ballë”, është inati me LSI-në dhe Ilir Metën dhe antiberishizmi. Koalicioni me partinë e Ilir Metës e ka infektuar keq skenën politike, duke hequr çdo mundësi për asosacion moral apo ideor me një forcë politike.  Një qeverisje e vetvetes për vetveten – kështu mund të përkufizohet mendësia e lidershipit socialist, që ia doli të shkatërrojë një investim afatgjatë të një pjese të shqiptarëve.

LSI-ja vetë është dukuria më domethënëse e vakuumit në përfaqësim që krijon korrupsioni, i cili i shumëfishuar dhe i kthyer në qëllim, çon në shfaqjen e tumorit në sistem. Historia e krijimit të kësaj partie është as më shumë e as më pak, pajtimi në sajë të vullnetit dhe organizimit, pa skrupuj moralë e pa kufij, i ambicies së një njeriu, me tahmanë e një grupimi njerëzish që përndryshe nuk do të mund të instaloheshin në sistem. Një model që sot na ofron të gjithëve teatrin e shëmtuar të “transparencës së financimit të fushatës” nën okelion alarmante të “polit të tretë”. Një pol ekskluzivisht korruptiv, i cili përcakton ekuilibrin është në fakt pohimi se ky model ka arritur fundin.   

Nëse do të shohim nga PD-ja aty kemi një parti që i ngjan atij hajdutit që del në mexhlis për të dëgjuar se çfarë thontë për të. Një parti që përfaqëson opozitën parlamentare, por që nuk e ka distancuar veten nga qeverisja e saj, nga elementët e errët që karakterizuan atë. Janë po ata njerëz, po ato duar të shkathëta që çuan Shqipërinë në zgrip e që sot madje, nuk mungojnë të shfaqen si mendje parimore që kritikojnë qeverinë, por edhe kryetarin e tyre.

Nuk është çudi se përse këto forca politike janë në gjendje të arrijnë çdo lloj pazari. Ashtu siç edhe po bëjnë për reformën në drejtësi, e cila po shkon drejt dështimit. Njësoj si në rastin e vendimmarrjes politike edhe në Drejtësi, është e pamundur që të huajt, sado dashamirës dhe të fuqishëm, të imponojnë modele të vërteta, nëse ato shpërfillen nga njerëzit.

Këtu merr rëndësi roli i munguar i shoqërisë civile, por edhe e botës së biznesit.  Është thuajse e pafalshme që njerëz, apo organizata e sipërmarrje që sot janë ekonomia e këtij vendi, të ankohen rregullisht pas çdo palë zgjedhjesh për shëpërfilljen nga politika. Nga ndryshimi i politikave që ajo realizon sipas interesit. Është e papranueshme më, që tri parti, tri organizata kriminale, të vëtë akuzuara si të tilla, të kenë kapur për fyti një shoqëri të tërë, që ka dorëzuar vullnetin e vet në disa lista krimi dhe tekash të një apo dy njerëzish. Nëse sistemi nuk mund të ndryshojë shpejt, apo mbi të operohet në thellësi, kjo çmenduri hajdutësh e banditësh që bëhen kryeministra, të paktën mund të kufizohet. Dhe kjo nuk është pak. Kemi parë se ata që drejtojnë nuk dinë të bëjnë ndonjë gjë të madhe, nuk kanë aftësi për t’u përshtatur shpejt. Mjafton një kushtëzim, një instrument i hequr dhe rezultatet do të vijnë. Është kundër çdo ligjësie që tre apo katër njerëz, ca sali, edër e ilirër të nxjerrin në pension një popull të tërë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.