Bilanci i dështuar me ekonominë

Postuar në 31 Dhjetor, 2015 20:22

Pas bilancit të fundvitit me gazetarët kryeministri iu drejtua shqiptarëve me një urim të përmbledhur në një album kartolinash me 242 faqe që pasqyrojnë punën e qeverisë në dy vjet për të rilindur Shqipërinë. Një libër sipas tij për t’u shfletuar nga të gjithë shqiptarët, edhe ata që janë të zhgënjyer, për të parë ndryshimin mes të djeshmes dhe të sotmes.

Sfida më e madhe për qeverinë në vitin që lamë pas ishte padyshim ekonomia dhe përpjekjet për të mbajtur në nivelin 3 për qind rritjen ekonomike sipas objektivit të vendosur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke ruajtur edhe një ekuilibër të kuadrit fiskal. Ky objektiv nuk u arrit dhe rritja ekonomike u regjistrua nën 3 përqindëshin me borxhin publik ende në nivele të larta.

Po ashtu projeksioni për të ardhurat nga tatimet dhe doganat rezultoi i paarritshëm për qeverinë që në 11 muajt e vitit doli me një bilanc negativ në raport me planin. Një trend që detyroi qeverinë të rishikojë 3 herë buxhetin duke rishpërndarë shpenzimet dhe investimet që po ashtu nuk u realizuan sipas planit. Për t’u veçuar në vitin që lamë pas ishte edhe aksioni kundër informalitetit që krijoi një klimë të disfavorshme për biznesin, të cilën e shoqëroi me një ligj për ashpërsimin e gjobave, i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. 

Qeveria u detyrua të tërhiqet nga politika e saj agressive dhe krejt papritur vendosi të zerojë taksë për bizneset me xhiro deri në 50 milionë lekë, duke kërkuar  t’i japë një shtysë ekonomisë, parashikimet për të cilën janë që në 2016 të kapë një rritje në nivelin e 3 përqindëshit, objektiv që edhe nëse arrihet e mban Shqipërinë në një trajektore të njëjtë me atë të 10 viteve të fundit, por nuk i jep shtytjen për të bërë një hap domethënës përpara jo vetëm për buxhetin e shtetit, por edhe për mirëqënien e qytetarëve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.