Ballkani Perëndimor në situatë të destabilizuar

Postuar në 03 Janar, 2016 19:49

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë paralajmëroi sot se protesta do të rinisin së shpejti me objektiv rrëzimin e qeverisë aktuale me “çdo kusht”.  “Do të ketë protestë me metoda që i kemi parë deri më tani, por edhe me metoda të tjera, të cilat nuk i kemi përdorur. Protesta e 9 janarit është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse do të duhej të ishte goditja përfundimtare ndaj këtyre marrëveshjeve dhe, në anën tjetër, do të niste një proces të ri të të protestuarit kundër kësaj qeverie, të përbërë nga shkelës të Kushtetutës. Këta e kanë mundësinë e dorëheqjes nga pozicionet e tyre, kanë arsye të bollshme për të dhënë dorëheqje, veçanërisht për shkak të këtyre shkeljeve ndaj Kushtetutës, mirëpo nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë natyrisht që qytetarët e Republikës do t’i detyrojnë këta të largohen nga pushteti. Për hir të demokracisë dhe sovranitetit në Kosovë, nuk duhet të lejojmë që ata, të cilët janë konstatuar si shkelës të Kushtetutës, të vazhdojnë të mbesin në pozicionet e njëjta. Pra, largimi i kësaj qeverie nga pushteti është kusht i domosdoshëm për t’i hapur rrugë një procesi demokratik, që do të duhej të ndodhte në Kosovë”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë një interviste për Top Channel. Iniciativa e fundit e partisë së Albin Kurtit vjen në kuadër të zgjedhjeve të afërta për Presidentin e ri të Republikës, që i është premtuar me marrëveshje Hashim Thaçit. Një proces që duket i paravendosur mes politikanësh që kanë konsum të madh të imazhit, i jep kredite opozitës për të vijuar me veprime të forta. Por nëse e shohim në një plan më të gjerë, diçka po lëviz në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi para disa javësh u përfshi nga protestat dhe vetëm sot qarkulluan lajme se drejtuesi politik jetëgjatë në këtë vend, Milo Gjukanoviç është një ndër dy politikanët më të korruptuar të rajonit. Tjetri është kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili ka bërë të ditur se në mesin e këtij muaji konstituohet qeveria teknike. Gruevski u përball me probleme serioze vitin që lamë pas, ku ngjarjet e Kumanovës ishin kulmi, bashkë me të ashtuquajturat “bombatë Zaevit”, që ishin në fakt përgjime të shërbimeve të huaja që i ishin vënë në dispozicion kreut të opozitës. Por ky fill tensioni përshkon edhe Shqipërinë, e cila ndodhet në një situatë të tensionuar politike, me një opozitë që premton një herë revolucion, një herë mosbindje civile dhe një herë tjetër reagime të forta apo arrestim të korruptuarish nga qytetarët. Jeta normale parlamentare ka pushuar së funksionuari dhe tanimë në disa vende ka mbetur si instrument rruga. Jo pa probleme paraqitet edhe Serbia, e cila para disa ditësh arrestoi ish-ministra për afera korruptive, ndërkohë që stabiliteti i Greqisë është shumë i brishtë. Lajmet për prishje të marrëdhënieve mes qeverisë së Athinës dhe huadhënësve sapo kanë nisur të dalin në krye, bashkë me thirrjen e kryeministrit grek për reformë në sistemin e sigurimeve, pasi përndryshe rrezikohet dhënia e pensioneve. Siç shihet turbullira po e vendos Ballkanin Perëndimor në një tokë të rrëshqitshme dhe nisma si Konferenca e Berlinit nuk kanë arritur të qetësojnë ndonjë gjë të madhe. Projektet ekonomike të shumëpërfolura janë eklipsuar nga emergjnca e imigracionit dhe e terrorizmit, të dyja sfida që kërkojnë përgjigje. Sa për Shqipërinë dhe vendet fqinj, do uruar që përvoja e luftrave dhe ajo e mercenarizmit të ketë shërbyer për diçka sa për të mos lejuar përsëritjen e ndonjë situate të papëlqyeshme. 

Comments

Submitted by shqiptar (not verified) on

Pese jane shkaqet kryesore qe e bejne te trazuar e te pa stabilizuar Ballkanin perendimor.
1.- Ndarjet e padrejta territoriale te diktuara nga interesa gjeostrategjike te fuqive te medha europiane.
2.- Sistemet socialiste qe prodhuan diktaturat e proletariatit e krimet masive ne shkeljen e te drejtave njerezore.
3.- Mendeiste primitive shoviniste te ngelura qe nga koha e perandorise bizantine.
4.- Krimi ordiner i organizuar qe ka bere fole edhe ne parlamente e ne administraten shteterore.
5.- Ekstremizmat ideollogjike e fetare qe degjenerojne ne veprime terroriste
Pa bere perpjekje per ti evidentuar e sanuar se paku keto pese shkaqe, as qe mund te shpresojme qe t'ju shmangemi pasojave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.